
Ndoshta jam unë që nuk e kuptoj evolucionin e protestës moderne. Dikur studentët dilnin në rrugë me ide, argumente dhe pankarta. Sot, me sa duket, programi mësimor është reformuar në argumentet që janë lëndë me zgjedhje, ndërsa shkulja e kangjellave lëndë bazë. Për xhamat e thyer, me siguri jepen kredite shtesë.
Dikur pankarta mbante mesazhin e sot synojnë të lexohen si meme. Sepse, kur nuk ke një argument që trondit institucionin, mund të provosh të tronditësh dritaret e tij. Kur nuk arrin të bindësh publikun, mos u dëshpëro se një kapsollë e hedhur në momentin e duhur mund të të sigurojë më shumë klikime se një tezë e argumentuar. Në fund të fundit, algoritmi nuk kërkon mendim kritik. Kërkon spektakël.
Dhe unë kujtoj protestat e studentëve kundër mbetjeve. Sa të prapambetur paskemi qenë! Ata mendonin se për të mbrojtur të ardhmen duhej një kauzë, guxim dhe qytetari. Nuk u kishte shkuar ndër mend se mund ta shkurtonin gjithë procesin. Pak zhurmë, ca xhama të thyer dhe një video virale. Ja ku e ke revolucionin, pa humbur kohë me argumente!
Prandaj, më falni, por nuk arrij ta njoh atë rini te pamjet e sotme. Jo sepse studentët duhet të jenë të bindur, të heshtur e të kënaqur me gjithçka. Përkundrazi! Le të protestojnë, të kundërshtojnë, t’i vënë institucionet me shpatulla pas murit. Por, nëse për të shprehur pakënaqësinë duhet të shkatërrosh atë që të del përpara, ndoshta nuk po i kërkon llogari sistemit, thjesht po i jep atij një arsye të re për të mos folur për problemin.
Gjithsesi, nuk mund të mohohet përparimi. Dikur synonim të ndryshonim Shqipërinë e sot mjafton të ndryshojmë gjendjen e xhamave të një institucioni. Dikur kërkonim që zëri ynë të dëgjohej e sot kujdesemi që zhurma të regjistrohet në cilësi të lartë. Dikur protesta prodhonte ndërgjegjësime sot rrezikon të prodhojë materiale për faqet humoristike. Një hap gjigant për viralitetin, një hap i vogël për arsyen.
Dhe pastaj çuditemi pse kauzat humbasin mes zhurmës. Kur kamera largohet, kapsollat pushojnë dhe xhamat duhen paguar, çfarë mbetet? Një problem i pazgjidhur, një debat i zhvendosur dhe një faturë që, me shumë gjasë, nuk do ta paguajnë ata që e kthyen protestën në spektakël.
Unë besoj se rinia shqiptare ka mendje, dinjitet dhe potencial për të ndryshuar këtë vend. Pikërisht për këtë arsye nuk dua ta ngatërroj me ata që mendojnë se revolta matet me numrin e sendeve të hedhura.
Sepse të jesh student nuk është të kesh një kartë identifikimi, një pankartë dhe një objekt për të hedhur. Është të kesh një mendim që nuk ka nevojë të thyejë asgjë për t’u dëgjuar.
Dhe, nëse kjo quhet protestë moderne, më falni, por unë preferoj të mbetem e vjetër. Të paktën në kohën time, kur rinia kërkonte të ndryshonte botën, nuk kishte nevojë ta fillonte duke thyer xhamat.
Lini një Përgjigje