Kryeministri Edi Rama e cilësoi projektin e planifikuar në Zvërnec si një model të mënyrës se si mund të zhvillohen investimet në harmoni me natyrën. Deklarata u bë në Luksemburg, pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, në përgjigje të pyetjeve për investimin e Jared Kushner në Shqipëri.
I pyetur nga një gazetar i gazetës britanike “The Independent” për zhvillimet rreth projektit, Rama tha se perceptimi për Shqipërinë mund të ndikohet nga mënyra se si paraqitet vendi në mediat online.
“Do t’ju ftoja të vinit në Shqipëri, sepse kur e sheh Shqipërinë nga jashtë mund të keqkuptohesh, mund të ngatërrohesh. Dhe po ta shohësh Shqipërinë me kaq filtra të sotëm të medias online, do të hutoheni tërësisht”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se projekti nuk duhet parë vetëm përmes emrit të investitorit, por përmes ambicies që, sipas tij, synon të sjellë një model të ri zhvillimi.
“Është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe dhe që duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme në harmoni me natyrën”, deklaroi ai.
Kryeministri shtoi se reagimet dhe manifestimet e zhvilluara për këtë çështje, të cilat janë pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare, kanë ndikuar në përmirësimin e projektit dhe në arritjen e rezultateve që, sipas tij, mund të bindin më shumë njerëz.
Megjithatë, Rama pranoi se rezultatet mbeten për t’u provuar dhe se qeveria pret momentin kur do të mund të prezantojë punën e kryer dhe faktet që, sipas tij, do të mbështesin pretendimet për projektin.


