Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë - Konfront

Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë

Kabashi: Rritja e të hyrave s’mjafton si arsye që t’iu verifikohet pasuria ish-zyrtarëve

12 o. më parë / 13 tet 2026 21:02
Flamur Kabashi

Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se janë disa mangësi në projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas tij këto mangësi nuk janë adresuar në mënyrën siç është kërkuar.

Në emisionin “Konfront” në KTV, Kabashi ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar që të qartësohet periudha e verifikimit të pasurisë. 

Një problematikë tjetër sipas Kabashit është që t’i verifikohet pasuria edhe ish-zyrtarëve nëse vihet re që iu janë rritur të hyrat në masë të madhe. Sipas tij nuk mjafton si arsye.

“Vazhdimisht kemi kërkuar që të qartësohet periudha e verifikimit dhe qartësimit të saj. Është periudha pesë deri në dhjetë vjeçare dhe për këtë arsye në këtë drejtim është paraparë që mund të zgjerohet verifikimi i pasurisë edhe për personat jozyrtarë, kur shihet që në masë të madhe ka rritur të hyra. Kemi vlerësuar si IKD që nuk mjafton kjo dispozitë e tillë në mënyrë që të kemi zgjerim të verifikimit të pasurisë edhe për persona ish-zyrtarë. Në analizat tona nuk kemi thënë që nuk duhet të verifikohen personat ose të mos iniciohen procedurat për ish-zyrtarë, mirëpo kemi kërkuar që standardet që janë edhe ndërkombëtare të respektohen. Fjalia ‘në masë të madhe’ e rritjes së pasurisë prej kur më s’është zyrtar, nuk është arsye e mjaftueshme në të drejtën për t’ia verifikuar pasurinë një personi jozyrtar”, ka thënë Kabashi.

Kabashi ka thënë se kanë kërkuar gjithashtu edhe që zgjedhja e drejtorit të Byrosë, të bëhet me shumicën prej 61 vota të deputetëve

“Së fundmi tash edhe në këtë situatën në të cilën jemi ku ka kaluar në lexim të parë dhe që pritet të zhvillohet procedura për lexim të dytë, prapë kemi parë që janë disa mangësi që ky projektligj i ka e që nuk janë adresuar në çështjen e duhur dhe të kërkuar sipas vetë komisionit dhe Gjykatës Kushtetuese. Ne po flasim për një byro që në sistemin tonë nuk ka qenë më herët, po flasim për një institucion që ka mjaft kompetenca në kuptim të zbatimit të tyre në praktikë. Kemi kërkuar që të paktën zgjedhja e drejtorit të Byrosë të bëhet me shumicën e votave të deputetëve prej 61 votash, të mos e kemi zgjedhjen e drejtorit me shumicën e votave të deputetëve që marrin pjesë në votim, që mund të rezultojë me një pakicë të thjeshtë të votave. Për këtë arsye kemi kërkuar që të paktën ky standard të rritet deri në 61 vota të shumicës së deputetëve”, ka deklaruar Kabashi.

Ligji për Byronë e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme kaloi në prill, pasi versioni paraprak ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.

Projektligji për Byronë, Bugaqku: Ka ende fjali problematike që mund të nxisë kontestim

12 o. më parë / 13 tet 2026 20:48
bugaqku

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ende dilemë mbetet periudha retroaktive e zbatimit të tij. 

Sipas tij, në të ka ende material që mund të nxisë kontestim në Gjykatën Kushtetuese. 

“Në draftet e para janë dhënë disa dispozita ligjore që autoritetin e Byrosë e ka mbivendosë ndaj subjektit që iu ka nënshtruar verifikimit të pasurisë. Pra autoriteti ka pasur fuqi shumë më të madhe të pasurisë së pajustifikueshme sesa pala që dyshohej që e ka pasurinë dhe barra e provës i ka takuar vetë palës, jo atij që e ka nisur procedurën. Mendojmë se këtu, ligji te neni 2 e ka ende një fjali shumë problematike që mund të nxisë sërish kontestim në Kushtetuese, fakti që e kanë lënë mundësinë që dispozitat e këtij ligji, pra që procedura e verifikimit dhe hetimit të pasurisë së pajustifikueshme të mund të zhvillohet kurdo nga 17 shkurti 2008 e tutje”, ka thënë ai në  “Konfront”.

Bugaqku ka shtuar se në masë të madhe janë adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese dhe opinioni i Komisionit të Venecias, por sipas tij ka ende dilema në projektligj.  

“Ka një kundërthënie mes nenit 2 që flet për fushëveprimit e ligjit dhe periudhat kohore, mes dispozitave të këtij ligji që flaisn për mandatin dhe inicimin e procedurës. E kemi një afat që thotë kurdo nga viti 2008 dhe një kapitull tjetër që thotë se verifikimi i pasurisë nuk mund të shkojë më gjatë se 10 vjet nga momenti që zyrtarit i ka pushuar funksioni”, theksoi ai. 

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme më 5 tetor 2026. Projektligji mori 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

 

Salihi: Projektligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë ka të njëjtat problematika me atë që u rrëzua

12 o. më parë / 13 tet 2026 20:37
Liridon Salihi

Projektligji për Byronë për konfiskimin e pasurisë vazhdon të ketë të njëjtat problematika si projektligji i rrëzuar në vitin 2023, ka vlerësuar Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Salihi ka thënë se, pavarësisht se nisma për këtë ligj daton nga viti 2021 dhe projektligji aktual ka kaluar leximin e parë, mbeten çështje që duhet të adresohen para se ai të kalojë në leximin e dytë.

Sipas tij, GLPS-ja ka identifikuar tri dilema kryesore që kërkojnë zgjidhje: zbatimin retroaktiv të ligjit dhe përcaktimin se nga kur do të zbatohet e për cilët zyrtarë; mënyrën e zgjedhjes së drejtorit dhe anëtarëve të komisionit mbikëqyrës; si dhe sigurinë juridike të qytetarëve që mund të jenë subjekt i hetimit apo konfiskimit civil.

“Për të njëjtat arsye për të cilat është rrëzuar projektligji i vitit 2023, janë të njëjtat dispozita që e bëjnë të kontestueshëm sërish këtë projektligj, nëse kalon si i tillë. Janë të njëjtat dilema, të njëjtat problematika me projektligjin që është rrëzuar”, ka thënë Salihi në "Konfront" të KTV-së. 

Ai ka bërë të ditur se GLPS-ja i ka kërkuar Qeverisë që t’i marrë parasysh këto problematika dhe t’i adresojë ato gjatë procesit të mëtejmë të shqyrtimit të projektligjit.