Fitore gjyqësore për CNN, MS NOW dhe Politico pas përplasjes me Trump, ruajnë aksesin në Shtëpinë e Bardhë

14 Tetor 2026 | 10:33

Një fitore, qoftë edhe e përkohshme, kanë arritur CNN, MS NOW dhe Politico në “betejën” që po zhvillojnë me Donald Trump, pasi një gjykatë federale vendosi se qeveria amerikane duhet të vazhdojë t’u lejojë atyre aksesin në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, për aq kohë sa mbetet në shqyrtim padia e ngritur nga tre organizatat mediatike.

Gjykatësi Timothy Kelly, i emëruar nga Trump, nxori më 24 shtator një urdhër të përkohshëm në favor të tre mediave, duke detyruar Shtëpinë e Bardhë të rikthente për 14 ditë akreditimet e gazetarëve të tyre. Javën e kaluar, Kelly e zgjati vlefshmërinë e urdhrit deri më 13 tetor.

Mbrojtja e re e përkohshme gjyqësore ruan aksesin e mediave deri në zgjidhjen e çështjes, një proces që mund të zgjasë me javë, muaj apo edhe vite.

“Për të paditurit, me përjashtim të presidentit Trump, si dhe për punonjësit, përfaqësuesit e tyre dhe të gjithë personat ose subjektet që veprojnë në bashkëpunim me ta, ndalohet zbatimi ose vënia në fuqi e vendimit të 18 shtatorit 2026 për revokimin e akreditimeve të përhershme për gazetarët e Shtëpisë së Bardhë, të cilat mbahen nga punonjësit e CNN, MS NOW dhe Politico”, thuhet në urdhrin gjyqësor të Kelly-t.

Megjithatë, vendimi nuk u garanton paditësve akses në ambiente me rëndësi të veçantë, si Zyra Ovale, apo në avionin presidencial Air Force One. Shtëpia e Bardhë vazhdon t’i përjashtojë gazetarët e CNN dhe Politico nga grupi i gazetarëve që udhëtojnë me Air Force One, pavarësisht urdhrit të përkohshëm që riktheu akreditimet e tyre.

Një çështje tjetër gjyqësore kundër Shtëpisë së Bardhë, e ngritur nga Associated Press dhe që është ende në shqyrtim, mund të ndihmojë në përcaktimin më të qartë të kufijve të autoritetit të presidentit për të përjashtuar gazetarët nga ambiente të tilla.

Të tre organizatat mediatike ngritën padi kundër Shtëpisë së Bardhë, duke argumentuar se ajo kishte shkelur të drejtat e tyre, të garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, duke i përjashtuar si hakmarrje për mënyrën se si kishin raportuar dhe duke i diskriminuar për shkak të pikëpamjeve të tyre. Ato pretenduan gjithashtu se ishin shkelur të drejtat e tyre sipas Amendamentit të Pestë, pasi ishin përjashtuar pa respektuar procedurat ligjore të parashikuara.

Urdhri i përkohshëm dhe mbrojtja gjyqësore që pasoi tregojnë se gjykatësi vlerëson se paditësit kanë argumente të forta lidhur me pretendimet e tyre sipas Amendamentit të Pestë. Procedurat e mëtejshme gjyqësore, përfshirë edhe një gjykim të mundshëm, do të përcaktojnë nëse Shtëpia e Bardhë i ka shkelur të drejtat e mediave sipas Amendamentit të Parë.

Juristët vlerësojnë se organizatat mediatike kanë argumente të forta në favor të tyre, për shkak të precedentit të krijuar në vitin 1977 nga çështja “Sherrill kundër Knight”. Në atë kohë, një gjykatë apeli e kishte shpallur antikushtetuese revokimin arbitrar të akreditimeve të gazetarëve nga Shtëpia e Bardhë, bazuar në raportimin apo pikëpamjet e një gazetari.

Juristët u referohen gjithashtu deklaratave të Trump, me të cilat ai është përpjekur të justifikojë përjashtimin e mediave, përfshirë edhe këtë deklaratë:

Grupi më i gjerë i gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, i përbërë nga media që mbulojnë me rotacion presidentin dhe e shoqërojnë atë gjatë udhëtimeve, ka shprehur solidaritet me organizatat mediatike të përjashtuara.

Shtëpia e Bardhë iu drejtua mediave të tjera, duke u kërkuar të zinin vendet e CNN dhe Politico në grupin e gazetarëve, por ato refuzuan.

Disa media kanë bërë gjithashtu të ditur se synojnë të vazhdojnë të mos publikojnë ose shpërndajnë fotografi të realizuara në kuadër të mbulimit zyrtar fotografik të Shtëpisë së Bardhë, “derisa një gjykatë të ketë mundësinë të shqyrtojë argumentet lidhur me pretendimet ligjore të ngritura nga këto organizata mediatike”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump shpërndan videon me inteligjencë artificiale, shfaqet i përqafuar me një tigër! Shkakton reagime

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka ndarë një video në llogarinë e tij Truth Social të martën vonë duke shkaktuar reagime. Trump ndau një video me...
10:36 | 14/10/2026

Dronët ukrainas godasin qendrën më të madhe të të dhënave në Rusi

Dronët ukrainas goditën qendrën më të madhe të të dhënave në Rusi, në pronësi të bankës dhe kompanisë teknologjike më të madhe të vendit, Sberbank,...
10:21 | 14/10/2026

Policia turke operacion në një media, ndërpritet transmetimi! 11 të arrestuar

Policia turke bastisi selinë e kanalit të lajmeve pro-opozitar Halk TV, duke ndërprerë transmetimet e tij të drejtpërdrejta dhe duke arrestuar 11 persona. Kanali i...
10:18 | 14/10/2026