Përvoja e gjatë në drejtimin e automjeteve nuk i ka përjashtuar shoferët nga përfshirja në aksidente rrugore në Shqipëri. Përkundrazi, drejtuesit që zotërojnë leje drejtimi prej më shumë se nëntë vitesh përbëjnë kategorinë me numrin më të lartë të aksidenteve të shkaktuara gjatë vitit 2025.
Sipas raportit Statistika mbi Sigurinë Rrugore 2025, të publikuar nga Instituti i Statistikave (Instat), kjo kategori drejtuesish ka shkaktuar 677 aksidente, ose 49.2% të totalit prej 1 mijë e 375 aksidentesh të regjistruara në vend.
Megjithatë, numri i aksidenteve të shkaktuara nga shoferët me mbi nëntë vite përvojë ka shënuar rënie krahasuar me vitin 2024, kur kjo kategori ishte përgjegjëse për 742 aksidente. Në vitin 2023, numri i rasteve ishte 514.
Drejtuesit me më pak përvojë renditen pas tyre. Shoferët me 0-3 vite leje drejtimi shkaktuan 224 aksidente gjatë vitit 2025, duke përfaqësuar 16.3% të totalit.
Ndërkohë, drejtuesit me 3-6 vite përvojë ishin përgjegjës për 196 aksidente, ndërsa ata me 6-9 vite përvojë për 189 raste.
Një tjetër tregues është numri i aksidenteve të shkaktuara nga persona pa leje drejtimi. Sipas Instat-it, gjatë vitit 2025 u regjistruan 67 raste të tilla, nga 85 në vitin 2024.
Të dhënat tregojnë dallime edhe sipas moshës së drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25-34 vjeç regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve, me 331 raste, ose 24.1% të totalit.
Megjithatë, kjo shifër është më e ulët se 424 aksidentet e regjistruara për të njëjtën grupmoshë në vitin 2024.
Drejtuesit e moshës 16-24 vjeç shkaktuan 281 aksidente, ndërsa grupmosha 45-60 vjeç ishte përgjegjëse për 278 raste. Shoferët e moshës 35-44 vjeç regjistruan 270 aksidente, ndërsa ata mbi 60 vjeç 181 raste.
Në total, numri i aksidenteve rrugore në Shqipëri ra nga 1 mijë e 666 në vitin 2024 në 1 mijë e 375 gjatë vitit 2025, një tkurrje prej rreth 17.5%.
Megjithatë, raporti evidenton se numri i personave të vrarë në aksidente u rrit me 14.3%, pavarësisht rënies së numrit të përgjithshëm të aksidenteve.
Statistikat nxjerrin në pah se drejtuesit me përvojë të gjatë dhe grupmosha 25-34 vjeç përfaqësojnë pjesën më të madhe të rasteve të regjistruara në kategoritë përkatëse.













