Protesta e studentëve pranë Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar pas disa orësh, duke sjellë përplasje të drejtpërdrejta mes tyre dhe forcave të Policisë.
Tubimi nisi në orën 14:00 me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. Për rreth 60 minuta situata ishte e qetë, ndërsa protestuesit brohorisnin dhe mbanin parulla kundër qeverisë.
Të lidhura
None found
Më pas, studentët hodhën vezë dhe pllaka trotuari drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, duke shkaktuar thyerjen e xhamave të institucionit.
Gjatë përshkallëzimit të situatës, ata dëmtuan edhe kangjellat anës trotuarit dhe hapën një nga dyert metalike të godinës.
Pas riorganizimit në rrugën e Durrësit, protestuesit dogjën kartonë dhe disa reklama të vendosura përgjatë rrugës.
Policia vendosi një kordon përballë turmës dhe në zonë u pozicionua edhe një autobot me ujë. Për shpërndarjen e protestuesve, efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Përplasjet kanë vijuar për rreth katër orë, ndërsa studentët, pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, nuk janë larguar nga zona pranë Ministrisë së Arsimit. Situata vijon të mbetet e tensionuar.









