
13 persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë në Tiranë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, mes personave që kanë kërkuar ndihmë janë tre protestues, dy gazetare, gjashtë efektivë policie dhe dy kalimtarë.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Dy prej tyre janë larguar pas konsultës me mjekët, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore dy gazetare, të cilat pas ekzaminimeve janë larguar me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.
Në të njëjtin spital kanë marrë trajtim edhe gjashtë efektivë të Policisë, të cilët kanë pësuar dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë larguar nga spitali, jashtë rrezikut për jetën.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital dhe do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj, për t'iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore.
Njoftimi
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.
Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.
Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë./Versus.al

