Pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së djeshme të studentëve, reagimi është zhvendosur këtë të mërkurë edhe në ambientet e shkollës së mesme “Partizani”. Nxënësit kanë bojkotuar mësimin, duke refuzuar të futen në klasa dhe duke qëndruar në oborrin e shkollës në shenjë proteste.
Vendimi i gjimnazistëve vjen një ditë pas tubimit studentor, i cili zgjati më shumë se tetë orë dhe u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë incidenteve u raportua për ushtrim dhune ndaj disa prej të rinjve, ndërsa një protestues dyshohet se pësoi thyerje të këmbës.
Situata e krijuar gjatë protestës së djeshme ka vijuar të shkaktojë reagime, ndërsa bojkoti i mësimit nga nxënësit e “Partizanit” shënon një tjetër zhvillim në kuadër të kundërshtimeve të shfaqura pas përplasjeve.
Ndërkohë, studentët kanë njoftuar zhvillimin e një proteste tjetër ditën e sotme, më 14 tetor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Pritet të shihet se si do të vijojë tubimi dhe nëse do të ketë pjesëmarrje edhe nga qytetarë apo të rinj të tjerë, pas ngjarjeve të regjistruara një ditë më parë.