Tensionet dhe gazi lotsjellës te “Rruga e Durrësit”, Ministria e Shëndetësisë jep detaje për të lënduarit

Pas protestës së shoqëruar me dhunë e përplasje, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion mbi gjendjen shëndetësore të studentëve, gazetarëve dhe efektivëve që pësuan lëndime.

Sipas njoftimit zyrtar, në QSUT kërkuan ndihmë tre protestues, të cilët shfaqën shqetësime shëndetësore nga ekspozimi ndaj gazit. Dy u larguan pas konsultimit me mjekët, kurse për të tretin po vazhdojnë ekzaminimet nga personeli i urgjencës.

Të lidhura

None found

Ndihmë mjekësore kërkuan gjithashtu dy kalimtarë. Njëri u shtrua dhe do të mbetet në spital nën kujdesin e personelit mjekësor, ndërsa kalimtari tjetër është ende në monitorim nga mjekët.

Në Spitalin Universitar të Traumës u ofrua trajtim edhe për dy përfaqësuese të medias. Pasi iu nënshtruan ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, ato u larguan me këshillën e mjekut, në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

Kujdesin e nevojshëm mjekësor e morën edhe gjashtë efektivë të Policisë, për të cilët ishin raportuar dëmtime. Me këshillën e mjekut, të gjashtë u larguan nga spitali jashtë rrezikut për jetën.