Aktualitet

Përshkallëzohet protesta përpara Ministrisë së Arsimit, studentët djegin koshat e plehrave, nisin shoqërimet!

Sot mbahet dita e dytë e protestës studentore në Tiranë.

Studentët e shumë Universitetit të Mjekësisë, UBT-së, Politeknikut, fakultetit të Drejtësisë etj. janë grumbulluar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa ka nisur hedhja e sendeve piroteknike drejt godinës, teksa para saj u pozicionua dhe policia.

Tensione ka pasur edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ndërsa disa protestues kanë thyer derën kryesore dhe janë futur në ambientet e brendshme të fakultetit.

Gjimnazistët e shkollës “Partizani” i janë bashkuar studentëve dhe të rinjve në revoltë.

Gjithashtu, edhe në universitetin e Elbasanit ka nisur bojkotimi i mësimit, në shenjë solidariteti me studentët në Tiranë, ndërsa në Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër çdo gjë vijon normalisht.

Protesta studentore ka përfshirë disa fakultete të kryeqytetit, me të rinjtë që kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar tubimit. Gjatë marshimit, studentët u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve dhe kalimtarëve që t’u bashkohen protestës.

Me thirrjet “Bashkohuni me ne!” dhe “Rama, jep dorëheqjen!”, studentët kanë kërkuar mbështetje për kauzën e tyre. Ndërkohë, situata para Ministrisë së Arsimit është tensionuar, ku protestuesit kanë shkulur kangjella metalike dhe kanë hedhur gurë e sende të forta në drejtim të godinës dhe policisë.

Protesta vijon, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim nga qeveria lidhur me kërkesat e studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Ramës.