Bashkimi Europian mund të detyrohet të reduktojë konsumin e gazit natyror me 7% gjatë dimrit, për shkak të rezervave të ulëta dhe rrezikut të vështirësive në furnizim nëse temperaturat bien ndjeshëm. Paralajmërimi vjen nga Instituti për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare (IEEFA), sipas “Euronews”.
Sipas raportit, depozitat e gazit në BE janë të mbushura në masën 72,4%, niveli më i ulët për këtë periudhë të vitit që nga viti 2011. Nga nëntori deri në mars, rezervat mund të sigurojnë 7,3 miliardë metra kub më pak gaz krahasuar me dimrin e kaluar, ndërsa reduktimi i përgjithshëm i konsumit mund të arrijë në 14 miliardë metra kub.
IEEFA sqaron se kjo nuk nënkupton shterimin e plotë të rezervave, por paralajmëron se furnizimi mund të vihet në vështirësi në rast të një vale të fortë të ftohti në fund të dimrit.
Presionin mbi tregun europian e shton edhe ndërprerja e plotë e importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia, e planifikuar për janarin e vitit 2027. Ndërkohë, lufta mes SHBA-së dhe Iranit ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe në ndërprerjen e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit, ku kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të LNG-së.
Për të kompensuar mungesën e mundshme, BE-së mund t’i duhet të sigurojë importe shtesë me një kosto prej rreth 3 miliardë eurosh, 12% më shumë se një vit më parë. Çmimi i gazit në bursën holandeze TTF, treguesi kryesor për tregun europian, arriti në 84,5 euro për megavat-orë në mesin e shtatorit, niveli më i lartë që nga viti 2022.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se që nga fundi i shkurtit, importet e lëndëve djegëse fosile i kanë kushtuar BE-së 100 miliardë euro shtesë. Ndërkohë, operatorët europianë të rrjeteve të gazit paralajmërojnë se një dimër i ashpër mund të krijojë mungesë deri në 15% të nevojave për gaz.
Disa vende kanë nisur të marrin masa për të forcuar rezervat. Holanda ka miratuar deri në 993 milionë euro financim për kompaninë shtetërore EBN, Gjermania i ka kërkuar importuesit SEFE të depozitojë 8 teravat-orë gaz deri më 15 dhjetor, ndërsa Spanja ka rritur me mbi 25% sasinë e LNG-së në terminalet e saj të importit.
Konsumi i gazit në BE ra nga 222 miliardë metra kub në dimrin 2021–2022 në 185 miliardë metra kub një vit më pas. Megjithatë, gjatë dy dimrave të fundit ai është rikthyer në rreth 200 miliardë metra kub në vit.
Sipas IEEFA-s, mundësitë për kursime të mëtejshme po pakësohen, ndërsa luhatjet e çmimeve e kanë bërë më pak fitimprurëse mbushjen e depozitave. Për këtë arsye, organizata rekomandon investime në energjinë e rinovueshme, pompat e nxehtësisë, elektrifikimin e industrisë dhe eficiencën energjetike, me synimin për të ulur kërkesën gjatë dimrit dhe varësinë nga importet e kushtueshme.


