“FLI JUGU” (DALLANIK ME SHTRESA) nga shefja e kuzhinës Albana Mançja

Shefja e kuzhinës Albana Mançja sjell recetën tradicionale të dallanikut me shtresa, një gatim plot shije që ruan traditën e kuzhinës shqiptare.
Me përbërës të thjeshtë dhe një mënyrë të veçantë përgatitjeje, kjo recetë është ideale për t’u shijuar e ngrohtë, e shoqëruar me djathë të bardhë dhe një gotë dhallë.
Përbërësit:
500 gr miell gruri OLA
500 ml kos
500 ml ujë
2 filxhanë kafeje vaj ulliri
100 gr djathë i thërrmuar
1 kokërr vezë
1 copë gjalpë i ngrirë
1 lugë çaji sodë
1 lugë kafeje kripë
1 lugë kafeje sheqer
Pak piper i zi
Përgatitja:
Në një enë hedhim vezën, kosin, ujin, kripën dhe sheqerin, duke i rrahur me telin e ëmbëlsirave. Fillojmë të shtojmë miellin, sodën, piperin e zi dhe lyrën, duke i përzier mirë të gjitha bashkë. Do të formohet një brumë më i hollë se ai i kekut.
Përdorim një tepsi të rrumbullakët me diametër 40 ose 42 cm. E lyejmë me gjalpë dhe hedhim aty 3 garuzhde nga brumi i përgatitur. E hapim mirë në të gjithë sipërfaqen e tepsisë dhe e vendosim për t’u pjekur në furrën e nxehur paraprakisht në 250 gradë për 5 minuta.
E nxjerrim nga furra, e lyejmë sipër me copën e gjalpit të ngrirë dhe hedhim përsëri 3 garuzhde brumë, duke e hapur me lugë në të gjithë sipërfaqen. E vendosim sërish në furrë për 5 minuta, por fikim rezistencën e poshtme, në mënyrë që të piqet vetëm shtresa e sipërme.
Vazhdojmë në të njëjtën mënyrë derisa të mbarojë i gjithë brumi. Në përfundim, e heqim nga furra dhe e lyejmë me gjalpë. E lëmë pak të vaket dhe e presim për ta shërbyer.
Konsumohet me djathë dhe një gotë dhallë.




