TIRANË- Protesta jashtë kontrollit. Kaos, zjarr dhe tym në rrugët e Tiranës. Qendra e kryeqytetit është përfshirë nga akte të dhunshme, me protestues të maskuar që prej orës 12:00 sulmojnë me gurë e molotovë institucionet shtetërore, bankat, bizneset dhe efektivët e Policisë. Aktet e dhunës kanë përshkallëzuar te dy prej institucioneve më të rëndësishme, Kuvendi dhe Kryeministria.

Protestuesit shkatërruan një prej dyerve të kuvendit. Edhe Kryeministria nën sulm me molotovë. Në shënjestër të protestuesve ka përfunduar edhe Piramida. Protestuesit kanë thyer xhamat e bizneseve. 

Aktet e dhunshme arritën kulmin kur në qendër të Tiranës, protestuesit iu vunë flakët stolave plastikë që i morën nga sheshi "Skëndërbej". Tymi gjigant përfshiu të gjithë qendrën e Tiranës, ndërsa nuk u pa asnjë zjarrfikëse. 

Digjen ambientet të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Ekonomisë.  

Një ambienti në katin e parë të Ministrisë së Arsimit iu vu flaka, ndërsa një shishe me molotov ra në ballkonin e katit të dytë të godinës. Përballë, dega e një banke të nivelit të dytë, ra pre e dhunës nga një tjetër grup personash të maskuar, që pasi thyen xhamat, i vunë dhe asaj zjarrin. Më në qendër, zyrat e një tjetër institucioni financiar, i grabitur mbrëmjen e djeshme, u përpinë nga flakët. Godina dy katëshe, ndodhet ngjitur me ambasadën e Vatikanit, dhe vetëm pak metra larg një pallati. Për më shumë se 15 minuta, zjarri vijoi pa ndërhyrjen e zjarrfikësve. Disa biznese ngjitur po ashtu u dëmtuan, me fasadat e xhamit të shkatërruara nga hedhja e gurëve.

Ndryshe nga një ditë më parë, uniformat blu kanë ndjekur një strategji më të tërhequr, duke shmangur përplasjet e drejtpërdrejta me protestuesit. Të gjendura nën një breshëri thuajse të pandërprerë gurësh, ato kanë përdorur vetëm makinat e ujit dhe gazin lotsjellës për t’u kundërpërgjigjur. Edhe personat e ndaluar, këtë herë janë shoqëruar pa përdorim të forcës.

Nga ana tjetër, skenari i protestuesve është i ngjashëm me atë të një ditë më patë. Aktet guerile i janë lënë një grupi protestuesish të maskuar.  Dhjetwra tw shoqwruar. 

Protesta ishte paralajmëruar për në orën 14:00, por studentët e Mjekësisë dhe të një universiteti privat nisën marshimin që në orët e para të mëngjesit, duke bojkotuar mësimin. Gjatë rrugës, me thirrjet “Bashkohuni me ne”, atyre iu bashkuan studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Politeknikut, Ekonomikut dhe Gjuhëve të Huaja.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:23
Protestuesit thyejnë derën e Kryesisë së Kuvendit, hidhen fishekzjarre, ndizen flakadanë e zjarr! Ndërhyn policia

1791994946_vMixCapture14October2026182052.jpg

Protestuesit kanë arritur të thyejnë derën e Kryesisë së Kuvendit. Ata shihen duke hedhur fishekzjarrë e ndezin flakadanë. Brenda godinës ka edhe zjarr.

Duke përdorur shkallë, ata po hipin në dritare duke shqyer grilat dhe thyejnë xhamat. Policia ka ndërhyrë për t'i shpërndarë.

Ora 18:08
Sulm bizneseve te ‘Piramida’, digjet banka e nivelit të dytë, shkatërrohet libraria! Shkrumbohet edhe motori i një qytetari (VIDEO)

Dëmtimet ndaj bizneseve te ‘Piramida’ nga protestuesit vijojnë. Ata i kanë vënë flakën një banke të nivelit të dytë, si dhe kanë shkatërruar një kafe-librari. Flakët e shkaktuara prej tyre kanë përfshirë edhe motorin e një qytetari.

Gjithashtu i kanë vënë zjarrin një peme.

Ora 18:04
Me tabelën rrugore të shkulur në duar, protestuesit shkatërrojnë derën anësore të Kuvendit

1791993778_vMixCapture14October2026180235.jpg

Sulmi i tyre ka kaluar tashmë edhe drejt Kryesisë së Kuvendit, së cilës i kanë thyer xhamat me gurë.

Me një tabelë rrugore të shkulur nga vendi, ata po përpiqen të shkatërrojnë derën anësore të Kryesisë së Kuvendit.

Ora 18:01
Përshkallëzon situata, sulm me molotovë Kryeministrisë

Përshkallëzon situata, sulm me molotovë Kryeministrisë

Ora 17:57
Studentët thyhejnë stendat reklamuese pranë Lanës, kangjella dhe kosha në mes të rrugës

Situata në kryeqytet është tensionuar gjatë protestës, ku janë regjistruar nga gazetarët e Report tv pamje të tjera nga incidentet në terren, ku shihen stenda reklamuese të thyera dhe dëmtime të hapësirës publike.

Gjithashtu janë dëmtuar dhe stenda reklamuese, të cilat kanë përfunduar në mes të rrugës.

Bllokimi i Unazës ka sjellë vështirësi për lëvizjen e automjeteve në këtë segment të kryeqytetit. 

Ora 17:44
Digjen koshat e plehrave në Unazë, protestuesit i nxjerrin në mes të rrugës dhe bllokojnë trafikun

Edhe Unaza është bllokuar si pasojë e protestës. Siç raportojnë gazetarët e Report TV në terren, pranë Lanës janë djegur kartona dhe një kosh plehrash. 

Dy prej tyre janë vendosur në mes të rrugës për të bllokuar qarkullimin 

 

Ora 17:37
Vijojnë sulmet e protestuesve, shkatërrojnë makinën te Piramida (VIDEO)

Një makinë e ndodhur te Piramida është shkatërruar nga protestuesit. Një grup protestuesish të maskuar përpiqen ta ngrenë, e tundin vazhdimisht dhe e godasin me shkopinj e gurë.

Ora 17:33
Protestuesit e maskuar sulm medias, shkelmojnë dhe thyejnë kamerën e Report Tv

Një grup protestuesish të maskuar kanë sulmuar kamerën e Report Tv duke pamundësuar përcjelljen e një pamjeje të qartë nga njëri prej këndeve të protestës. 

Operatori i Report Tv vijoi të bëjë punën duke filmuar incidentet në protestë si thyerja e bizneseve dhe zjarret ndaj luleve, ata e sulmuan duke shkelmuar kameran dhe e rrëzuan në tokë.

Pretendimi i tyre është se nuk dëshironin të filmoheshin pasi identifikoheshin, ndonëse gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj, u tha disa herë që në raste të tilla mjafton të mos qëndrojnë në hapësirën ku kamera filmon. Kamera e lëvizshme e Report Tv tashmë është jashtë përdorimit.

Ora 17:33
Kaos te Piramida, protestuesit shkatërrojnë biznesin dhe bankën e nivelit të dytë, u vënë zjarrin edhe luleve! Të maskuarit hipin në majë të godinës

 

Një tjetër bankë e nivelit të dytë është sulmuar nga protestuesit. Banka ndodhet te Piramida që po sulmohet vazhdimisht. Edhe biznesit të një operatori telefonik i janë thyer xhamat.

Protestuesit shihen me flakadanë të kuq në duar dhe hedhin gurë drejt kubave të Piramidës ku ndodhen bizneset.

Ata u kanë vënë flakën edhe luleve. Një grup protestuesish të maskuar kanë hipur edhe në majë të Piramidës.

Ora 17:24
Sulmohet piramida, protestuesit thyejnë xhamat dhe shkatërrojnë bizneset në brendësi

 

 

Sulmohet piramida, protestuesit thyejnë xhamat dhe shkatërrojnë bizneset në brendësi 

Ora 17:20
Protestuesit zhvendosen te Kryeministria, policia u hedh ujë dhe gaz lotsjellës

1791990964_gazkryeministria.jpg

Protestuesit zhvendosen te Kryeministria, policia u hedh ujë dhe gaz lotsjellës

Ora 17:16
Protesta/ Pirg mobiliesh para Ministrisë së Financave, vazot e luleve të shpërndara në rrugë

 

Një pirg objektesh që u bastisën nga protestuesit në momentin që hynë brenda Ministrisë së Financave, ndodhet tashmë para godinës.

Në këtë pjesë të rrugës janë përmbysur edhe vazot e mermerta të luleve.

Ora 17:13
Protesta/ Masa të shtuara sigurie te parlamenti, forca policie e autoboti në gatishmëri

 

Dy kordonë sigurie me policë janë vendosur pas kangjellave të hyrjes së parlamentit që mendohet të jetë institucioni tjetër që do të sulmohet nga protestuesit.

Një rresht policësh është vendosur menjëherë pas kangjellave dhe një grup tjetër disa metra më pas. Brenda ndodhet edhe një autobot me ujë.

Ora 17:04
Sulmi e flakët te Ministria e Ekonomisë, policia nis me shoqërimet e protestuesve

 

Sulmi e flakët te Ministria e Ekonomisë, policia nis me shoqërimet e protestuesve

Ora 17:01
Protestuesit sulm Ministrisë së Financave, përleshen me gurë me policinë! Hidhet gaz lotsjellës

1791990443_policia.png

Ministria e Financave është kthyer në ndalesën e radhës për protestuesit që kanë mësyrë brenda saj. Ata po hedhin gurë, fishekzjarrë e kapsollë drejt godinës si dhe drejt policisë.

Efektivët kanë reaguar, por protestuesit po i gjuajnë me gurë. Nga autoritetet po përdoret gaz lotsjellës.

Ora 17:00
Protestuesit shpërthejnë derën e Ministrisë së Financave, nxjerrin jashtë orenditë! Thyejnë kamerat e xhamat, flakë në godinë

 

Protestuesit po shpërthejnë derën kryesore te Ministria e Financave dhe po hedhin gurë e fishekzjarrë. Gjithashtu shihen duke shkatërruar kamerat e sigurisë dhe kanë thyer xhamat e dritareve. Protestuesit po nxjerrin edhe disa mobilie.

Ka tentativa edhe për të shkatërruar një tjetër hyrje të ministrisë, ndërsa shihen edhe flakë.

Ora 16:55
Protestuesit sulmojnë me gurë Ministrinë e Ekonomisë, hedhin fishekzjarre drejt efektivëve! Policia kundërpërgjigjet me gaz lotsjellës

Një grup protestuesish ndodhen në hyrje të Ministrisë së Ekonomisë duke hedhur vazhdimisht gurë. Drejt efektivëve po hidhen edhe fishekzjarre, kurse policia po reagon me hedhjen e gazit lotsjellës.

Te Ministria e Brendshme ka me dhjetëra forca policie që kanë krijuar një kordon sigurie.

Gjatë rrugës, protestuesit po djegin edhe tabela reklamash.

Ora 16:49
Protestuesit shkojnë nga Ministria e Arsimit drejt Kuvendit, shkulin kangjellat metalike dhe shkatërrojnë gjithçka u del para: Vetëm dhunë!

 

Një grup protestuesish të maskuar janë shpërndarë edhe në rrugën midis Ministrisë së Ekonomisë dhe “Parkut Rinia” ku po shkulin kangjellat në anë të rrugës. Ata po shkatërrojnë edhe semaforë dhe kanë thyer tabela reklamash.

Protestuesit kanë zgjedhur këtë rrugë të kryeqytetit për t’iu drejtuar parlamentit që është ndalesa e tyre e radhës.

“Vetëm dhunë”, është një prej thirrjeve të tyre.

Ora 16:39
Protesta e dhunshme në Tiranë, 8 të lënduar, mes tyre 2 policë! 5 ende në spital

1791983925_vMixCapture14October2026151750.jpg

Tetë persona kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e protestës së dhunshme para Ministrisë së Arsimit, mes tyre 6 protestues dhe 2 efektivë policie.

Sipas përditësimit të orës 16:30, në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës po marrin trajtim 3 protestues dhe 2 policë. Të pestë janë të vetëdijshëm dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, 3 protestues të tjerë kanë marrë mjekimin e nevojshëm në QSUT dhe janë larguar nga spitali.

Ora 16:38
Sulm i ri te Ministria e Arsimit, digjen zyra në katin e parë (VIDEO)

 

 

Protestuesit i kanë rivënë zjarrin zyrave në katin e parë të Ministrisë së Arsimit, ku po digjen disa dokumente.

Ndërkohë protestuesit po vijojnë me hedhjen e gurëve duke thyer xhamat.

Ora 16:33
Protestuesi i maskuar hipën mbi koshat që digjen, valëvit flamurin e UÇK-së

1791988503_proteste.jpg

Një prej protestuesve të maskuar ka hipur në një prej koshave të mbeturinave që po digjen në vatrën e shkaktuar prej tyre në qendër të Tiranës dhe valëvit flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit e tjerë rreth tij bëjnë thirrje “UÇK, UÇK!” dhe "rroftë Shqipëria e madhe!"

Ora 16:27
Përleshja me gurë me protestuesit, policia hedh ujë blu (VIDEO)

 

Në “Rrugën e Durrësit” ku ndodh përleshja mes policisë e protestuesve që qëllojnë me gurë, efektivët po kundërpërgjigjen me hedhjen e ujit blu.

Uji blu përmban një kimikat që i jep këtë ngjyrë. Ai lë gjurmë dhe e bën më të lehtë për të identifikuar protestuesit më vonë. Në disa raste përzihet edhe me lëndë që mund të shkaktojnë irritim si solucionet me piper.

Ora 16:20
Protesta/ Zjarri djeg pemët në hyrje të sheshit ‘Skënderbej’, protestuesit 'e ushqejnë' me kosha e stola plastikë (VIDEO)

Zjarri i vendosur në kryqëzimin e “Rrugës së Durrësit” me sheshin “Skënderbej” ka marrë përmasa masive. Tymi i zi ka mbuluar qendrën e Tiranës.

Flakët po përhapen drejt pemëve që ndodhen në zonë duke krijuar rrezik gjithnjë e më të madh, ndërsa zjarrfikësja nuk duket ende. Protestuesit vijojnë të hedhin në zjarr materiale të djegshme si stolat plastikëdhe koshat.

Ora 15:54
Protestuesit shkatërrojnë semaforët, i djegin bashkë me stolat plastikë

1791986641_vMixCapture14October2026160311.jpg

Protestuesit me maska kanë shkatërruar dhe u kanë vënë flakën semaforëve që ndodhen në rrugën që të dërgon drejt sheshit ‘Skënderbej.’

Ata kanë krijuar edhe një lloj bllokade me stolat plastikë, mes të cilëve shihen semaforët në flakë.

Ora 15:51
Protesta e dhunshme, Policia apel për herë të dytë: Distancohuni nga të maskuarit! Për dhunën dhe djegien e pronës rrezikoni deri në 7 vite burg

 

Policia e Shtetit i bën thirrje për herë të dytë protestuesve që të distancohen nga aktet e dhunës. Reagimi vjen pasi protestuesit të maskuar dogjën dy institucione financiare dhe katin e parë të një zyre te Ministria e Arsimit. Policia thotë se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr.

“Nisur nga përshkallëzimi i dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi me zjarr i pronës publike dhe private, Policia e Shtetit iu bën thirrje të përsëritura dhe të forta të gjithë pjesëmarrësve në tubim, të ruajnë vetëpërmbajtjen dhe qetësinë, si dhe të distancohen menjëherë dhe në mënyrë të qartë, nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.

Policia e Shtetit kërkon që çdo pjesëmarrës të mos bëhet pjesë, të mos mbështesë dhe të mos lejojë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte të dhunshme dhe shkatërruese. Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprën e kryer.

Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.

Veprimet e dhunshme dhe shkatërrimi i pronës me zjarr rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private.

Distancohuni menjëherë nga dhuna, largohuni nga personat që kryejnë akte të dhunshme dhe mos u përfshini në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve! Ruajtja e qetësisë dhe e sigurisë është përgjegjësi e gjithsecilit.

E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj. Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, reagon policia.

Ora 15:49
Zjarri te ‘Iute Credit’, banorët dalin të shqetësuar nga banesat! Zjarrfikësja mbërrin pas 15 minutash (VIDEO)

 

Zjarri në filialin e ‘Iute Credit’ ka shqetësuar banorët e zonës. Një burrë shihet që del në ballkon dhe u thotë diçka protestuesve. Banorët e pallatit ngjitur kanë dalë nga banesat dhe ndodhen jashtë, të shqetësuar.

Zjarrfikësja sapo ka mbërritur, ndërkohë që flakët kanë të paktën 15 minuta që vijojnë.

Ora 15:44
‘Iute Credit’ në flakë, protestuesit festojnë! Brohorasin dhe bëjnë foto para biznesit të mikrokredive

Djegia e filialit të ‘Iute Credit’ në hyrje të “Rrugës së Durrësit” po festohet nga protestuesit.

Ndërsa biznesi i mikrokredive pas shpinës së tyre shkrumbohet, disa protestues pozojnë duke qeshur dhe shkrepin foto e regjistrojnë video. Një prej tyre madje është mbuluar me flamurin kombëtar, hap duart dhe ngre gishtat e mesit.

Ata brohorasin, duartrokasin dhe thërrasin në kor “Rama, jepe dorëheqjen.”

Veç filialit të institucionit financiar, shihen edhe xhama të thyer në katin e dytë të bizneseve ngjitur.

Ora 15:25
E shkatërruan një ditë më parë, protestuesit sot i vënë zjarrin ‘Iute Credit’

Filiali i institucionit financiar ‘Iute Credit’ që ndodhet në hyrje të “Rrugës së Durrësit” është shënjestruar sërish nga protestuesit.

Sot biznesit të mikrokredive i është vendosur flaka. Ditën e djeshme, protestuesit e shkatërruan dhe i morën mobiliet për t’i djegur në rrugë. Një prej tyre shkatërroi edhe bankomatin, madje edhe po gërmonte në të.

 

Ora 15:22
Protestuesit hedhin fishekzjarrë drejt autobotit

1791984143_protestatkunderqeverise.jpg

Protestuesit kanë nisur të hedhin një mori fishekzjarresh drejt autobotit të ujit.

Ora 15:15
‘Fronte’ lufte para Ministrisë së Arsimit, protestuesit vendosen pas bllokadës dhe gjuajnë me gurë efektivët (VIDEO)

 

“Rruga e Durrësit” është kthyer në një ‘arenë’ lufte mes protestuesve dhe policisë. Protestuesit janë pozicionuar nga ana e Minstrisë së Arsimit, ku kanë vendosur edhe një bllokadë me stola, kangjella e kosha plehrash.

Nga aty, ata po flakin gurë e sende të panumërta drejt policisë. Një pjesë e mirë e protestuesve janë të maskuar dhe me kapuçë.

Policia ndodhet disa metra më larg ministrisë. Në afërsi të bllokadës së protestuesve ndodhet një autobot që hedh herë pas here ujë me presion.

Ora 15:14
Mes tensioneve te Ministria e Arsimit, drejtori i Policisë Skënder Hita shfaqet pranë efektivëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zbritur në terren gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, e cila po vijon mes tensioneve.

Hita është parë pranë efektivëve të policisë në zonën përreth ministrisë, ndërsa vijon aksioni i forcave të rendit për zmbrapsjen e protestuesve.

Ora 15:06
Protestuesit ‘shkundin’ shtyllën elektrike, shkulen kamerat e sigurisë (VIDEO)

 

Një nga shtyllat elektrike në rrugën që të çon drejt hyrjes së sheshit “Skënderbej” është shënjestruar nga protestuesit.

Ata po e lëkundin fort me qëllimin për të shkatërruar kamerat në të, të cilat shihen tashmë të shkulura.

Ora 15:00
‘Armë’ e re në protestë, i riu me maskë gjuan me llastik

1791982866_protestatkunderqeverise.jpg

Një ‘armë’ e re po përdoret nga protestuesit te Ministria e Arsimit. Një prej tyre, i maskuar me kapuç e maskë, nuk është mjaftuar vetëm me hedhjen e gurëve, por po përdor llastik për t’i gjuajtur.

Pamjet tregojnë si ai zgjedh një gur, më pas merr pozicion, shënjon e më pas qëllon.

Ora 14:48
Protesta e dhunshme para Ministrisë së Arsimit, policia shoqëron edhe 2 protestues të tjerë

 

Policia ka shoqëruar edhe dy protestues të shoqëruar, pas agravimit të protestës.

Protestuesit i vunë flakën një banke të nivelit të dytë. Një zyrë të Ministrisë gjithashtu iu vendos flaka.

Ora 14:47
Protestuesit formojnë bllokadë me stola, kangjella e kosha, policia hedh ujë

 

Protestuesit po marrin stolat për t’i vendosur pranë kordonit të sigurisë së policisë, për të formuar një bllokadë.

Ata po përdorin edhe kangjellat apo koshat e mbeturinave, ndërsa në ajër vijojnë të fluturojnë gurë. Policia po kundërpërgjigjet me hedhjen e ujit.

Ora 14:42
Protesta te Ministria e Arsimit, protestuesit i vënë zjarrin një banke, dëmtohet edhe një biznes tjetër (VIDEO)

 

Trazirat e shkaktuara nga protestuesit përpara Ministrisë së Arsimit kanë përfshirë edhe një bankë të nivelit të dytë, së cilës ata i kanë vënë zjarrin.

Xhamat e bankës janë të thyer, por është dëmtuar edhe një biznes ngjitur. Ndërkohë policia ka ndërhyrë me fikëse zjarri.

Kujtojmë që në protestën e një dite më parë, ata dogjën edhe filialin e një institucioni financiar në hyrje të “Rrugës së Durrësit.”

Ora 14:37
Protestuesit molotovë në drejtim të Ministrisë së Arsimit, merr flakë një zyrë në katin e parë të godinës

Protestuesit molotovë në drejtim të Ministrisë së Arsimit, merr flakë një zyrë në katin e parë të godinës.

Ora 14:22
Protesta e dhunshme para Ministrisë së Arsimit, 9 të shoqëruar

 

Nëntë të shoqëruar janë deri tani në polici pas sulmeve me gurë te Ministria e Arsimit.

Protestues të maskuar kanë shkulur ndriçuesit e rrugëve, hoqën pllakat e trotuareve.

Po ashtu ata kanë djegur edhe tabelë reklamash dhe kosha plehrash.

Ora 14:14
VIDEO/ Momenti kur protestuesit e maskuar sulmojnë me shqelma bankën në Rrugën e Durrësit, i thyejnë xhamat

Prej orës 12:00 po vijojnë përleshjet mes protestuesve dhe forcave të policisë. Aktet e dhunës u shtrinë sërish edhe te bizneset private. Një bankë e nivelit të dytë është sulmuar nga protestuesit, duke thyer edhe xhamat.

Ora 13:59
Protesta e dhunshme, policia hedh gaz lotsjellës! Protestuesit shkulin ndriçuesit e rrugëve

1791978991_gazlotsjelles.jpg

Protesta para Ministrisë së Arsimit ka agravuar.

Protestuesit e maskuar kanë shkulur ndriçuesit e rrugëve.

Ndërkohë policia ka hedhur  gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Ora 13:55
‘Deputetë të krimit’, protestuesit rrethojnë Palokën: Rama në burg, Berisha në burg! E përzënë duke i hedhur ujë e shishe: Ik, Ik (VIDEO)

Protestuesit janë përplasur me demokratët. Në pamje shihet se si ata kanë rrethuar deputetin e PD, Edi Paloka, ndërsa aty është edhe Arjana Kalaja. Ata kundërshtojnë praninë e demokratëve, duke i thënë të largohen nga protestat.

Protestuesit thirrje “Rama në burg, Berisha në Burg”, “deputetët e krimit”.

Edi Paloka: Kam një jetë që protestoj.

Protestuesja: Nuk je për popullin, je për opozitën.

Protestuesit hiodhën dhe ujë dhe shishe në drejtim të deputetit.

Ora 13:41
Protesta e dhunshme, policia shoqëron disa persona! Revoltohen protestuesit e tjerë: Mos i prekni studentët (VIDEO)

 

Policia ka shoqëruar disa protesues.

Protestues të tjerë janë shprehur rë revoltuar, ndërsa blutë i kanë futur në makinë.

“Mos i prekni çunat. Mos i prekni studentët ore. Pse nuk dilni pa uniformë”, dëgjohen të thonë ata.

Ora 13:35
Protestuesit me ‘furnizime’ në protestë, turmës i shpërndahen maska dhe dorashka (VIDEO)

Maska dhe dorashka po shpërndahen mes protestuesve. Ky është momenti kur një grup protestuesish me qese të kuqe ndajnë maska dhe doreza të grupi i qytetarëve.

Ora 13:33
Protesta e dhunshme në Tiranë, protestuesi merr dëmtime te pjesa ballit! Spahia e ndihmon (VIDEO)

Një protestues ka mbetur i dëmtuar te pjesa e ballit.

Pas incidentit, protestuesi është ndihmuar nga deputeti i PD, Bardh Spahia.

Ora 13:26
Tensione në protestë, thirrje edhe kundër opozitës! Protestuesi: PD, PD, këlysha komunistësh!

1791976797_momentiqeshajne.jpg

Moment tensioni në protestë. Protestuesit lëshuan thirrje kundër PD.

“PD, PD, këlysha komunistësh”, tha protestuesi.

Ora 13:17
Protestuesit e maskuar, bllokadë rrugës me kangjella e kosha plehrash (VIDEO)

 

Protestuesit e maskuar kanë bllokuar rrugën me kangjella e kosha plehrash.

Ora 13:11
Protestuesit e maskuar hedhin fishekzjarre drejt policisë dhe Ministrisë! Efektivët hedhin ujë 'blu' (VIDEO)

 

Protestuesit e maskuar hedhin fishekzjarre drejt policisë dhe Ministrisë! Godasin edhe autobotin

Protestursit e maskuar kanë hedhur fishekzjarre drejt policisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Po ashtu ata kanë goditur me gurë edhe autobotin e ujit.

Uniformat blu kanë hedhur ujë 'blu' për shpërndarjen e tyre.

Ora 12:59
Report Tv sjell pamjet/ Momenti kur protestuesit sulmojnë me gurë efektivët e Policisë (VIDEO)

Report Tv sjell pamjet nga protesta e dhunshme para Ministrisë së Arsimit, ku shihen gurë që fluturojnë në drejtim të efektivëve të Policisë.

Ora 12:59
Protesta e dhunshme, hidhet molotov drejt Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Protestuesit janë rikthyer sërish pas shpërndarjes me ujë.

Ata kanë hedhur molotov drejt Ministrisë së Arsimit.

Ora 12:53
‘Ik e thuaj mamit dhe babit’, momenti kur e reja shoqërohet nga policia: Po protestoj paqësisht (VIDEO)

Një e re është shoqëruar nga efektivët e Policisë gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, ndërsa dëgjohet të kundërshtojë shoqërimin duke thënë: “Po protestoj paqësisht”.

Në një moment tjetër, ajo u thotë protestuesve që të njoftojnë prindërit e saj.

"Ik e thuaj mamit dhe babit", dëgjohet të thotë e reja. 

Ora 12:51
Protestuesit sulme edhe ndaj efektivëve, policia hedh ujë dhe gazlotsjellës për të shpërndarë turmën  (VIDEO)

 

Policia ka ndërhyrë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve që po sulmonin Ministrinë e Arsimit me gurë e molotovë, por edhe vetë efektivët.

Pas ndërhyrjes, protestuesit janë shpërndarë nëpër rrugët përreth godinës

Ora 12:46
Protesta te Ministria e Arsimit/ Policia e Shtetit: Ndalni aktet e dhunës, distancohuni nga të maskuarit! Dhuna ndaj efektivëve e dënueshme me ligj

1791973870_nderhynpolicia.jpg

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje protestuesve të ndërpresin menjëherë aktet e dhunës para Ministrisë së Arsimit dhe të distancohen nga personat e maskuar.

APEL I POLICISË SË SHTETIT

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private.

E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj. Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve.

Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit. Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet.

Ora 12:28
Protesta e dhunshme, protestuesit sulmojnë me gurë edhe gazetarë

Protestuesit kanë vijuar me aktet e dhunës edhe ndaj mediave. Gazetarët që po raportojnë për protestën janë sulmuar me gurë.

Ora 12:27
Protesta në Tiranë, policia ndërhyn me autobot për shuarjen e zjarreve (VIDEO)

 

Protesta në Tiranë ka agravuar. Policia ka ndërhyrë autobot për shuarjen e zjarreve  

Ora 12:24
Agravon protesta, protestuesit e maskuar i vënë flakën tabelës së reklamave (VIDEO)

 

Protestuesit e maskuar i vënë flakën tabelës së reklamave te rruga e Durrësit. 

Ora 12:24
Protestuesit vënë koshat e plehrave në mes të rrugës, i vënë flakën (VIDEO)

 

Protestuesit vënë koshat e plehrave në mes të rrugës, i vënë flakën

Ora 12:14
Protestuesit ‘barrikadë’ autobotit të ujit, vendosin kangjella në mes të rrugës (VIDEO)

Protestuesit kanë vendosur kangjella metalike në mes të rrugës, duke krijuar një barrikadë për të penguar kalimin e autobotit të Policisë që hedh ujë.

Ora 12:13
Protesta te Ministria e Arsimit, i riu i maskuar ngjitet mbi shtyllë (VIDEO)

 

Protesta para Ministrisë së Arsimit ka agravuar.

Teksa kanë vijuar me hedhjen e gurëve, një i ri i maskuar është ngjitur në shtyllë.

Ora 12:11
Të rinj me maska tentojnë hipin mbi muret e Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Të rinj me fytyra të mbuluara tentojnë të ngjiten mbi muret rrethuese të Ministrisë së Arsimit, ndërsa vijojnë tensionet gjatë protestës.

Ora 11:57
Protestuesit shqyejnë derën e Ministrisë së Arsimit

 

Një grup protestuesish të maskuar kanë arritur të hapin derën e Ministrisë Arsimit duke e sulmuar me kangjella.

Ora 11:52
Protestuesit e maskuar godasin me gurë Ministrinë e Arsimit, shkulin edhe pllakat e trotuarit të sapo vendosura (VIDEO)

 

Ka agravuar protesta para Ministrisë së Arsimit.

Protestuesit e maskuar kanë qëlluar me gurë drejt institucionit

Po ashtu ata kanë hequr edhe pllakat e trotuarit që ishin vendosur sot në mëngjes.

Edhe një ditë më parë ata hoqën me forcë pllakat e trotuarit.

Ora 11:49
VIDEO/ Momenti kur protestuesit e maskuar shkulin kangjellat dhe i mbledhin para godinës së Ministrisë së Arsimit

Tensionet janë rikthyer para Ministrisë së Arsimit, ku të rinj me fytyra të mbuluara kanë shkulur kangjellat e trotuareve, i kanë grumbulluar përpara godinës dhe kanë nisur të sulmojnë me gurë.

Ora 11:49
Protesta në Tiranë, studentja-efektivëve: Balluku ka 300 shtëpi, ju asnjë! Duam kushte më të mira

1791969566_protestuesinterviste.JPG

Dhuna e ushtruar ndaj protestuesve një ditë më parë, duket se është një ndër arsyet që kanë shtyrë studentët e disa fakulteteve në Tiranë që të bojkotojnë mësimin dhe të protestojnë para ministrisë së Arsimit.

 "Balluku ka 300 shtëpi, ju asnjë", tha një studente drejtuar efektivëve.

 Për Report Tv ata shprehen se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama si dhe përmirërësimin e kushteve në fakultete e konvikte.

“Kërkojmë drejtësi për protestuesit djeshëm. Duam kushte më të mira, nuk kemi laboratore për të kryer mësimin. Jemi shumë në disavantazh me studentët europianë.  Në orrën 14:00 do të shkojmë te Ministria e Arsimit siç është thënë”, tha një studente e Mjekësisë

“Fillimisht kemi dalë si qytetarë. Jam studente në Fakultetin e Mjeksisë”, tha studentja.

"Kërkesat janë ato që kemi thënë në 135 ditë. duam dorëheqjen e Ramës”, tha një student i Mjekësisë.

Ora 11:24
Edhe studentë të Ekonomikut në bojkot, nisin marshimin drejt Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Edhe një pjesë e studentëve të Fakultetit Ekonomik kanë bojkotuar mësimin dhe po marshojnë në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Ora 11:22
S’ka bojkot në Vlorë, por studentët mbështesin protestën: Duam kushte më të mira (VIDEO)

 

Studentët e Ekonomikut dhe të Shkencave Humane, në Universitetin e Vlorës nuk e kanë bojkotuar mësimin. Megjithatë, ata shprehen se e mbështesin protestën e bashkëmoshatarëve  të tyre në kryeqytet.

Sipas tyre, protesta është një mënyrë për të kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete, por theksojnë se duhet të ketë një kauzë të qartë dhe konkrete. Kërkesat duhet të përqendrohen te cilësia e mësimdhënies, përmirësimi i kushteve në auditore dhe ulja e tarifave.

"Ne e mbështesim protestën. Duam kushte më të mira", shprehen studentët.

Ora 11:07
Studentët e Mjekësisë shkojnë te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, u kërkojnë të rinjve të bojkotojnë mësimin: Bashkohuni me ne (VIDEO)

 

Studentët e Mjekësisë janë zhvendosur te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku u kanë bërë thirrje studentëve të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës së tyre.

"Kërkojmë drjetësi për protestuesit e djeshëm. Kërkojmë kushte më të mira. ne duam të rrimë këtu, s'duam të largohemi. Por duam kushte më të mira. Kushtet janë të vështira, skemi laboratorë", tha një studente e Mjekësisë për Report Tv. 

Ora 11:01
Nxënës të gjimnazit 'Partizani' bojkotojnë mësimin, dogjën koshat dhe bllokuan rrugën (VIDEO)

 

Nxënës të gjimnazit Partizani kanë bojkotuar mësimin. Ata kanë djegur koshat në mes të rrugës duke bllokuar përkohësisht qarkullimin.

Ora 10:59
Bojkot edhe në Elbasan, studentët lënë mësimin në fakultetin e ekonomisë te ‘Aleksandër Xhuvani’ (VIDEO)

 

Studentët e fakultetit ekonomik të universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan kanë bojkotuar mësimin më shenjë proteste.

Siç shihet edhe nga pamjet auditoret janë boshatisur.