Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka vizituar mbrëmjen e sotme në spital të riun Kevin, i cili dyshohet se është dhunuar gjatë protestës në Tiranë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku ka publikuar edhe pamje nga ngjarja, duke pretenduar se i riu ka shenja të dukshme të një trajtimi çnjerëzor.
Deputetja demokrate e ka lidhur rastin me mënyrën se si, sipas saj, sistemi qeverisës po sillet me qytetarët dhe veçanërisht me të rinjtë që dalin në protestë.
“Rinia sot shpreh me zë dhe me protestë atë që ndjen shumica e heshtur e shqiptarëve: neverinë ndaj një sistemi të kalbur, që nuk ka më as moral dhe as vlera për të qeverisur”, shkruan Tabaku.
Ajo akuzon më tej sistemin se u shërben interesave të një pakice, ndërsa qytetarët e tjerë shpërfillen dhe dhunohen. Sipas deputetes, kjo situatë tregon një raport të padrejtë të pushtetit me qytetarët.
“Ky është sistemi: i dobët me të fortët, i fortë me të dobëtit!”, shprehet Tabaku.
Në përfundim të reagimit, deputetja e PD-së bën thirrje për bashkim qytetar dhe protesta, duke e cilësuar këtë si rrugën për të sjellë ndryshimin politik në vend.
“Ka vetëm një rrugë: përballje me këtë sistem dhe rrëzim të tij përmes protestës dhe bashkimit qytetar. Për një qeveri të qytetarëve dhe për qytetarët”, përfundon ajo.












