U maskuan si policë dhe grabitën banesën në Elbasan, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët, mes tyre një vajzë 21 vjeç

Zbardhet grabitja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 12 tetorit, në lagjen “5 Maji” të Elbasanit. Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona, të dyshuar si autorë të vjedhjes me armë në një banesë.
Sipas njoftimit zyrtar, në kërkim janë shpallur shtetasit M. M., 46 vjeç, banues në Lezhë, S. A., 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe N. A., 21 vjeçe, banuese në Greqi.
Tre të dyshuarit dyshohet se, nën kërcënimin e armës, kanë marrë një shumë parash dhe telefona celularë në banesën e një familjeje në lagjen “5 Maji”.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 30 vjeç, banues në Tiranë, i afërm i 46-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe pronar i automjetit që dyshohet se është braktisur nga autorët.
Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën veshje të ngjashme me uniformat e Policisë, një mjet prerës (thikë) dhe një fenelinë.
Ngjarja u bë publike pas dëshmisë së kryefamiljarit Lorenc Zenellari, i cili tregoi se persona të maskuar kishin hyrë në banesë duke u prezantuar si punonjës policie. Sipas tij, grabitja zgjati rreth 15–20 minuta, gjatë të cilave autorët kërkuan vazhdimisht para, kërcënuan familjarët dhe goditën me armë nipin e tij.
Në banesë ndodheshin edhe gjashtë fëmijë të mitur, të moshës nga 3–4 muajsh deri në 10 vjeç, të cilët përjetuan momente frike gjatë ngjarjes.
Policia bën me dije se vijojnë kërkimet për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.




