Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se hetimi do të zbulojë mënyrën se si u arratis Iva Mihajlova, por theksoi se ajo nuk është evidentuar në sistemet e kontrollit kufitar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë gjatë vitit 2026.
Të lidhura
None found
Sipas tij, autoritetet bullgare kanë ndarë të dhëna me palën maqedonase për herën e fundit kur Mihailova ka lënë territorin e të dyja vendeve, që ka ndodhur vitin paraprak.
Toshkovski saktësoi se ajo u largua nga shteti në mënyrë ilegale dhe po ashtu hyri pa dokumentacion të rregullt në vendin fqinj lindor.
Ai theksoi nevojën që familja e viktimës të marrë drejtësi përmes procedurave ligjore, duke shtuar se e drejta për jetë dhe përgjegjësia para ligjit duhet të zbatohen njësoj për të gjithë qytetarët.
“Çështja që ngrihet është nëse kemi të bëjmë me një sistem që i mundëson dikujt, i cili duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjet, të zhduket nga sytë e publikut, të largohet nga vendi dhe të gjejë mbrojtje në një shtet tjetër, në këtë rast një vend anëtar i Bashkimit Evropian”, u shpreh Toshkovski në intervistën për “Sitel”.
“Këtu nuk bëhet fjalë për një kufi që ruhet vetëm nga policia e RMV-së. Nëse thuhet se policia jonë ka mangësi, atëherë çfarë të themi për policinë bullgare? Ajo mbron kufirin e BE-së dhe një individ që del ilegalisht nuk mund të hyjë ligjërisht në Bullgari. Ka mjaft raste të personave të dënuar me vendime gjyqësore që kanë ikur në Bullgari. Atëherë shtrohet pyetja nëse Bullgaria shërben si strehë për kriminelë të dënuar ose për individë që kërkojnë t’i shpëtojnë përgjegjësisë në procese që synojnë vendosjen e drejtësisë”, përfundoi ministri./Telegrafi/







