web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Foltorja” e PD-së/ Berisha në Dibër: Shqipëria është rrokullisur këto 14 vite, pensionistët në hall

13 Tetor 2026, 19:16, Politikë CNA

“Foltorja” e PD-së/ Berisha në Dibër: Shqipëria

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, drejtoi këtë të martë “Foltoren” e radhës të PD-së në Dibër.

Në fjalën e tij, Berisha tha se Shqipëria ndodhet në gjendjen më të vështirë në këto 14 vitet e fundit, te qeverisura nga mazhoranca socialiste.

Kryedemokrati u ndal te situata e vështirë e pensionistëve, duke treguar edhe shembuj, ndërsa shtoi se me politikat e PS-së, Shqipëria është shndërruar në një mënyrë ose në një tjetër në një spital të madh dhimbjesh njerëzore

Fjala e plotë e Berishës:

Misioni ynë i madh, misioni ynë i ri është ripërtëritja e Shqipërisë.

Shqipëria rrallë ndonjëherë në histori është rrokullisur siç është rrokullisur këto 14 vite.

Kurrë ndonjëherë nga vitet 1300 të murtajës së zezë dhe gjer sot, trojet tona në Shqipëri nuk janë pakësuar nga shqiptarët me një shpejtësi të tillë sa këto 10 vite.

Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur në asnjë pushtim, në asnjë luftë që lindshmëria, fëmijët që lindin në një vit, të jenë të njejtë me ata që lindnin 100 vite më parë.

Por, rrallë ndonjëherë ka ndodhur që qindra mijëra shqiptarë të përballen me skamjen e egër.

Në vitin 1986 kam ardhur në këtë qytet të bekuar. Kam punuar tre muaj në spital dhe ndonjëherë me kolegët shkonim në ndonjë fshat përreth për ndonjë të sëmurë.

Një ditë do dilte nga spitali një nga të sëmurët që ishim kujdesur për të. I bëra recetën gati dhe u ula pranë shtratit të tij që t’i shpjegoja ilaçet. Kushtonin gjithsej 12 qindarka. Ai ishte me hipertension. Ia shpjegova. Burrë fisnik, nuk e mori recetën.

Doktor, më tha, faleminderit shumë, por nuk e marr.

Pse, i thashë unë, 12 qindarka janë.

Unë 15 qindarka marr ditën e punës dhe me to duhet të blej bukën bashkë me shoqen time, gruan që kam në shtëpi. Ndaj dhe nuk e marr.

Ajo në fakt më tronditi shumë.

Por absolutisht sot në shumë e shumë, në qindra e mijëra raste është pothuaj e njëjta situatë.

Si? Sot mbi 460 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme.

Por çfarë do të thotë pension i pjesshëm?

Pension i pjesshëm do të thotë 6 mijë lekë, 8 mijë lekë, 9 mijë lekë më pak.

Mijëra e mijëra të tjerë marrin 3 mijë lekë ndihmë ekonomike.

Tani të shkojmë pak pranë tij. Çfarë mund të bëjë ai me 3 mijë lekë ndihmë ekonomike?

Ai mund të blejë një javë, maksimumi dy ushqim. Asnjë ilaç, njëlloj si i sëmuri im në vitin 1986 në kulmin e kooperativizmit që nuk i merrte dot ilaçet.

Edhe pensionisti sot nuk i merr dot ilaçet.

Çfarë ndodh? Mbetet pa mjekim. Në mënyrë mizore i kanë hequr një pjesë të mirë të ilaçeve më të zakonshme për ta nga rimbursimi.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ai nuk i blen dot.

E tregova disa herë, një mik ka qenë person i shquar në fushën e vet dhe ka një pension nga më të mirat, por thotë shkova në farmaci dhe desha të blej ilaçin që të hollon gjakun. Farmacistja më tha që është hequr nga rimbursimi. Bëra hesapin, ai ilaç po ta merrja më kushtonte tre muaj pensionin.

Ai ka pension të lartë, por një pension i zakonshëm, shtatë muaj pension.

Ja ku jemi pra, shndërruar në një mënyrë ose në një tjetër në një spital të madh dhimbjesh njerëzore./CNA





Lajmet e fundit nga