Aktualitet

Studentët sërish në revoltë! Protestuesit shkulin nga vendi kangjellat metalike të rrugës, hedhin gurë dhe sende të forta drejt Ministrisë së Arsimit!

Tensionet janë përshkallëzuar gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Një grup të rinjsh kanë shkulur nga vendi kangjellat metalike të vendosura në rrugë, ndërsa kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të godinës së ministrisë.

Situata është tensionuar teksa vijon protesta studentore, ku pjesëmarrësit kanë kërkuar ndryshim dhe kanë bërë thirrje kundër qeverisë.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë pozicionuar tashmë pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa protesta e studentëve në Tiranë ka nisur rreth 2 orë para orarit të paralajmëruar.

Gjatë tubimit, studentët kanë hedhur mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të godinës së ministrisë, ndërsa prania e forcave të policisë është shtuar në zonë.

Mbetet për t’u parë reagimi i forcave të rendit.

Protesta e sotme ishte paralajmëruar se do të niste sërish në orën 14:00. Por, studentët kanë bojkotuar mësimin në disa fakultete, tek ai i Drejtësisë, Mjekësia, Ekonomiku apo Politekniku. Një pjesë e studentëve të Mjekësisë marshuan drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku u bënë thirrje studentëve që t’iu bashkohen në protestë. Ishin vetë studentët që lanë ambientet e fakultetit dhe iu bashkuan protestës.

Edhe nxënës të gjimnazit Partizani nuk u futën në mësim mëngjesin e sotëm. Ata dogjën kosha në mes të rrugës së “Dibrës”, duke bllokuar qarkullimin. Rreth orës 11:30 studentët u mblodhën te Ministria e Arsimit me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”.

Shtylla e semaforë të thyer, biznese të dëmtuara, copa xhami e kosha mbeturinash të djegur nëpër rrugë. Pas protestës së djeshme, shenjat e asaj çfarë ka ndodhur një natë më parë janë ende të dukshme në shumë zona të kryeqytetit, pavarësisht se punonjësit e Bashkisë kanë pastruar dhe vijojnë të sistemojnë një pjesë të atyre gjërave që u dëmtuan.

Zona rrotull Ministrisë së Arsimit në rrugën e Durrësit prej ku protesta zuri fill është sigurisht një nga më të prekurat.