Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë. Sipas ministres Klodiana Spahiu, të gjithë personat që po trajtohen aktualisht në Spitalin e Traumës janë jashtë rrezikut për jetën.
Në Spitalin Universitar të Traumës po marrin kujdes mjekësor një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë. Ndërkohë, pas marrjes së ndihmës mjekësore, janë larguar nga spitali gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë.
Edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë trajtuar dhe janë larguar një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe gjashtë protestues.
Ministria thekson se ndihma shëndetësore u ofrohet të gjithë personave të lënduar pa dallim, në përputhje me gjendjen e tyre klinike dhe nevojat mjekësore.
Sipas njoftimit, situata po monitorohet në vijimësi në bashkëpunim me strukturat spitalore, ndërsa të dhënat për numrin e të trajtuarve dhe gjendjen e tyre përditësohen mbi bazën e informacionit të verifikuar.
Ministria falënderoi ekipet e urgjencës, mjekët, infermierët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë për angazhimin gjatë situatës.


