Kryeredaktori i Dosja.al, Izmir Akulli, është dhunuar nga efektivët e policisë pasditen e kësaj të marte, teksa po raportonte nga protesta e studentëve në Tiranë.
Sipas denoncimit të publikuar nga drejtuesi i Dosja.al, Enton Abilekaj, ngjarja ndodhi rreth orës 18:15, pranë Bankës Qendrore, në qendër të kryeqytetit.
Sipas denoncimit, Akulli po filmonte me telefon ndërhyrjen e policisë ndaj një studenti, kur një grup efektivësh iu drejtuan atij dhe e goditën fizikisht. Abilekaj, pretendon se gazetari u identifikoi efektivëve faktin se ishte gazetar dhe po kryente detyrën, por kjo e fundit nuk e ndaloi dhunën. Sipas denoncimit, njëri prej efektivëve vijoi ta godiste me grushte.
Pas incidentit, Akulli u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku po merr ndihmë mjekësore.
“Diku pranë Bankës Qëndrore në qendër të Tiranës, policia ka dhunuar kryeredaktorin e Dosja.al, Izmir Akulli, duke ushtruar detyrën.
Ndërsa po xhironte me telefon dhunën ndaj një studenti, një grup policësh i janë turrur pa asnjë arsye. Edhe pse Izmiri u tha më zë të lartë se është gazetar në detyrë, policët nuk hezituar ta godasin, madje njëri prej tyre i shtoi disa grushta pikërisht se ishte gazetar.
Ngjarja ndodhi rreth orë 18 15 dhe gazetari i dëmtuar tani ndodhet te QSUNT për të kuruar plaget. Për më shumë se 90 minuta nuk mundëm të kishim asnjë lajm prej tij.
Reagimin për këtë ngjarje do ta bëjmë si redaksi pasi dhuna policore të përfundojë, por në këtë moment, i kërkoj policisë së shtetit, efektivëve me ndërgjegje, drejtuesve deri tek Drejtori i Përgjithshëm, mos të bëhen vegla qorre të paranojës së një autokrati që ka iluzionin se mund ta mbajë pushtetin me dhunë”,- shkruan Abilekaj.













