LIVE- Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë institucionet dhe bizneset, u vihet flaka disa objekteve
Është përshkallëzuar në akte dhune protesta në Tiranë, nisur në orët e paradites para Ministrisë së Arsimit.
Gjatë orëve të pasdites protestuesit janë shpërndarë në qendër të kryeqytetit ku kanë sulmuar me gur dhe zjarr Ministrinë e Ekonomisë dhe më pas janë zhvendosur të gjithë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Protestuesit kanë nisur të qëllojnë me gur dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë ndërsa forca të shumta policie janë përgjigjur duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Edhe gjimnazistët në protestë
Pjesë e lëvizjes janë bërë edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” në Tiranë, të cilët kanë bojkotuar mësimin. Sipas raportimeve, disa prej tyre kanë bllokuar përkohësisht rrugën pranë shkollës me kosha mbeturinash, të cilëve u kanë vënë flakën.
Reagimi i delegacionit të BE:
Delegacioni i BE në Shqipëri ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me protestën e studentëve që për të dytën ditë po vijon para Ministrisë së Arsimit. Në reagim, delegacioni i BE ka komentuar edhe lidhur me dhunën e regjistruar teksa ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin.
Delegacioni thekson se veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore të protestuesve dhe gazetarëve. Gjithashtu u ka bëre thirrje palëve që të ulin tensionet.
Ministri Demo viziton në spital efektivët: 51 punonjës policie të lënduar në protestë
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka vizituar në Spitalin e Traumës efektivët e policisë të lënduar gjatë ditës së dytë të protestës, e cila nisi para godinës së Ministrisë së Arsimit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo bëri të ditur se 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së kësaj të mërkure. Ministri thekson se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.
Reagimi i plotë i ministrit Ervin Demo:
“51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së sotme. Disa prej tyre ndodhen aktualisht në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj.
Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.
Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar. Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja.
Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”, shkruan Demo.
“Kemi grupe në WhatsApp që koordinojmë protestën”, Artan Hoxha paralajmëron studenten: Kujdes, shkoni në burg!
Gazetari Artan Hoxha ka komentuar dinamikën e protestave dhe organizimin e tyre gjatë këtyre dy ditëve që u përshkallëzuan deri në persona të lënduar, dëmtime në biznese, djegie dhe shkatërrim të disa zona të Tiranës.
Nga ana tjetër, Laura Kërtalli, studente e cila mbështet protestën dhe studentët, deklaroi se këta të fundit kanë grupe në rrjetin social Whatsapp me anë të cilit arrijnë të koordinojnë protesën.
“Unë kam qenë që nga dita e parë në protestë dhe e di pak a shumë organizimin edhe të ditëve të fundit që është përshkallëzuar.
Nuk janë analiza të sakta ato që thonë se protesta nuk wshtw e organizuar nga studentët sepse mund të hap tani grupet e Whatsapp-it dhe e di se si merren vendimet aty. Ku do shkohet, çfarë vendimi do merret”, tha ajo.
Lidhur me këtë deklaratë, Arta Hoxha i drejtohet studentes dhe i bën thirrje të kenë kujdes për mënyrën se si përdoren këto hapësira digjitale dhe të jenë vigjilent për mënyrën se si thirren dhe organizohen tubimet.
“Besoj nuk ka grupe që jepet orientimi se do qëllohet se shkoni në burg, nëse nuk e di, Edhe nëse e keni këtë njoftim, mos e thuaj se shkoni në kokërr të burgut. Studentët janë student”, tha Hoxha.
Studentja Laura Kërtalli ka vënë theksin sërish te fakti që protesta është nisur nga studentë përtej faktit që ka pasur pjesmarrës të ndryshëm.
“Kjo protestë ka qenë e dominuar nga studentët, është bërë me anë të bojkotit universitar dhe nëse ne shikojmë që një akt nuk na pëlqen, ne shkëputemi. Sulmi ndaj pronës private është një çështje tjetër, ndërsa i pronës publike, më shumë se qeveria nuk e ka sulmuar njeri”, tha Kërtalli.
Gazetari Hoxha ka përsëritur thirrjen se nëse zbulohet biseda të tilla dhe ndonjë efektiv humb jetën, protestuesit mbajnë përgjegjësi.
“Sulmi me molotov është vepër penale, kurse sulmi me vezë dhe flakadanë është përshkallëzim por jo sulmi i dhunës sepse nëse një nga ata policët e plagosur humb jetën, mbani përgjegjësi dhe shkoni në burg.
Studentët janë duke protestuar por jo duke bërë akte dhune”, tha Hoxha.
Berisha: Ne studentët nuk i lëshojmë, do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të vijojë të mbështesë studentët që po protestojnë, duke theksuar se PD do të vërë në dispozicion të tyre të gjitha format dhe mundësitë.
Berisha përgëzoi drejtuesit, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për angazhimin në mbështetje të studentëve.
“Unë duhet të përgëzoj të gjithë drejtuesit, anëtarët, mbështetësit e PD, të cilët kanë qenë dje dhe sot kanë mbështetur studentët. Një rol të veçantë, siç e keni parë edhe vetë, dhe i përgëzoj, në mbrojtje të studentëve kanë luajtur deputetët e PD. Edhe në sheshbetejë, edhe në komisariate.
Mendoj se ka qenë një qëndrim i duhur, pasi ne këtë protestë, ne këta studentë do i mbështesim me të gjithë potencialin tonë. Edi Rama nuk do ndeshet vetëm me studentët, do të ndeshet me të gjithë opozitën, me të gjithë qytetarët. Ne studentët nuk i lëshojmë, ne do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë.
Duhet të përgëzoj forumin rinor të universiteteve, të cilët kanë qenë shumë efiçent dhe me angazhimin e tyre kanë dhënë një kontribut vërtet të çmuar”, tha ai.
Berisha ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke u bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen mbështetjes për studentët. Sipas tij, protesta studentore përfaqëson një moment të rëndësishëm.
“Këto janë dy ditët e para. Sot Edi Rama, që më në fund doli nga vrima e miut ku ishte futur, filloi dhe po akuzon armiq që kanë penetruar te studentët e të tjerë me radhë”, shtoi Berisha.
Ai kundërshtoi gjithashtu qëndrimin e Ramës lidhur me protestën, duke pretenduar se kryeministri po përpiqet ta paraqesë atë si protestat e mëparshme.
“Unë në mënyrë më të prerë i kërkoj atij dorëheqjen e menjëhershme. Dhe i bëj thirrje shqiptarëve të angazhohen me gjithë mundësinë e tyre në mbështetje të studentëve për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Ai mendon se kjo protestë nuk dallon nga protestat e tjera. Gabon shumë rëndë.
Kjo është protesta kur është mbushur kupa. Shqiptarët kanë katër muaj që protestojnë. Por protesta studentore është protesta e kupës së mbushur. Studentët, siç e shihni, janë shumë të kthjellët, shumë të guximshëm.
Por studentët, Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë që PD të bëjë çdo për mbrojtjen e tyre. Të bëjë çdo gjë për mbështetjen e tyre. Kjo është një orë shumë e rëndësishme e historisë. Kjo është një orë vendimtare”, përfundoi Kreu i PD, Sali Berisha.
Kaosi gjatë protestës, Policia shoqëron protestues në zona të ndryshme të Tiranës
Tirana është përfshirë nga kaosi që prej orëve të paradites, në ditën e dytë të protestës që nisi para godinës së Ministrisë së Arsimit. Në orët e mbrëmjes së kësaj të mërkure, policia ka nisur shoqërimin e disa protestuesve në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Një pjesë e protestuesve janë kthyer sërish pranë Kryeministrisë, ndërsa policia ka shoqëruar disa prej tyre.
Në zonën e “21 Dhjetorit”, policia ka shoqëruar tre persona.
Në këtë zonë është krijuar një situatë kaotike për shkak të numrit të lartë të protestuesve dhe gurëve të hedhur prej tyre, ndërsa policia ka ndërhyrë intensivisht për të shoqëruar personat e përfshirë në incidente.
Shoqërime të protestuesve janë kryer edhe pranë Rrugës së Elbasanit. Në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, deri në këto momente raportohet për 70 persona të ndaluar.
Berisha: Studentët janë treguar si luanë, ndaj tyre është regjistruar dhuna më e egër shtetërore
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorim të dhunës ndaj studentëve që protestojnë, duke e krahasuar ndërhyrjen e policisë me represionin e ushtruar gjatë protestave të 8 dhe 9 dhjetorit 1990.
Në një takim me kryetarët e degëve të Tiranës, Berisha e cilësoi revoltën studentore si një nga protestat më të fuqishme të zhvilluara brenda një kohe të shkurtër, duke vlerësuar vendosmërinë e të rinjve përballë forcave të rendit.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke pretenduar se dhjetëra studentë dhe qytetarë kanë mbetur të plagosur me dëmtime të ndryshme, përfshirë fraktura dhe dëmtime në kokë.
‘Revolta studentore në një afat kohor gjithsej më pak se dyditor, faktikisht është regjistruar si revolta më e fuqishme studentore.
Është regjistruar si dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve paqësorë, por nga ana tjetër, edhe vendosmëria ekstreme. Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë.
Edi Rama, duke urdhëruar narko-banditët e tij për çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesve të tyre.
Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme me thyerje të femurit, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës në pjesën frontale që është pjesa më e fortë e saj.
Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodhën spraj ariu në sy apo u gjuajtën me brutalitet me topa uji.
Duhet thënë se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narko-diktaturës. Por studentët kanë një seri arsyesh shumë të forta për tu përballë me këtë qeveri dhe për ta arkivuar këtë në banesën e turpit të historisë.
Sot në proporcion me të ardhurat, ata paguajnë qira të paktën 5 herë më të lartë se bashkëmoshatarët e tyre kudo që janë. Ndërtesat që tradicionalisht janë për ta, mafia iu ka ndërruar vendin, i përdor për përfitime të veta dhe ata i lënë para pamundësisë për të paguar qiranë dhe për të ndjekur shkollën’, tha Berisha mes te tjerash.
Përplasjet gjatë protestës në Tiranë, 29 të lënduar në Spitalin e Traumës, 23 prej tyre policë
Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar bilancin e të lënduarve gjatë ditës së dytë të protestës në Tiranë. Aktualisht, në Spitalin e Traumës po marrin trajtim 23 efektivë policie, 5 protestues dhe një kalimtar.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 21:26, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona, të cilët janë lënduar gjatë përplasjeve të regjistruara në protestë.
Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, por më pas situata u tensionua, duke sjellë përplasje dhe kaos në rrugët e kryeqytetit, ndërsa grupe protestuesish lëvizën në zona të ndryshme të Tiranës.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), aktualisht nuk ka persona të lënduar që po marrin trajtim mjekësor.
Bilanci i të lënduarve vjen në përfundim të ditës së dytë të protestës, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Digjet automjeti i patrullës së Komisariatit nr. 2 gjatë protestës, zjarrfikëset në vendngjarje
Nga protesta e sotme e cila është e shoqëruar me tensione mjaft të larta, është djegur gjithashtu një automjet i patrullës së përgjithshme të komisariatit numër 2, për shkak se i është vënë flaka nga ana e protestuesve.
Sipas gazetarëve në terren, ka pasur një numër të konsiderueshëm të personave, kryesisht të rinj që janë shoqëruar po në këto ambiente të komisariatit ku kanë sulmuar.
Gjithashtu i është vënë zjarri koshave të mbeturinave që ndodhen rrotull. Ka një prezencë të shtuar të forcave të policisë dhe zjarrfikësve, teksa këta të fundit po përpiqen të shuajnë flakët e makinës.
Reagon ministri Demo: Kush i ka porositur ato flakë për një skenar ogurzi për Shqipërinë, i ka bërë llogaritë gabim
Ministri i Brendshëm Ervin Demo reagoi pas skenave të dhunës të regjistruara gjatë gjithë ditës së sotme në protestën e nisur para Ministrisë së Arsimit.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në faqen e tij në Facebook, Demo akuzoi forca politike dhe individë të tjerë se po përpiqen të shfrytëzojnë protestën e studentëve për qëllimet e tyre, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që kërkesat t’i shprehin përmes dialogut dhe jo dhunës.
Ministri vlerësoi gjithashtu profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen e efektivëve të Policisë së Shtetit, duke theksuar se personat përgjegjës për aktet e dhunshme do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
Postimi i plotë
Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private.
Jo vetëm ata që sot hodhën gurët me duart e të verbërve që kishin nxjerrë përpara, po edhe duart dashakëqia të të huajve, që përmes rrjeteve sociale janë futur në këtë vend qysh në qershor, u bënë bashkë.
U bënë bashkë për të sfiduar qetësinë dhe durimin tonë
U bënë bashkë me një skenar ogurzi, duke shfrytëzuar edhe dëshirën e natyrshme të studentëve për progres dhe padurimin e natyrshëm të më të rinjve për shpejtësinë e progresit. Si dikush që në politikë ka ardhur nga auditori i Universitetit dhe që nuk ka ndërmend të sillet si profesor sonte, dua t’u them studentëve që të përfshirë në këtë vorbull, në radhë të parë atyre të mjekësisë, të cilët vijnë nga radhet e nxënësve më të mirë: Unë, Kryeministri, qeveria jonë, Partia Socialiste, kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju! Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju! Sepse ne nuk ju shohim kurrësesi në asnjë rast e për asnjë arsye si kundërshtarë, po vetëm si trashëgimtarë të një stafete kombëtare që nesër do të jetë e juaja.
Po çfarë Shqipërie doni të trashëgoni, atë që po ndërtojmë apo atë që e trashëguam të shkatërruar, nga duart e pikërisht atyre që me një grup maskash në ballë po bëjnë çmos të risjellin rrëmujë e pasiguri në Shqipëri?
Qeveria është gjithnjë e hapur për ju, Pakti për Universitetin ka lindur falë një proteste të paraardhësve tuaj në auditore dhe është një libër i hapur, për të shkruar kapituj të tjerë, me dialog jo me gurë. Nëse doni progres më të shpejtë, kjo është rruga dhe jo ajo e 48 orëve të fundit, të cilën e kanë projektuar mendje të mbrapshta që s’kanë asnjë lidhje me ju.
Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë.
Të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit u them sot faleminderit, për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen, në kushte tejet të vështira provokimesh të pafundme, si edhe nën një trysni krejt të pandershme mediatike, ku qimja e policisë bëhet tra dhe trau i maskave të dhunshme bëhet e student!
Qytetarëve të Tiranës u them ju lutem durim, pavarësisht se flakët në dyert e ministrive që nuk janë parë në këtë qytet as në krizat e mëdha historike, mund të duken si dobësi e shtetit. Jo nuk janë, kush i ka porositur ato flakë i ka bërë llogaritë gabim, duke synuar të na tërheqë në një skenar ogurzi për Shqipërinë, që ne do ta çmontojmë me qetësi dhe durim.
Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte, por rëndësi ka që ju ta dini se kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa, as në duart e liga të atyre që e kanë gatuar dhe as në kohën e zymtë të shëmtisë që na është rishfaqur si fantazëm e të kaluarës
Protestuesit rrethojnë Komisariatin Nr. 2 në Tiranë, djegin një makinë policie
Vijon situata e rëndë në Tiranë ndërsa sipas disa burimeve, një grup protestuesish kanë rrethuar Komisariatin e Policisë Nr. 2 në kryeqytet, ndërsa raportohet kanë djegur një makinë policie.
Policia reagon për protestën: Distancohuni nga aktet e dhunës, 14 efektivë të plagosur, 35 persona të shoqëruar
Protesta e zhvilluar ditën e sotme është shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë, përdorim të mjeteve piroteknike dhe dëmtim të pronës publike e private.
Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga aktet e dhunës, ndërsa ka bërë me dije se si pasojë e sulmeve të vazhdueshme janë plagosur 14 efektivë policie.
Gjithashtu, sipas policisë, deri në këto momente janë shoqëruar 35 shtetas, ndërsa vijon identifikimi i personave të përfshirë në aktet e dhunshme.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit përsërit thirrjet e bëra përgjatë gjithë ditës së sotme për pjesëmarrësit në tubim: Distancohuni menjëherë nga dhuna!
Ndaloni sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore, si dhe shkatërrimin me zjarr të pronës publike e private.
Si pasojë e sulmeve që vijojnë prej disa orësh, janë plagosur 14 punonjës të Policisë së Shtetit.
Kjo dhunë duhet të ndalet menjëherë! Sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin e së drejtës për të protestuar.
Distancohuni menjëherë dhe pa asnjë hezitim nga personat e dhunshëm e të maskuar! Mos i mbështesni dhe mos u bashkoheni atyre. Mos lejoni që tubimi të përdoret për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë dhe për të shkatërruar pronën publike e private. Rrezikimi i jetës së punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve duhet të marrë fund menjëherë.
E drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por ajo nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të sulmojë punonjësit e Policisë apo të shkatërrojë pronën publike e private. Përgjegjësit për këto akte do të identifikohen dhe do të përballen me ligjin.
Shërbimet e Policisë po vijojnë identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë kryer akte dhune dhe që janë maskuar gjatë tubimit. Deri në këto momente, janë shoqëruar 35 shtetas.
I vihet flaka kullës në ndërtim në Rrugën e Durrësit, zjarrfikësja vështirësi për të ndërhyrë
Protesta e nisur në orët e paradites para Ministrisë së Arsimit ka degjeneruar në akte dhune ndaj pothuajse të gjitha institucioneve me të rëndësishme në kryeqytet.
Protestuesit kanë djegur gjatë orëve të mbremjes së të mërkurës edhe katin e parë të një kulle në ndërtim e sipër në fillim të rrugës së Durrësit.
Ka qenë e pamunduar për zjarrfiksen te ndërhyjë për shkak se rruga është e mbushur me hekura, mbeturina, semafora të hedhur në tokë nga protestuesit.
Protesta merr përmasa të mëdha, digjen dy automjete
Protesta e ditës së sotme ka marrë përmasa të mëdha duke u kthyer kaotike për shkak të përplasjeve, dhunës dhe përdorimit të mjeteve të ndryshme piroteknike.
Protestuesit janë ndarë në disa grupe ne disa zona. Në një pjesë të qytetit shihen dy automjete plotësisht të djegura nga protestuesit.
Situatë e dhunshme në protestë, gurë, molotovë dhe lëndë ndezëse ndaj efektivëve të policisë
Një pjesë e forcave te policisë ndodhen tashmë nën presionin e gurëve dhe lëndëve ndezëse nga protestuesit. Në pjesë e tyre ndodhen në hyrje të Sheshit Skënderbej. Me skafandër dhe mburojë policët po tërhiqen për shkak të goditjeve me shkopinj hekuri, flakadanë dhe gurë.
Për shkak të numrit të vogël të efektivëve janë detyruar të tërhiqen pasi numri i protestuesve është më i lartë. Ndërkohë, një efektiv policie është lënduar dhe ka kërkuar ambulancë. Një moment ai dëgjohet duke thënë se është goditur në mushkëri.
Goditet në mushkëri nga protestuesit, efektivi i policisë kërkon ndihmë mjekësore
Një grup protestuesish kanë rrethuar një grup të vogël efektivësh policie pranë Sheshit Skënderbej, duke i sulmuar me sende dhe gurë. Gjatë incidentit, njëri prej efektivëve është goditur në mushkëri dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Policët janë tërhequr, pasi nuk kanë mundur të përballojnë sulmin, ndërsa kanë qenë nën goditje të vazhdueshme nga protestuesit.
Protestuesit ndezin zjarre te Zogu i Zi, vijojnë tensionet në Tiranë
Situata e tensionuar vijon në Tiranë që prej orëve të paradites, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Një pjesë e tyre kanë mbërritur te Zogu i Zi, ku kanë ndezur disa zjarre.
Policia ndërhyn me autobot pas zjarrit të vendosur te Ministria e Drejtësisë, goditen me fishekzjarre efektivët
Forcat e policisë kanë mbërritur pranë Ministrisë së Drejtësisë, pas zjarrit të vendosur në ambientet e këtij institucioni nga protestuesit.
Në vendngjarje po hidhen mjete piroteknike, ndërsa situata paraqitet e tensionuar. Në zonë ka mbërritur autoboti me ujë, i shoqëruar nga një numër efektivësh policie, me qëllim shpërndarjen e protestuesve.
Ndërkohë, protestuesit kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë me fishekzjarrë, gurë dhe flakadanë, duke vështirësuar ndërhyrjen e efektivëve dhe menaxhimin e situatës.
Protestuesit tentojnë të vandalizojnë makinën zjarrfikëse, ndërhyn një vajzë me flamurin shqiptar
Një incident tjetër është shënuar gjatë protestës, këtë herë pranë godinës së Parlamentit. Disa protestues kanë rrethuar një makinë zjarrfikëse, me tentativa për ta vandalizuar.
Në këtë moment ka ndërhyrë një grup tjetër protestuesish, në krye të të cilit ishte një vajzë që mbante flamurin shqiptar. Ajo i ka ndaluar, duke u thënë se mjeti dhe punonjësit nuk duheshin prekur, pasi bëhej fjalë për zjarrfikësit e Shqipërisë.
Ndërkohë, një prej protestuesve ka hipur mbi mjetin zjarrfikës, ndërsa një tjetër e ka goditur atë.
Sulmohet Ministria e Drejtësisë, protestuesit i vënë flakën katit të parë të godinës
Protestuesit kanë sulmuar me gurë dhe molotovë Ministrinë e Drejtësisë mbrëmjen e së mërkurës pasi më herët sulmuan edhe institucione të tjera si Ministria e Ekonomisë, Kuvendi, Kryeministria dhe disa biznese private.
Protestuesit u zhvendosën në orët e pasdites përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku ndezën zjarre pranë Kryeministrisë, në zonën e Piramidës dhe pranë Kullave Binjake.
Për shkak të tensioneve, policia përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën, e cila më pas u zhvendos fillimisht në drejtim të Parlamentit për t’u shpërndarë në grupe të vogla nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit.
Përshkallëzohet protesta në Tiranë, disa grupe protestuesish shpërndahen nëpër lagje, një pjesë te Pazari i Ri
Protesta e nisur paraditen e së mërkurës përpara Ministrisë së Arsimit ka degjeneruar në akte dhune dhe vandalizmi ndaj disa institucioneve dhe bizneseve në kryeqytet.
Protestuesit janë zhvendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë ndezur zjarre pranë Kryeministrisë, në zonën e Piramidës dhe pranë Kullave Binjake.
Për shkak të tensioneve, policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën, e cila më pas është zhvendosur në drejtim të Parlamentit.
Gazetari Ardit Hoxha raportoi se protestuesit janë shpërndarë në disa grupe në lagje të ndryshme të Tiranës, ndërsa një grup më i madh është zhvendosur në zonën e Pazarit të Ri.
Situata në kryeqytet mbetet e tensionuar, ndërsa protesta është shoqëruar me përplasje, zjarre dhe dëmtime të pronës.
Të lënduarit nga protesta, Ministria e Shëndetësisë: 7 persona në urgjencë, mbërrijnë edhe 3 efektivë policie
Lidhur me personat e lënduar nga protesta e ditës së sotme, Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar dhe një herë situatatën aktuale të tyre.
Sipas njoftimit, aktualisht po marrin trajtim në urgjencë 3 protestues dhe 4 efektivë policie, koshient të gjithë me një gjendja shëndetësore stabël. Ndërkohë sapo kanë mbërritur edhe 3 efektivë të tjerë policie në spitalin e Traumës duke e çuar në 7 numrin e efketivëve të lënduar.
Mësohet se 4 protestues kanë marrë mjekimin dhe janë larguar duke vijuar kujdesin ambulator.
Gjithashtu 5 persona janë të shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Protestuesit vendosen te Parlamenti, hedhin molotovë dhe gurë drejt kordonit të policisë
Protestuesit u vendosën mbrëmjen e së mërkurës para Parlamentit aty ku policia ka krijuar një gardh me qëllim që të mos lejojë turmën të hyjë në institucion.
Drejt kordonit të policisë protestuesit kanë qëlluar me gurë dhe bomba molotovi.
Protestuesit marshojnë drejt Parlamentit, thirrje për mobilizim
Protestuesit u zhvendosën mbrëmjen e së mërkurës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ku ndezën zjarre pranë Kryeministrisë, në zonën e Piramidës dhe kullat binjake.
Flakët e mëdha dhe shtëllungat e tymit përfshinë katin e parë të dy kullave, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të larguar protestuesit.
Turma e shpërndarë nisi marshimin në drejtim të Parlamentit, ndërsa mes protestuesve janë dëgjuar vazhdimisht thirrje për mobilizim.
Tensione pranë Kryeministrisë, i vihet flaka një biznesi te dy kullat përballë Piramidës
Situata vijon të jetë e tensionuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë godinës së Kryeministrisë, ndërsa një biznesi privat në dy kullat përballë Piramidës i është vënë flaka.
Flakët e mëdha dhe shtëllungat e tymit kanë përfshirë katin e parë të dy kullave, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit.
Protesta në Tiranë, reagon zv.kryeministrja Koçiu: Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar të mërkurën në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu ka bërë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi, duke kujtuar pasojat që, sipas saj, ka sjellë kaosi në të kaluarën për vendin.
Ajo thekson se Shqipëria e ka paguar shtrenjtë faturën e kaosit, i cili, në emër të zemërimit dhe revoltës, është shoqëruar me sulme ndaj institucioneve, shkatërrim të pronës dhe kriza që kanë ndikuar në zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.
“Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot”, shprehet Koçiu.
Duke iu referuar pamjeve të dhunës, flakëve dhe përplasjeve në kryeqytet, zëvendëskryeministrja nënvizon rëndësinë e ruajtjes së kufirit mes protestës paqësore dhe kaosit.
Sipas saj, institucionet janë pasuri publike, bizneset përfaqësojnë punën e qytetarëve, ndërsa siguria është një e drejtë që duhet garantuar për të gjithë.
“Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, përfundon reagimi i Albana Koçiut.
Thyhet dera e një prej hyrjeve të Kryesisë së Kuvendit, protestuesit shpërndahen nga gazi lotsjellës
Vijon situata e tensionuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë godinës së Kryeministrisë. Sipas informacioneve të fundit, është thyer dera e një prej hyrjeve të Kryesisë së Kuvendit, ndërsa protestuesit tentuan të hyjnë brenda godinës, por u shpërndanë pas hedhjes së gazit lotsjellës.
Ambasada amerikane paralajmëron sërish shtetasit e vet: Protesta e dhunshme mund të përhapet
Ambasada amerikanë në Tiranë ka reagoi sërish pas përplasjeve të shënuara pasditen e së mërkurës gjatë protestës së nisur në Rrugën e Durrësit dhe të zhvendosur më tej para kryeministrisë.
Përmes një mesazhi drejtuar shtetasve amerikanë në Tiranë ambasada thekson se protesta është shndërruar në akte të dhunshme dhe rrezikon të përhapet në ndërtesat qeveritare.
“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Personelit të Ambasadës në Tiranë është këshilluar të shmangë demonstratat.
Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftimin e SHBA.
Përfshihet nga flakët pisha te Kryeministria, policia hedh ujë me ngjyrë dhe gaz lotsjellës
Vijon të jetë e tensionuar situata në protestën që po mbahet prej disa orësh në Tiranë.
Protestuesit janë zhvendosur para Kryeministrisë në drejtim të së cilës është qëlluar vazhdimisht me gur dhe mjete molotov.
Një nga pishat pranë godinës së qeverisë është përfshirë nga flakët, ndërsa policia ka përdorur ujë me ngjyrë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Situata del jashtë kontrollit, protestuesit rrethojnë Kryeministrinë, përplasje të forta me policinë
Është përshkallëzuar në akte dhune protesta në Tiranë, nisur në orët e paradites para Ministrisë së Arsimit.
Gjatë orëve të pasdites protestuesit janë shpërndarë në qendër të kryeqytetit ku kanë sulmuar me gur dhe zjarr Ministrinë e Financave dhe më pas janë zhvendosur të gjithë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Të gjitha vazot e luleve që kanë qenë në anë të rrugës janë hedhur në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” duke krijuar një situatë kaotike.
Protestuesit kanë nisur të qëllojnë me gur dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë ndërsa forca të shumta policie janë përgjigjur duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Presidenti Begaj bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi: Pakënaqësia të mos shprehet me dhunë!
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka reaguar lidhur me incidentet e krijuara sot për shkak të protestës e cila ka marrë përmasa të mëdha.
Në njoftimin zyrtar Begaj bën thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen për të mos përshkallëzuar më tej situatën.
Begaj thekson se zhvillimi i një proteste paqësore është një e drejtë por jo nëpërmjet dhunës. Ai shprehet i hapur për të dëgjuar çdo shqetësim nga qytetarët dhe çdokush të veprojë me përgjegjësi.
Njoftimi i plotë:
“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.
E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.
Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim.
Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetesimet.
Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.” – u shpreh Presidenti i Republikës nëpërmjet facebook-ut.
Protestuesit sulmojnë me shishe molotovë Kryeministrinë, shtohen forcat e policisë
Protestuesit janë spostuar nga Ministria e Ekonomisë drejt Kryeministrisë. Një numër mjaft i lartë i qytetarëve janë mbledhur dhe po qëllojnë me gurë dhe shishe molotovë institucionin. Ndërkohë janë shtuar dhe forcat e policisë në përpjekje për të larguar qytetarët dhe për të shmangur dëmet.
Protestuesit mësyjnë institucionet, pas Ministrisë së Ekonomisë, tentojnë të hyjnë brenda KQZ, policia përdor gaz lotsjellës
Është përshkallëzuar në akte dhune protesta në Tiranë, nisur në orët e paradites para Ministrisë së Arsimit.
Protestuesit janë shpërndarë në qendër të kryeqytetit ku kanë sulmuar me gur dhe zjarr Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa kanë tentuar të hyjnë në godinën e KQZ.
Në drejtim të policisë është qëlluar vazhdimisht me gurë ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me gaz lotsjellës.
Protestuesit hapin dyert dhe godasin me gurë godinën e Ministrisë së Ekonomisë
Protestuesit kanë lënë sheshin para Ministrisë së Arsimit dhe janë nisur drejt godinës së Parlamentit shqiptar, me thirrjet “Digjeni Parlamentin”.
Gjatë rrugës, pranë Parkut të Tajvanit, ata janë ndalur te godina e Ministrisë së Ekonomisë, ku kanë hapur dyert dhe e kanë goditur godinën me gurë dhe sende të tjera.
Protestuesit u futën brenda ambienteve të godinës dhe nxorën disa objekte jashtë saj.
Menjëherë kanë mbërritur edhe forcat e policisë, të cilat janë përballur me sulmin e protestuesve dhe, për këtë arsye, janë futur brenda godinës së kësaj ministrie.
Ndërkohë, më pas janë pozicionuar në kryqëzimin pranë Ministrisë së Brendshme, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta në Tiranë, reagon ambasada britanike: E drejta për të protestuar nuk legjitimon dhunën
Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar pas përplasjeve të shënuara në ditën e dytë të protestës para Ministrisë së Arsimit.
Në një postim në faqen zyrtare në Facebook të Ministrisë theksohet se e drejta për të protestuar nuk e legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private.
“Ambasada Britanike në Tiranë nënvizon rëndësinë e të drejtës për protestë paqësore dhe lirisë së shprehjes, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, e drejta për të protestuar nuk legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private. Sikundër, ajo nuk duhet të përballet me veprime joproporcionale nga policia. Ambasada Britanike u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë këto të drejta dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve” thuhet në reagimin e saj në rrjete sociale.
Protesta në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë: Në urgjencë po marrin trajtim 3 protestues dhe 2 efektivë policie
Lidhur me personat e lënduar nga protesta e ditës së sotme, Ministria e Shëndetësisë njofton se aktualisht po marrin trajtim në urgjencë 3 protestues dhe 2 efektivë policie.
Nga njoftimi zyrtar thuhet se të gjithë pacientët janë koshient dhe të vetëdijshëm dhe gjendja shëndetësore e tyre paraqitet e mirë.
Më tej, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se nga kjo protestë nuk ka asnjë person që të ketë humbur jetën.
Protestuesit largohen nga Ministria e Arsimit dhe nisen drejt Parlamentit: Ta djegim
Zhvillime të reja në protestën që po zhvillohet në Tiranë, ku protestuesit, me thirrjet “Ta djegim Parlamentin”, kanë lënë Rrugën e Durrësit dhe janë nisur drejt godinës së Parlamentit shqiptar.
Ndërkohë, te godina e Ministrisë së Brendshme, protestuesve u ka dalë përpara një gardh me efektivë policie.
Përshkallëzohet situata te Rruga e Durrësit, marrin flakë pemët pranë Muzeut Historik Kombëtar
Situata nga protesta në Rrugën e Durrësit ka marrë përmasa të tjera duke marr flakë edhe pemët ngjitur me Muzeun Historik.
Kjo ndodhi në momentin kur protestuesit u spostuan pranë sheshit “Skënderbej”. Këta të fundit morën stola plastikë dhe u kanë vënë flakën në mes të rrugës duke sjellë kështu dhe përshkallëzimin e situatës.
Kisha Katolike dënon djegien e flamurit të Vatikanit gjatë protestës: Apel për qetësi dhe dialog
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka dënuar djegien e flamurit të Vatikanit gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, në Rrugën e Durrësit, duke e cilësuar aktin të papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjin dhe traditën shqiptare të mikpritjes.
Në një reagim zyrtar, Konferenca Ipeshkvnore shpreh solidaritetin me Nuncin Apostolik në Tiranë, imzot Miroslaw Adamczyk, dhe stafin e Nunciaturës Apostolike, pasi gjatë protestës disa persona kanë hequr flamurin e Vatikanit, të cilin më pas dyshohet se e kanë djegur së bashku me objekte të tjera.
Sipas Kishës Katolike, ky veprim cenon simbolin e Selisë së Shenjtë dhe krijon pasiguri për stafin e përfaqësisë diplomatike.
“E drejta e protestës nuk përfshin të drejtën e dhunës ndaj askujt e aq më tepër ndaj miqve të vendit tonë”, thuhet në reagim.
Konferenca Ipeshkvnore u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të marrin masa parandaluese dhe të garantojnë mbrojtjen e përfaqësive diplomatike, në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Njëkohësisht, Kisha Katolike ka dënuar dhunën pavarësisht se nga cila palë ushtrohet, duke theksuar se ajo nuk duhet të cenojë jetën dhe shëndetin e protestuesve.
Në përfundim të reagimit, Konferenca Ipeshkvnore apelon për përgjegjshmëri, qetësi dhe respekt të ndërsjellë, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe të ruajtjes së marrëdhënieve me përfaqësitë diplomatike në vend.
Tensione në Rrugën e Durrësit, protestuesit djegin stola plastikë pranë sheshit “Skënderbej”(VIDEO)
Vijon situata e tensionuar në Rrugën e Durrësit në Tiranë, ku disa protestues janë spostuar pranë sheshit “Skënderbej”. Ata kanë marrë stola plastikë dhe u kanë vënë flakën në mes të rrugës.
Tensione në Rrugën e Durrësit, një biznes digjet, tjetrit i thyhen xhamat
Një tjetër incident është regjistruar gjatë protestës që vijon prej dy ditësh në Rrugën e Durrësit, në Tiranë, ku ambienteve të një biznesi privat u është vënë flaka.
Ndërkohë, ngjitur me biznesin që iu vu flaka, një tjetër biznes është dëmtuar, pasi protestuesit i kanë thyer xhamat me gurë.
Protesta para Ministrisë së Arsimit vijon për të dytën ditë, në terren mbërrin drejtori i Policisë Skënder Hita
Kur ora shënon 15:15, protesta e tensionuar para Ministrisë së Arsimit në Tiranë vijon për të dytën ditë radhazi.
Në terren ka mbërritur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili shihet në krah të efektivëve pranë ministrisë, ndërsa vijon aksioni për zmbrapsjen e protestuesve.
Protestuesit brohorasin me thirrjet “Ju erdhi fundi”. Ndërkohë, ambientet e një godinë dykatëshe të një biznesi privat në Rrugën e Durrësit janë shkatërruar plotësisht dhe iu është vënë flaka.
Policia reagon pas akteve të dhunës në protestë: Distancohuni nga personat që sulmojnë efektivët
Policia e Shtetit ka reaguar sërish pas akteve të dhunës që shoqëruan protestën e nisur para Ministrisë së Arsimit, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat që kryejnë veprime të dhunshme.
Autoritetet iu bëknë thirrje protestuesve që të mos lejojnë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte dhune dhe shkatërrimi, duke theksuar se çdo individ do të mbajë përgjegjësi personale për veprimet e kryera.
“Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprën e kryer”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
Policia paralajmëron gjithashtu se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.
Të rinjtë prishin sinjalistikën rrugore, dëmtojnë semaforët
Sipas pamjeve, disa protestues, midis të cilëve persona të maskuar, janë ngjitur në shtyllat e semaforëve në rrugë duke goditur dhe thyer kokat e tyre.
Tym i zi te Ministria e Arsimit, sërish tensione në protestë! Hidhet gaz lotsjellës
Protesta para Ministrisë së Arsimit ka regjistruar momente të reja përshkallëzimi dhe përplasjesh fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit. Situata ka dalë përkohësisht jashtë kontrollit, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të policisë.
Protestuesit kanë ndezur një zjarr në ambientet e ministrisë por ende nuk dihet se çfarë kanë djegur ata. Policia më pas është përgjigjur me gaz lotsjellës duke sjellë shpërndarjen e protestuesve përkohesisht.
Ministria e Shëndetësisë: 4 protestues dhe 1 efektiv policie janë paraqitur për ndihmë mjekësore
Sipas njoftimit, në SUT është paraqitur një protestues, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. Ai paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është koshient.
Gjithashtu, në këtë strukturë spitalore është paraqitur një efektiv policie, i cili, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, është larguar me këshillën e mjekut.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me dëmtime të lehta. Dy prej tyre janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit mjekësor, ndërsa personi i tretë vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vijon të ndjekë situatën në koordinim të pandërprerë me strukturat dhe do të informojë në vijim.
Tensione tek Rruga e Durrësit, të rinjtë tentojnë të thyejnë derën dhe xhamat e një banke
Po vijon me tensione protesta studentore në Tiranë, e cila ka nisur që prej mëngjesit me bojkotimin e mësimit në universitete dhe në disa gjimnaze.
Ndërkohë, tensione janë shënuar në Rrugën e Durrësit, ku disa të rinj po tentojnë të thyejnë xhamat e një banke.
Sipas pamjeve, protestuesit, me mjete rrethanore dhe shkelma, tentojnë të thyejnë xhamat dhe derën e bankës. Disa prej tyre shfaqen edhe të maskuar.
Tensione në protestë, hidhet gaz lotsjellës! Protestuesit shpërndahen me vrap
Situata në protestë vijon me tensione, ku forcat e rendit kanë ndërhyrë duke hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë studentët dhe qytetarët e bashkuar në protestë.
Nga pamjet dhe raportimet e para nga vendi i ngjarjes, protestuesit janë detyruar të largohen përkohësisht me vrap për shkak të gazit lotsjellës dhe përplasjeve të krijuar përgjatë perimetrit të tubimit.
Protesta po vijon prej disa orësh edhe pse të martën ishte njoftuar të mbahej në orën 14:00. Nuk dihet se sa do të zgjasë protesta teksa gazetarët e Euronews Albania kanë bërë me dije se numri i të rinjve po shtohet në protestë.
Protesta e studentëve në Tiranë, Ambasada Gjermane shpërndan qëndrimin e Delegacionit të BE-së
Ambasada Gjermane mban të njëjtin qëndrim si Delegacioni i BE-së, i cili, në postimin e tij, ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve mes forcave të rendit dhe të rinjve, ndërsa u ka bërë thirrje palëve të ulin tensionet.
Reagimi i plotë i Delegacionit të BE-së:
Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi.
Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet.
Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara.
Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër bojkotojnë mësimin në solidaritet me studentët e Tiranës
Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Shkodrës kanë bojkotuar procesin mësimor, në shenjë solidariteti me protestën e studentëve në Tiranë.
Ata kundërshtojnë dhunën e ushtruar nga Policia gjatë tubimit të një dite më parë dhe shprehen se reagimi i tyre synon të sjellë ndryshime.
Studentët thonë se do të ndjekin zhvillimet në kryeqytet dhe u bëjnë thirrje edhe të rinjve të tjerë t’i bashkohen protestës.
“Sot, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, i kemi bojkotuar mësimet. Jemi përgjigjur në solidaritet me thirrjen e studentëve në Tiranë dhe do të vazhdojmë të shohim se si do të shkojnë gjërat. Shpresoj që atje të mos përkeqësohet më tej situata, sepse, siç e thashë edhe më parë, është bërë një makabër e vërtetë.
Policia nuk duhet të ushtrojë kurrë kaq shumë dhunë ndaj qytetarëve. Siç thonë edhe në ministri, policia është krijuar për të na mbrojtur dhe jo për të ushtruar dhunë, siç ndodhi dje. Kjo është krejtësisht e gabuar.
Sot kanë nisur edhe disa bojkotime në Tiranë nga nxënës të disa gjimnazeve dhe i përgëzoj ata që nuk kanë rënë pre e presionit që shteti ushtron ndaj studentëve. Do të kishte qenë shumë më mirë të shkonim në Tiranë, në mënyrë që të bëheshim sa më shumë”, është shprehur një student.
Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër bojkotojnë mësimin në solidaritet me studentët e Tiranës
Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Shkodrës kanë bojkotuar procesin mësimor, në shenjë solidariteti me protestën e studentëve në Tiranë.
Ata kundërshtojnë dhunën e ushtruar nga Policia gjatë tubimit të një dite më parë dhe shprehen se reagimi i tyre synon të sjellë ndryshime.
Studentët thonë se do të ndjekin zhvillimet në kryeqytet dhe u bëjnë thirrje edhe të rinjve të tjerë t’i bashkohen protestës.
“Sot, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, i kemi bojkotuar mësimet. Jemi përgjigjur në solidaritet me thirrjen e studentëve në Tiranë dhe do të vazhdojmë të shohim se si do të shkojnë gjërat. Shpresoj që atje të mos përkeqësohet më tej situata, sepse, siç e thashë edhe më parë, është bërë një makabër e vërtetë.
Policia nuk duhet të ushtrojë kurrë kaq shumë dhunë ndaj qytetarëve. Siç thonë edhe në ministri, policia është krijuar për të na mbrojtur dhe jo për të ushtruar dhunë, siç ndodhi dje. Kjo është krejtësisht e gabuar.
Sot kanë nisur edhe disa bojkotime në Tiranë nga nxënës të disa gjimnazeve dhe i përgëzoj ata që nuk kanë rënë pre e presionit që shteti ushtron ndaj studentëve. Do të kishte qenë shumë më mirë të shkonim në Tiranë, në mënyrë që të bëheshim sa më shumë”, është shprehur një student.
Momenti kur protestuesi nuk ndihet mirë, studentët i vijnë në ndihmë (VIDEO)
Në protestën e kësaj ë mërkurë përveç studentëve janë bashkuar edhe të moshuar e qytetarë të shumtë teksa shprehin mbështetjen e tyre ndaj revoltës së të rinjve. Teksa tensionet janë përshkallëzuar, policia ka hedhur gazlotsjellës dhe ujë dhe kjo ka sjellë që shumë protestues të kenë shqetësime.
Siç shihet edhe nga pamjet, shqetësimet më të shumta i shfaqin të moshuarit teksa të rinjtë iu kanë ardhur në ndihmë. Siç shihet edhe nga pamjet, një protestues ka shfaqur probleme shëndetësore dhe të rinjtë e kanë kapur nga krahët dhe po e ndihmojnë.
Përshkallëzohen tensionet në protestë, fishekzjarrë drejt policisë dhe gurë ndaj autobotit
Në përgjigje, policia ka përdorur ujë me solucion për të shpërndarë turmën dhe për të përballuar situatën e krijuar.
Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë hedhur gjithashtu gurë në drejtim të autobotit të policisë, ndërsa situata në zonë vijon të jetë e tensionuar.
Protesta para Ministrisë së Arsimit, reagon delegacioni i BE: Të gjitha palët të ulin tensionet
Delegacioni i BE në Shqipëri ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me protestën e studentëve që për t dytën ditë po vijon para Ministrisë së Arsimit. Në reagim, delegacioni i BE ka komentuar edhe lidhur me dhunën e regjistruar teksa ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin.
Delegacioni thekson se veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore të protestuesve dhe gazetarëve. Gjithashtu u ka bëre thirrje palëve që të ulin tensionet
“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi.
Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet.
Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE.
Mbaron mbledhja e qeverisë, Euronews Albania mëson komentin e parë të Ramës për protestën
Ka përfunduar mbledhja e qeverisë, e zhvilluar këtë të mërkurë në një kohë kur Tirana po përjeton ditën e dytë të protestës studentore.
Sipas gazetares së Euronews Albania, Eksiola Shehu, Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë mbledhjes se personat që kanë ushtruar dhunë gjatë protestës, sipas tij, nuk janë studentë.
Mbledhja e qeverisë ishte parashikuar fillimisht të mbahej në orën 17:30, por agjenda u ndryshua dhe ajo u zhvillua më herët, pas zhvillimeve të fundit të lidhura me protestën.
Më herët, Rama u detyrua të hynte në godinën e Kryeministrisë nga hyrja e pasme, e përdorur nga stafi i mediave, pasi hyrja kryesore ishte blinduar në kuadër të protestës.
Ndërkohë, protesta studentore vijon në Tiranë, ku në ditën e dytë të saj janë regjistruar tensione dhe përplasje, ndërsa studentëve u janë bashkuar edhe gjimnazistë.
Vijojnë tensionet në protestë, policia shoqëron disa protestues (VIDEO)
Situata në protestë vijon me tensione dhe përplasje të forta mes efektivëve të policisë dhe qytetarëve pjesëmarrës.
Mësohet se forcat e rendit kanë ndërhyrë duke shoqëruar disa prej protestuesve pas përshkallëzimit të situatës në terren. Protestuesit kanë kundërshtuar me forcë shoqërimin e tyre dhe duke bërë tentativa të vazhdueshme për t’i larguar nga duart e forcave të sigurisë.
Berisha konferenë për shtyp: Rama të jap dorëheqjen, rruga e vetme për të zgjidhur krizën
Partia Demokratike ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa deputetët demokratë i janë bashkuar protestës që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen e menjëhershme, duke e cilësuar largimin e tij si rrugën e vetme për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Berisha ka kërkuar gjithashtu krijimin e një qeverie teknike, e cila, sipas tij, duhet ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira.
“I kërkoj Ramës të japë dorëheqjen. Rruga e vetme për zgjidhjen më të shpejtë, më pak të dhimbshme, të krizës së thellë në të cilën ka zhytur vendin, është largimi i tij i menjëhershëm. Krijimi i një qeverie që çon vendin drejt zgjedhjeve të lira është kusht i të gjitha kushteve që vendi të dalë nga kriza”, tha Berisha.
Protesta e studentëve, policia apel: Distancohuni nga personat e maskuar që sulmojnë efektivët
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestën studentore në Tiranë të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat e maskuar, të cilët, sipas policisë, po sulmojnë punonjësit e saj dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
Në një apel drejtuar protestuesve, Policia thekson se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por nënvizon se dhuna ndaj efektivëve, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
Policia e Shtetit bën me dije se do të vijojë të jetë në terren për të garantuar sigurinë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës, si dhe ushtrimin e të drejtës për tubim paqësor.
Autoritetet u kanë kërkuar protestuesve ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës, duke paralajmëruar se çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale.
“E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”, thuhet në apelin e Policisë së Shtetit, e cila shprehet se do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin.
Protesta studentore, digjen koshat para Ministrisë së Arsimit! Vijon tubimi mes tensioneve
Protesta studentore në Tiranë vijon edhe në ditën e dytë mes tensioneve. Para Ministrisë së Arsimit janë përfshirë nga flakët koshat e mbeturinave, ndërsa situata në zonën e protestës mbetet e tensionuar.
Studentët e Universitetit të Mjekësisë, Universitetit Bujqësor të Tiranës, Universitetit Politeknik dhe Fakultetit të Drejtësisë janë mbledhur para ministrisë, ku janë hedhur edhe sende piroteknike në drejtim të godinës.
Ndërkohë, një grup të rinjsh kanë shkulur kangjellat metalike të vendosura në rrugë, ndërsa forcat e Policisë janë pozicionuar para institucionit.
Protesta vijon, ndërsa tensionet janë shtuar gjatë tubimit të ditës së dytë.
Të rinjtë i vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërhyn menjëherë policia (VIDEO)
Situata para Ministrisë së Arsimit vijon të jetë e tensionuar pasditen e sotme, teksa një grup të rinjsh kanë ndezur flakë në koshat e mbeturinave.
Protesta është shoqëruar me tensione dhe tym e zjarr në rrugë.
Reagimi i forcave të rendit ka qenë i menjëhershëm. Efektivët e policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje për të shuar flakët, për të rikthyer rendin dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Deri më tani nuk raportohet për shoqërime në komisariat, ndërsa policia ka rrethuar zonjën për të mbajtur situatën nën kontroll.
PD anulon mbledhjen e Grupit Parlamentar, deputetët do t’iu bashkohen protestuesve
Partia Demokratike ka njoftuar se ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar që do të zhvillohej në orën 12:00 në sallën “Pjetër Arbnori”. Mbledhja raportohej se do të mbahej lidhur me situatën e fundit të protestës të studentëve në Tiranë.
Deputetët e PD kanë deklaruar se do t’iu bashkohen protestuesve e të rinjve që po protestojnë para Ministrisë së Arsimit, prandaj dhe mbledhja nuk do të mbahet.
Sipas njoftimit të mëparshëm të PD, në mbledhje do të mbante fjalën kryetari i partisë, Sali Berisha. Nuk dihet nëse ai do të dalë më vonë e të mbajë një reagim për mediat lidhur me protestën.
Tensionohet protesta e studentëve, shkulen kangjellat para Ministrisë së Arsimit
Shkulja e kangjellave ka tensionuar protestën e studentëve në Tiranë, në ditën e dytë të demonstratave kundër situatës në arsim.
Studentët, të cilët kanë bojkotuar mësimin, janë mbledhur dhe kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit, ku situata është tensionuar me mbërritjen e protestuesve pranë institucionit.
Gjatë protestës, të rinjtë kanë nisur të shkulnin kangjellat, ndërsa grumbullimi vijon mes tensioneve.
Protestës së studentëve të universiteteve u janë bashkuar edhe gjimnazistë, të cilët kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar thirrjes për protestë.
Demonstrata e sotme vjen një ditë pas protestës së së martës, e cila zgjati disa orë dhe u shoqërua me tensione e përplasje në kryeqytet.
Studentët në protestë, policia “blindon” Kryeministrinë! Forca të shumta në terren (VIDEO)
Studentë, të rinj dhe gjimnazistë të shumtë janë ngritur në protestë edhe këtë të mërkurë një ditë pas tensioneve të regjistruara para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit njoftuan të mërkurën se protesta do të vijojë po në të njëjtën orë, në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.
Por protestuesit sot kanë vendosur të nisin protestën më herët dhe nga universitete të ndryshme të Tiranës kanë dalë në rrugë dhjetëra të rinj. Lidhur me këto protesta, policia ka marrë masa dhe ka blinduar Kryeministrinë. Siç shihet edhe nga pamjet, forca të shumta policie ndodhen në terren në rast përshkallëzimi ashtu si një ditë më parë.
Vijon dita e protestës së studentëve, nis marshimi dhe i Politeknikut, Juridikut, Ekonomikut dhe Shkencave
Studentët në Tiranë kanë vijuar këtë të mërkurë bojkotin e mësimit dhe protestat, një ditë pas demonstratës që zgjati rreth nëntë orë dhe u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë dalë në protestë dhe kanë nisur marshimin, ndërsa grumbullime janë raportuar edhe te Fakulteti i Ekonomisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.
Në reagim janë përfshirë edhe gjimnazistë. Gjatë zhvillimeve janë djegur kosha mbeturinash, ndërsa situata vijon të ndiqet në terren.
Protesta e së martës nisi para Ministrisë së Arsimit dhe më pas u shtri në zona të tjera të kryeqytetit. Gjatë saj u regjistruan përplasje mes studentëve dhe policisë, si dhe incidente e dëmtime të pronës.
Bojkoti i kësaj të mërkure vjen pas thirrjes së bërë një ditë më parë për mobilizimin e studentëve. Vijimi i protestave në disa institucione arsimore pritet të tregojë shtrirjen e reagimit studentor gjatë ditës.
Studentët e Mjekësisë i bashkohen bojkotit, dalin në protestë
Studentët e Mjekësisë i janë bashkuar bojkotit të mësimit dhe protestës, në përgjigje të thirrjes së bërë një ditë më parë për mobilizimin e studentëve.
Lëvizja vjen një ditë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, e cila zgjati rreth nëntë orë dhe u shoqërua me përplasje mes studentëve dhe Policisë së Shtetit.
Protesta e së martës nisi para Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas situata u përshkallëzua në disa zona të kryeqytetit, ku u raportuan përplasje me efektivët, dëmtime të pronës dhe incidente të tjera.
Një ditë pas protestës 9-orëshe në Tiranë, gjimnazistët e “Partizanit” bojkotojnë mësimin
Një ditë pas protestës së studentëve, e cila zgjati rreth 9 orë në Tiranë dhe u shoqërua me përplasje, tensione dhe akte dhune, reagimi ka vijuar edhe në gjimnaze.
Nxënësit e gjimnazit “Partizani” në Tiranë kanë bojkotuar mësimin, në një zhvillim që vjen pas protestës së gjatë të studentëve një ditë më parë.
6 efektivë të lënduar nga protesta, arrestohen 16 persona dhe procedohen 49 të tjerë! Policia jep detajet
Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shoqërimet në polici të të rinjve që morën pjesë në protestën e së martës para Ministrisë së Arsimit. Mësohet se policia ka arrestuar 16 persona.
Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu lidhur me incidentet e regjistruara në protestë, janë proceduar penalisht 49 persona. Më tej në njoftim theksohet se janë dëmtuar 6 punonjës policie nga hedhja e gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë.
“Tiranë/Ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të datës 13.10.2026, arrestohen në flagrancë 16 shtetas.
Procedohen penalisht 49 shtetas të tjerë. Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 13.10.2026, rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, disa pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur sende të forta, pllaka guri, kapsolla, kokteje molotovi dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.
Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, dhe është dëmtuar fasada prej xhami e subjektit privat, bankë e nivelit të dytë.
Në rrugën “Ded Gjon Luli”, është thyer me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë Tiranë dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj.
Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur, që prej fillimit të tij, me dhunë të vazhdueshme, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Si pasojë, janë dëmtuar 6 punonjës policie.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kryerjes së veprimeve procedurale:
U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. V., 41 vjeç; F. B., 48 vjeç; A. B., 40 vjeç; G. I., 57 vjeç; E. K., 32 vjeç; I. S., 38 vjeç; B. K., 59 vjeç; D. V., 55 vjeç; E. Z., 30 vjeç; H. B., 52 vjeç; O. V., 35 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; K. M., 23 vjeç; B. Gj., 31 vjeç; K. H., 38 vjeç dhe K. A., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
U proceduan penalisht 49 shtetas të tjerë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 13.10.2026. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
6 persona në spital pas lëndimeve nga protesta e djeshme, Ministria e Shëndetësisë: Po marrin trajtimin e nevojshëm
Në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin kujdes shëndetësor 6 persona të lënduar gjatë protestës së ditës së djeshme, ku tre janë kalimtarë dhe tre protestues.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, 3 kalimtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore, të cilët vijojnë qëndrimin në spital, ndërkohë njëri prej tyre po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Sa i përket gjendjes së 3 protestuesve, gjithashtu edhe këta janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të vijojnë qëndrimin në spital, ndërsa për personin e tretë po kryhet vlerësimi mjekësor për të përcaktuar nëse nevojitet shtrimi.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur gjatë natës 1 protestues me shenja intoksikimi, i cili, pas marrjes së trajtimit në urgjencë dhe rekomandimeve mjekësore, është larguar nga spitali.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u uron shërim të shpejtë të gjithë personave të lënduar dhe garanton vijimin e kujdesit mjekësor sipas nevojave të secilit.
Do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, si paraqitet gjendja e të riut që iu dëmtua këmba
I riu që u paraqit mbrëmjen e së martës tek spitali i Traumës me dëmtim të këmbës pritet të futet në sallën e operacionit për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Mjekët bëjnë me dije se momentalisht ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
I riu mësohet se ka dëmtim të kërcirit. Ai u dëmtua gjatë protestës por në deklaratat e tij para uniformave blu, por edhe për mikrofonin e Euronews Albania tha se nuk ishte pjesë e protestës por është dëmtuar nga policia. Ai ka deklaruar se po shikonte një ndeshje të Champions League dhe gjithçka ka ndodhur kur ka dale nga lokali.
Ministri Demo viziton në spital efektivët: 51 punonjës policie të lënduar në protestë
“Kemi grupe në WhatsApp që koordinojmë protestën”, Artan Hoxha paralajmëron studenten: Kujdes, shkoni në burg!
Berisha: Ne studentët nuk i lëshojmë, do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë!
- 23:09 Ministri Demo viziton në spital efektivët: 51 punonjës policie të lënduar në protestë
- 23:07 “Kemi grupe në WhatsApp që koordinojmë protestën”, Artan Hoxha paralajmëron studenten: Kujdes, shkoni në burg!
- 22:10 Berisha: Ne studentët nuk i lëshojmë, do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë!
- 22:05 Kaosi gjatë protestës, Policia shoqëron protestues në zona të ndryshme të Tiranës
- 21:50 Berisha: Studentët janë treguar si luanë, ndaj tyre është regjistruar dhuna më e egër shtetërore
- 21:34 Përplasjet gjatë protestës në Tiranë, 29 të lënduar në Spitalin e Traumës, 23 prej tyre policë