Muli porosit libreza studenti për protestuesit .

13 Tetor 2026, 18:42Antena TEMA


Muli sot u vu në siklet nga pamjet e protestës. Për dreq, të gjitha kamerat kapnin ose burra të moshuar, ose gangsterë që dukej se nuk kishin mbaruar as tetëvjeçaren. Për trima dukeshin se ishin trima, por nuk dukeshin studentë.

– Si do t’ia bëjmë? – i tha Lelos. – Se aty i vetmi që dukej si student ishte Sazan Guri.

– Të bëjmë një listë dhe t’i pajisim me libreza studenti, – tha Lelo. – Kur t’i ndalojë policia, t’u tregojnë se janë studentë.

– Na u mbyll edhe Kristali, – tha Muli, – se Meti u jepte drejtpërdrejt diploma, po të ishte sot. Por, të paktën, të gjejmë dikë që na jep libreza.

– Puna është se kamerat na kapën edhe superdhëndrin, – tha Lelo.

– Për atë s’ka problem, – tha Muli. – Themi se po bën një doktoraturë të dytë për dëmin që shkakton gazi lotsjellës në natyrë. Dhe e zgjidhim.

– Këta që i kanë shoqëruar në polici kanë qëndruar si trima, – tha Muli. – Njërin e ka pyetur polici: “Në cilin universitet je?”, dhe ai i është përgjigjur: “Në Partinë Demokratike.”

– “Po PD-ja nuk është universitet”, – i ka thënë polici.

– “Unë atje kam mësuar gjithçka”, – i ka thënë. – “Kam 13 vjet që mësoj si të protestoj.”

Ka ngelur polici.

Një tjetër e kanë pyetur:

– Përse ke dalë në protestë? Çfarë kushtesh nuk të janë plotësuar në konvikt?

– Na mungon çdo gjë, – i ka thënë. – Së pari, më mungon shkolla e mesme dhe s’mund të shkoj në shkollë të lartë. Dua të drejtat e mia.

– Kjo s’do të thotë gjë, – tha Lelo. – Kudo në botë bëhen protesta në emër të studentëve. Kjo nuk e dëmton lëvizjen studentore. E rëndësishme ishte që parulla “Rama në burg, Berisha në burg” u zhduk. Kaq na duhej neve. Tani vazhdojmë vetë, se shumica prej nesh kemi diploma. S’kemi nevojë për libreza studenti.

Lini një Përgjigje