Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

BE-ja e shqetësuar për pjesëmarrjen e Radoiçiqit në tubimin zgjedhor të partisë së Vuçiqit

Milan Radoiciq

Milan Radoiçiq në një tubim në Kragujevc, krah Danilo Vuçiqit, djalit të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq. Foto: N1

I akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Milan Radoiçiq, është parë ditë më në një tubim të partisë së Aleksandar Vuçiqit. Ai është i kërkuar nga drejtësia në Kosovë bashkë me 43 të tjerë për sulmin në Banjskë

Bashkimi Evropian, përmes zëdhënësit Kristijan Vigand, ka shprehur shqetësim për raportimet për pjesëmarrjen e Milan Radoiçiqit, përgjegjësit kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, në fushatën zgjedhore të partisë në pushtet në Serbi, dhe po ashtu edhe zhgënjim për mungesën e hapave nga ana e Serbisë për t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë.

Zëdhënësi i BE-së e ka thënë këtë duke reaguar në njoftimet nga mediat, që kanë botuar edhe pamje, se Milan Radoiçiq, personi i cili edhe vetë e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, ka marrë pjesë në një tubim zgjedhor të Partisë Progresive Serbe, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq. Për më tepër, Radoiçiq në këtë foto është parë pranë të birit të Aleksandar Vuçiqit, Danilos.

“BE në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje që përgjegjësit për sulmet në Banjskë të japin llogari, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin. Jemi të zhgënjyer se deri më tash Serbia nuk ka ndërmarrë hapa për të arrestuar dhe proceduar ata që janë në territorin e Serbisë me aktakuza përkatëse”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

“Ne po ashtu mbetemi të shqetësuar për raportet për pjesëmarrjen e kryesit të dyshuar në një tubim parazgjedhor të partisë në pushtet, SNS. Presim nga Serbia që të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të caktuara të asistencës së ndërsjellë. Kjo çështje është tepër gjatë në pritje dhe duhet të ndiqet në mënyrë të duhur nga Serbia”, ka shtuar ai.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja në vazhdimësi kanë bërë thirrje që Serbia të ndërmarrë masa ndaj përgjegjësve për sulmin në Banjskë. Por, nga ana tjetër, këto dy organizata nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim kundër refuzimit të qartë të Serbisë që ta bëjë këtë. Në disa raste, nga Serbia BE-së i është thënë se “ka komplikime ligjore për ndërmarrjen e masave, pasi e konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë”, e nganjëherë u është thënë se “Prokuroria në Serbi ka nisur hetimet”. Por, siç është parë edhe në fotot nga java e kaluar, Radoiçiq jo vetëm se është i lirë në Serbi, por edhe merr pjesë në aktivitete politike të partisë në pushtet.

Radoiçiq është njëri nga 44 të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovën për sulmin terrorist në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Edhe Kosova kërkon që ndërkombëtarët të mos e tolerojnë më Serbinë për Radoiçiqin Arbëri Kosova kërkon që ndërkombëtarët të mos e tolerojnë më Serbinë për Radoiçiqin

Radoiçiq pas sulmit pranoi se ai ishte organizatori i sulmit, pasi u zbulua nga dronët e Policisë.
Prokuroria pretendon se ai ishte vetëm udhëheqësi në terren, pasi sulmi u organizua nga shteti i Serbisë.

Pas sulmit u kap sasi e madhe e armëve dhe municionit. Po ashtu, dy terroristë serbë u dënuan me burgim të përjetshëm, derisa njëri me 25 vjet burgim. Tre të tjerë janë vrarë gjatë operacionit.