16 persona kanë përfunduar në pranga dhe 49 të tjerë janë vënë nën hetim pas 9 orësh dhunë dhe shkatërrimi në rrugët e Tiranës. Nga sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, te bizneset e bankomatet e shkatërruara, koshat e mbeturinave në flakë dhe përplasjet me Policinë, kryeqyteti u përfshi nga akte të dhunshme dhe vandalizmi.
Protagonistë ishin grupe protestuesish me fytyra të mbuluara. Ndonëse protestuesit ishin kamufluar si studentë, më i riu në pranga është 23 vjeç, ndërsa të tjerët janë nga 27 deri në 59 vjeç. Mes tyre ka edhe persona të moshave 48, 52, 55 dhe 57 vjeç.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë 8 vepra penale, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Protesta nisi rreth përpara Ministrisë së Arsimit. Pas një ore tubimi të qetë, persona të maskuar nisën të sulmonin godinën me gurë, kapsolla, kokteje molotovi dhe pllaka trotuari. Policisë thotë se nga sulmet u dëmtuan muret, dritaret dhe kangjellat rrethuese të Ministrisë, ndërsa u shkatërruan edhe tabela reklamash dhe sinjalistika rrugore.
Protestuesit shkulën kangjellat e trotuareve, sulmuan portën dhe një grup arriti të hynte në oborrin e institucionit. Gjurmët e dëmeve janë ende sot në oborrin e ministrisë.
Policia ndërhyri me gaz lotsjellës, spraj me piper dhe ujë për të shpërndarë turmën, por përplasjet vijuan në Rrugën e Durrësit. Policia thotë se brenda një institucioni financiar iute credit u thyen dhe u dogjën sende, ndërsa një banke të nivelit të dytë iu dëmtua fasada prej xhami. Gjatë protestës u shkatërruan edhe bankomate e kamera sigurie, ndërsa në rrugë u dogjën kosha mbeturinash.
Në mbrëmje aktet e dhunës iu përshkallëzuan. Protestuesit thyen me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë së Tiranës dhe hynë brenda saj. Sipas Policisë, katit të parë të Bashkisë iu vu zjarri, për shkak të një flakadani që protestuesit ndezën brenda.
Në orët e fundit të protestës, grupe të vogla personash të maskuar vijuan aktet e dhunës te Pazari, Rruga e Barrikadave, Brryli dhe pranë Prokurorisë së Tiranës.
Policia e Tiranës thotë se efektivët u sulmuan gjatë gjithë tubimit me gurë, sende të forta, kapsolla dhe kokteje molotovi. Sipas bilancit, gjashtë punonjës policie mbetën të dëmtuar.
Ndërkohë, pas një video ku 4 policë shfaqeshin duke mbajtur nga gjymtyrët një 19-vjeçar me këmbë të thyer u pezulluan nga detyra 4 efektivë dhe shefi i Rendit i Komisariatit numër 1. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është ngritur një grup i posaçëm që do të analizojë të gjitha veprimet e efektivëve, nga fillimi deri në përfundim të protestës.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim....
Policia e Tiranës thotë se 16 protestues janë arrestuar pas akteve të dhunës në protestën e një dite më parë, ndërsa 49 të tjerë janë vënën nën hetim. Të arrestuarit akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Policisë thotë se protestuesit e maskuar sulmuan efektivët me gurë, kapsolla dhe molotovë, dëmtuan kangjellat, muret dhe xhamat e Ministrisë së Arsimit, shkatërruan bankomate e biznese, si dhe thyen derën e Bashkisë së Tiranës, ku i vunë zjarrin katit të parë duke ndezur një flakadan.
Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës
Ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të datës 13.10.2026, arrestohen në flagrancë 16 shtetas.
Procedohen penalisht 49 shtetas të tjerë.
Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 13.10.2026, rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, disa pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur sende të forta, pllaka guri, kapsolla, kokteje molotovi dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.
Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, dhe është dëmtuar fasada prej xhami e subjektit privat, bankë e nivelit të dytë.
Në rrugën “Ded Gjon Luli”, është thyer me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë Tiranë dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj.
Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur, që prej fillimit të tij, me dhunë të vazhdueshme, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Si pasojë, janë dëmtuar 6 punonjës policie.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kryerjes së veprimeve procedurale:
U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. V., 41 vjeç; F. B., 48 vjeç; A. B., 40 vjeç; G. I., 57 vjeç; E. K., 32 vjeç; I. S., 38 vjeç; B. K., 59 vjeç; D. V., 55 vjeç; E. Z., 30 vjeç; H. B., 52 vjeç; O. V., 35 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; K. M., 23 vjeç; B. Gj., 31 vjeç; K. H., 38 vjeç dhe K. A., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
U proceduan penalisht 49 shtetas të tjerë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 13.10.2026.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Kryeqyeti dje përjetoi 9 orë kaos, ku protestues të maskuar sulmuan institucione, shkatërruan biznese dhe u përplasën me Policinë.
Protesta e cila nisi dje para Ministrisë së Arsimit, e cilësuar si 'e thirrur' nga studentët' agravoi në dhunë deri në orët e darkës.
Në një nga pamjet që Report Tv ka siguruar, shihet se protestuesit e maskuar kanë hipur edhe në një fadromë,
Teksa kanë hequr një tabelë reklamash, protestuesit e tjerë duartrokasin dhe brohorasin.
Report Tv sjell pamjet që tregojnë pasojat e sulmit të dhunshëm ndaj Ministrisë së Arsimit gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Oborri është mbushur me gurë e pllaka trotuari të shkulura, ndërsa disa xhama të Ministrisë janë thyer.
Në vijën e parë të sulmeve ishin protestues me fytyra të mbuluara, të cilët hodhën gurë, pllaka trotuari dhe sende të forta drejt godinës. Ata shkulën edhe kangjellat dhe sulmuan portën, duke arritur të futen në oborrin e Ministrisë.







Komente
Komento