Gaz lotsjellës dhe përplasje gjatë protestës, Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e të dëmtuarve: Policë, gazetarë dhe kalimtarë nën kujdesin e mjekëve

13 Tetor 2026, 19:30Kronika TEMA
Gaz lotsjellës dhe përplasje gjatë protestës, Ministria e

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë protestës së sotme, për t’u ardhur në ndihmë personave të dëmtuar.

Sipas njoftimit zyrtar, disa protestues, përfaqësues të medias, efektivë policie dhe kalimtarë kanë marrë ndihmë mjekësore në QSUT dhe Spitalin e Traumës, ndërsa një pjesë e tyre vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Strukturat shëndetësore në gatishmëri për t’u ofruar ndihmë mjekësore personave të dëmtuar gjatë protestës

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.

Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.

Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë.

Lini një Përgjigje