Partia Socialiste ia ka atribuar Sali Berishës përgjegjësinë politike për aktet e dhunës gjatë protestës së sotme ku iu vu flaka një banke të nivelit të dytë, një institucioni financiar dhe një zyre në  Ministrinë e Arsimit.

Gjatë gjithë ditës, Taulant Balla publikoi një sërë videosh, fotosh dhe mesazhesh, për të cilat thotë se konfirmojnë se pas sulmeve të paprecedenta ndaj institucioneve, bizneseve dhe Policisë qëndrojnë eksponentë, aktivistë, deputetë dhe militantë të Partisë Demokratike. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, bënë thirrje për qetësi, dialog dhe respektim të ligjit.

Reagimi i parë i Ballës erdhi me publikimin e një videoje të Sali Berishës, ku kreu i PD-së u bën thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të partisë t'i bashkohen protestës. Krahas saj, Balla shkroi: “Që të mos keni asnjë dyshim se kush qëndron pas dhunës”.

Më pas, kreu i grupit socialist publikoi disa mesazhe, për të cilat thotë se janë shpërndarë në grupet e komunikimit të sipërmarrjeve private. Në to funksionari i PD-së, Aurel Bylykbashi, bën thirrje për ndërprerjen e punës në fabrika dhe pjesëmarrje në protestë.

“Kudo është Saliu. Shikojeni edhe tek grupet e komunikimit të sipërmarrjeve private, funksionari i partisë së Saliut, Aurel Bylykbashi bën thirrje për ndërprerje të punës në fabrika”, shkroi Balla.

Në një tjetër reagim, ai pretendoi se sulmi ndaj një dege të një banke të nivelit të dytë nuk ishte spontan, por ishte planifikuar më herët.

“E gjitha është skenar i parapërgatitur dhune! Ndiqeni këtë video ku po sulmohet dega e Bankës R. Ndiqeni deri në fund si ky sulm u përgatit 3 orë më parë në grupet e komunikimit online”, shkroi ai.

Më vonë, Balla publikoi edhe një tjetër video, për të cilën pretendon se tregon momentin para zjarrit në Ministrinë e Arsimit. Sipas tij, në pamje shihet deputeti i PD-së, Klevis Balliu, duke komunikuar me protestues të maskuar.

“Kush ia vuri zjarrin Ministrisë së Arsimit? Zjarri mban emrin Sali Berisha. Me studentët Qeveria është gjithmonë derëhapur të ulet dhe të flasë. Dhunën po e bëjnë jo-studentët! Por ngelësit për pushtet”, shkroi Balla.

Për aktet e dhunës reagoi edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Ai theksoi se e drejta për të protestuar është themelore, por nuk mund të ushtrohet në dëm të jetës, sigurisë dhe të drejtave të të tjerëve.

“Dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje. Aq më pak thirrjet për dhunë e kaos, sulmet ndaj institucioneve dhe bizneseve. E drejta për të protestuar është themelore dhe duhet respektuar. Por ajo shoqërohet me përgjegjësinë për të respektuar jetën, sigurinë dhe të drejtat e të tjerëve. Dhuna nuk i shërben asnjë qytetari. Qetësia, përgjegjësia dhe respekti për ligjin janë në interes të të gjithëve”, u shpreh Gogu.

Thirrje për qetësi bëri edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili theksoi se protesta është një e drejtë kushtetuese, por duhet të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit.

“Çdo akt dhune apo vandalizmi është i papranueshëm dhe nuk i shërben as dialogut, as interesit publik. Në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian, përgjegjësia, dialogu dhe respekti për ligjin janë vlera që duhet të na udhëheqin në çdo rrethanë”, deklaroi Peleshi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:20
Kush ia vuri zjarrin Ministrisë së Arsimit? Balla publikon pamjet: Zjarri mban emrin Sali Berisha

 

Taulant Balla ka publikuar një video nga protesta para Ministrisë së Arsimit, duke akuzuar drejtpërdrejtë Sali Berishën për aktet e dhunës në kryeqytet dhe specifikisht Klevis Balliun për zjarrin që kaploi zyrën në Ministrinë e Arsimit. Në video shihet Balliu me një grup militantësh demokratë që u japin direktiva protestuesve. 

Në postimin e tij, Balla shprehet se qeveria është e gatshme të dialogojë me studentët, por jo me ata që ai i quan 'ngelësit për pushtet'

Kush ia vuri zjarrin Ministrisë së Arsimit? Zjarri mban emrin Sali Berisha. Me studentët Qeveria është gjithmonë derëhapur të ulet dhe të flasë. Dhunën po e bëjnë jo-studentët! Por ngelësit për pushtet" shkruan Balla 

Ora 15:35
Organizoi zjarrvënien e Ministrisë së Arsimit? Balla publikon momentin kur Klevis Balliu bisedon me protestuesit e maskuar

1791985366_balliu.jpg

Zjarri te Ministria e Arsimit duket të mos ketë qenë një akt i menduar vetëm nga protestuesit. Në një video të publikuar nga Taulant Balla, shihen Klevis Balliu, me maskë në fytyrë, pranë të cilit ndodhet edhe Luçiano Boçi dhe bisedojnë me disa prej protestuesve të maskuar.

Balliu bën edhe disa gjeste me duar, ndërsa vetëm pak më pas, godina e ministrisë përfshihet në flakë.

Ora 15:02
Protesta/ Balla: Sulmi ndaj bankës ishte i parapërgatitur, u organizua 3 orë më herët në grupet online

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha sot se sulmi ndaj një dege të një banke të nivelit të dytë gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit ishte pjesë e një “skenari dhune” dhe ishte planifikuar tre orë përpara se të ndodhte, përmes grupeve të komunikimit online.

“E gjitha është skenar i parapërgatitur dhune! Ndiqeni këtë video ku po sulmohet dega e Bankës R. Ndiqeni deri në fund si ky sulm u përgatit 3 orë më parë në grupet e komunikimit online”, shkruan Balla në rrjetet sociale, duke ndarë foto nga komentet online ku bëhet thirrje për sulm ndaj bankës së nivelit të dytë. 

Ora 14:04
'Saliu është kudo', Balla nxjerr mesazhet: Aurel Bylykbashi bën thirrje për ndërprerje të punës në fabrika

1791979722_10020ballaokkk6acf642550f0e.png

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, insiston se pas përshkallëzimit të protestës në Tiranë qëndron Sali Berisha. Për të mbështetur këtë akuzë, ai ka publikuar në rrjetet sociale disa mesazhe, të cilat tregojnë sipas tij se si  funksionari i Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashi, u bën thirrje sipërmarrjeve të ndërpresin punën në fabrika e të marrin pjesë në 'revolucion'. 

“Kudo është Saliu. Shikojeni edhe tek grupet e komunikimit të sipërmarrjeve private, funksionari i partisë së Saliut, Aurel Bylykbashi, bën thirrje për ndërprerje të punës në fabrika”, shkruan Balla.

Në një tjetër postim, kreu i grupit socialist reagoi edhe për dëmtimin e një tabele përkujtimore gjatë protestës, duke ironizuar protestuesit e maskuar.

“O çuna kjo është tabelë në përkujtim të viktimave të regjimit komunist për ‘bombën tek Ambasada sovjetike’. Nuk ka asnjë faj tabela, se mos jua ka dhënë Saliu adresën gabim?”, shkruan ai.

Ora 13:48
Peleshi bën thirrje për qetësi: Dhuna dhe vandalizmi nuk i shërbejnë askujt

1791554855_nikopeleshi.JPG

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka bërë thirrje që e drejta për të protestuar të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit. Në një reagim, ai thekson se çdo akt dhune apo vandalizmi është i papranueshëm dhe nuk i shërben as dialogut, as interesit publik.

" E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit. Çdo akt dhune apo vandalizmi është i papranueshëm dhe nuk i shërben as dialogut, as interesit publik. Në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian, përgjegjësia, dialogu dhe respekti për ligjin janë vlera që duhet të na udhëheqin në çdo rrethanë, veçanërisht në këtë moment me rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë.Shqipëria po  ecën me shpejtësi drejt objektivit të mbylljes së kapitujve të negociatave deri në fund të vitit të ardhshëm. Bashkimi Europian është destinacioni i të gjithë shqiptarëve, pa dallim. Për këtë qëllim, duhet të kontribuojmë të gjithë me përgjegjësi qytetare dhe historike" shkroi Peleshi. 

Ora 11:29
Gogu dënon aktet e dhunës në Tiranë: Nuk i shërbejnë asnjë qytetari! (VIDEO)

 

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, reagoi pas ngjarjeve të së martës në Tiranë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është themelore dhe duhet respektuar, por nuk mund të ushtrohet në dëm të jetës, sigurisë dhe të drejtave të të tjerëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se "dhuna nuk i shërben asnjë qytetari", ndërsa bëri thirrje për qetësi, përgjegjësi dhe respektim të ligjit.

"Dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje. Aq më pak thirrjet për dhunë e kaos, sulmet ndaj institucioneve dhe bizneseve. E drejta për të protestuar është themelore dhe duhet respektuar. Por ajo shoqërohet me përgjegjësinë për të respektuar jetën, sigurinë dhe të drejtat e të tjerëve. Dhuna nuk i shërben asnjë qytetari. Qetësia, përgjegjësia dhe respekti për ligjin janë në interes të të gjithëve" shkroi ai në rrjete sociale. 

Ora 11:26
Balla publikon thirrjen e Berishës për protestë: Që të mos keni asnjë dyshim se kush qëndron pas dhunës (VIDEO)

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, publikoi një video të Sali Berishës, për të cilën thotë se tregon se kush qëndron pas akteve të dhunës gjatë protestës në Tiranë. Në pamje, Berisha u bën thirrje anëtarëve dhe aktivistëve të Partisë Demokratike t'i bashkohen protestës kundër qeverisë. Krahas videos, Balla shkruan: “Që të mos keni asnjë dyshim se kush qëndron pas dhunës”.