Protesta në Tiranë, 6 të lënduar vijojnë trajtimin në Spitalin e Traumës, njëri i nënshtrohet operacionit

Gjashtë persona të lënduar gjatë protestës së djeshme vijojnë të marrin kujdes shëndetësor në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë. Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, tre prej tyre janë kalimtarë, ndërsa tre të tjerët protestues.
Nga tre kalimtarët, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore, njëri po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa dy të tjerët vijojnë qëndrimin në spital.
Edhe tre protestuesit paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të vijojnë të qëndrojnë në spital, ndërsa për personin e tretë po kryhet vlerësimi mjekësor për të përcaktuar nëse ka nevojë për shtrim.
Ndërkohë, gjatë natës, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur një protestues me shenja intoksikimi. Pas marrjes së trajtimit në urgjencë dhe rekomandimeve mjekësore, ai është larguar nga spitali.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve, duke garantuar vijimin e kujdesit mjekësor sipas nevojave të secilit.
/vizionplus.tv




