Protesta studentore në Tiranë është përshkallëzuar në tensione para Ministrisë së Arsimit, ku një grup protestuesish kanë qëlluar me gurë dhe sende të forta në drejtim të godinës së institucionit.
Sipas raportimeve, të rinjtë kanë shkulur edhe kangjellat metalike të vendosura përgjatë rrugës, ndërsa situata është tensionuar gjatë grumbullimit të protestuesve përpara ministrisë.
Incidentet kanë ndodhur pas marshimit të studentëve në rrugët e kryeqytetit, të cilët që prej orëve të mëngjesit kanë bojkotuar mësimin dhe janë bashkuar në protestë.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë dhe kanë kërkuar ndryshim, ndërsa hedhja e gurëve dhe e sendeve të forta ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit ka shënuar një tjetër moment tensioni në protestën e sotme.