
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për situatën e krijuar gjatë protestës së kësaj të marte në kryeqytet, duke u bërë thirrje të shmangin zonat ku po zhvillohen demonstratat.
Në njoftimin e publikuar, ambasada bën me dije se protesta në Rrugën e Durrësit, pranë sheshit “Skënderbej”, është përshkallëzuar në dhunë, me hedhje gurësh.
Sipas paralajmërimit, protesta mund të përhapet edhe në zonat përreth, përfshirë blloqet dhe ndërtesat qeveritare. Kjo situatë mund të sjellë shtim të pranisë së policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.
“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ambasada amerikane u kërkon shtetasve të saj të tregojnë vigjilencë, të kenë kujdes për sigurinë personale dhe të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale, si dhe udhëzimet e autoriteteve shqiptare.
“Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, përfundon njoftimi.

