Hapësire reklamuese

Aktualitet

DEBAT në gjyqin e vrasësit të Ardian Nikulajt, tre vite pas ngjarjes portugezi nuk njeh akoma aktet, gjykata i "tërheq veshin" Cakranit

Shkruar nga Newsbomb
DEBAT në gjyqin e vrasësit të Ardian Nikulajt, tre vite pas
Momenti i vrasjes se Ardian Nikulaj - Ruben Saraiva dje ne gjyq

Është shoqëruar me tensione seanca e sotme gjyqësore e mbajtur në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për Ruben Saraivën, portugezin e dënuar përjetë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Burime për mediat bëjnë me dije se i pandehuri Saraiva nuk është njohur me asnjë akt procedurial pasi mbrojtja e tij, Kujtim Cakrani nuk është takuar me të duke pretenduar se nuk është lejuar që të marrë një përkthyes për rastin.

“Unë nuk e kam takuar, pasi më duhet të marr përkthyes me vete, por nuk më është lejuar. Kam bërë disa herë kërkesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por nuk kam marrë një përgjigje, sepse kam tentuar ta takoj me përkthyes.” tha Cakrani në seancën e sotme, duke shtuar se klientit të tij i janë shkelur të drejtat.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite nga vrasja e Nikulajt, ngjarje e ndodhur në prill të 2023, thuhet se autori i vrasjes nuk është njohur akoma me aktet e çështjes.

Pjesë nga seanca:

Avokati Cakrani: Asnjë akt procedural nuk i është paraqitur të pandehurit në gjuhën që ai kupton, në anglisht apo portugalisht. Që në fazën e hetimit dhe gjatë gjykimit në shkallën e parë, i janë cenuar të gjitha të drejtat.

Rubens Saraiva: Unë nuk jam njohur me asnjë dokument.

Prokuroria: I pandehuri duhet të jetë njohur me ankimin. Avokati duhet t’ia kishte vendosur në dispozicion në gjuhën angleze dhe portugeze, që të njihet me ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë.

Prokurorja Balla: Së pari, i pandehuri duhet të njihet dhe të qartësohet me ankimin dhe më pas të diskutohen çështjet e tjera. Duhet t’i njihet ankimi.

Gjykata: A ia keni vënë në dispozicion ankimin të pandehurit? A e keni vënë në dijeni që është bërë ankim?

Avokati Cakrani: Unë nuk e kam takuar, pasi më duhet të marr përkthyes me vete, por nuk më është lejuar. Kam bërë disa herë kërkesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por nuk kam marrë një përgjigje, sepse kam tentuar ta takoj me përkthyes.

Si ndodhi vrasja e Ardian Nikulajt:

Ardian Nikulaj, biznesmeni lezhian u vra në prill të vitit 2023. Ai ndodhej i ulur brenda lokalit të tij, në momentin kur shtetasi portugez, Ruben Saraiva, i maskuar me skafandër, hyri brenda dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.

Sipas hetimeve, urdhërues i vrasjes dyshohet se ishte Edmond Haxhia, i cili në bashkëpunim me shtetas të huaj kishte vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e Nikulajt, duke monitoruar edhe hotelin ku ai qëndronte, me qëllim përcaktimin e momentit të ekzekutimit.

Pas kryerjes së krimit, disa prej autorëve u larguan nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit, ndërsa të tjerë përdorën rrugë tokësore drejt Greqisë. Megjithatë, ata u arrestuan brenda një kohe të shkurtër, njëri pas tjetrit.

Portugezi Ruben Saraiva është gjetur fajtor për vrasje dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë dënuar me burg përjetë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese