Reuters: Studentët shqiptarë protestojnë për arsimin, vendet e punës dhe përplasen me policinë

Protesta e studentëve në Tiranë, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Agjencia e lajmeve Reuters, i ka kushtuar një raportim demonstratës së zhvilluar të martën, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë para Ministrisë së Arsimit.

 

Të lidhura

None found

 

Sipas Reuters, protestuesit hodhën tulla dhe blloqe betoni drejt godinës së ministrisë, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Në raportimin e saj, agjencia ndërkombëtare thekson se studentët kanë ngritur shqetësime për kushtet në universitete, kostot e arsimit të lartë, mbështetjen financiare dhe mundësitë e punësimit pas diplomimit.

Reuters sjell gjithashtu dëshmi nga protestuesit, të cilët shprehin pakënaqësinë për pabarazinë sociale dhe hendekun mes të pasurve dhe të varfërve në vend.

“Ajo që i duhet Shqipërisë është një revolucion, një ndryshim, një përmbysje e plotë e sistemit sepse nuk mund të vazhdojë kështu”, tha protestuesja Luljeta Kola, duke shtuar se në vend ka padrejtësi të thellë sociale dhe një hendek midis të pasurve dhe të varfërve.

Ngjarja është pasqyruar edhe në kontekstin e një vale më të gjerë aktivizmi studentor në Evropë, ku të rinjtë po organizojnë protesta për përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore. Agjencia sjell shembullin e protestave në Francë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ka dënuar aktet e dhunës, duke deklaruar se sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe dëmtimi i pronës publike, nuk janë mënyra e duhur për të shprehur pakënaqësitë.


Shtuar më 14.10.2026 07:30