Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas protestës së studentëve para Ministrisë së Arsimit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu e cilësoi situatën si degradim të kulturës së protestës në dhunë të orkestruar, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve, efektivëve të policisë dhe dëmtimin e pronës publike. Por ajo nuk tha asnjë fjalë për studentët e dhunur.
Sipas saj, akte të tilla nuk përfaqësojnë mënyrën se si duhet të shprehen të rinjtë, por janë pjesë e një strategjie të vjetër politike për të mbuluar, siç pretendon ajo, paaftësinë e kundërshtarëve të qeverisë.
Në reagimin e saj, Koçiu përdori edhe ironi për të përshkruar përplasjet, duke iu referuar pllakave të trotuarit si një faktor që duket se e ka “provokuar” rëndë situatën.
Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike.”, ka shkruar ajo.












