Prej orësh Rruga e Durrësit në Tiranë është nën pushtetin e flakëve, pasi protestuesit u panë duke djegur kartonë dhe orenditë e bizneseve në këtë zonë, ndërsa lideri demokrat ka përshëndetur protestën e studentëve nga Dibra.
Në fjalën e mbajtur nga foltorja e “Ripërtëritjes” në Dibër, kreydemokrati u shpreh se është koha për t’i kthyer restin Edi Ramës, për t’i treguar atij se dibranët nuk janë çyrykë, duke shtuar se po dëshmohet se ka ardhur fundi asaj që ai cilëson regjim antishqiptar.
“Tani vjen një shkarravitës, të cilin me të drejtë një kritik arti në Venecia i thotë që vizatimet e tij ishin të një adoleshenti të droguar dhe u thotë dibranëve se jeni çyrykë.
Tani, jo ik, por qërohu. Ndaj edhe këtu, vjen koha t’i kthejmë restin atij ne. Sot, studentët bënë një përballje epike me falangat e tij. Ai është në kohërat e fundit të regjimit të tij antishqiptar.”, tha Berisha në fjalën e mbajtur para dibranëve.
Më tej, Berisha vijoi me premtime para dibranëve duke premtuar se nëse ata u besojnë votën demokratëve, do të “shpërblehen” me rritje rrogash e pensionesh si dhe shërbime dhe arsim më cilësor.
“Dhe unë u garantoj ju, e garantoj çdo shqiptar se për ne ripërtëritja e Shqipërisë synon para së gjithash dhe mbi të gjitha shndërrimin në rroga, pensione, shërbime, arsim cilësor, shëndetësi të të ardhurave të tyre, të pasurive të tyre publike.”, shtoi më tej lideri demokrat.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha u shpreh për të disatën herë, i bindur se ka ardhur momenti që Shqipëria të ripërtërihet, diçka që sipas tij do të bëhet vetëm falë demokratëve.
Pjesë nga fjala e liderit demokrat në Dibër:
Tani vjen një shkarravitës, të cilin me të drejtë një kritik arti në Venecia i thotë që vizatimet e tij ishin të një adoleshenti të droguar dhe u thotë dibranëve se jeni çyrykë.
Tani, jo ik, por qërohu. Ndaj edhe këtu, vjen koha t’i kthejmë restin atij ne. Sot, studentët bënë një përballje epike me falangat e tij. Ai është në kohërat e fundit të regjimit të tij antishqiptar.
Ndaj dhe PD, në emër të interesave më jetike të këtij vendi, të emergjencës dhe ripërtëritjes emergjente të saj, duhet të ndërmarrë ripërtëritjen e saj. Të gjithë ata që qëndruan në kushte shumë të vështira janë heronjtë e mi. Absolutisht.
Por sot kërkohet që krahas tyre të bashkohen vlera të tjera të shumta, të rinj, gra, vajza në mënyrë që t’i japim duart kësaj të keqe të madhe dhe të përpunojmë së bashku vizionin më të mirë për Shqipërinë. Kuvendi i PD autorizon çdo demokrat, i kërkon çdo demokrati dhe demokrateje që motoja e tij të jetë ripërtëritja.
Dhe kjo moto është moto vetjake për çdo njeri, duke filluar nga kryetari i saj. Ne duhet të shohim si duhet të ripërtërijmë qëndrimet tona. Si të ripërtërijmë funksionin tonë. Si të ripërtërijmë radhët tona.
Shqipëria nga ne pret dhe unë kam besimin më të madh se ne do i përgjigjemi me sukses këtyre kërkesave. Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria.
