Ka ndërhyrë policia në protestë, duke hedhur edhe gaz lotsjellës.
Policia tashmë po bën edhe shoqërimet e para. Efektivët kanë shoqëruar një nga protestuesit.
Efektivët kanë ngritur kordon policor, duke shpërndarë protestuesit.
Tashmë studentët janë tek Sheshi Skënderbej, pas zhvendosjes nga Rruga e Durrësit. Ndërsa, protestuesit vijojnë që të bëjnë rezistencë.
“Nuk ju vjen turp”, ishin thirrjet e studentëve.
Ndërkaq, policia ka shoqëruar në komisariat edhe disa vajza. Një nga vajzat që po shoqërohet deklaroi se është duke u marrë në komisariat, vetëm pse po proteston.
“Jam duke u marrë në komisariat, vetëm pse jam duke kërkuar të drejtat e mia”, tha protestuesja.
Protesta ishte paralajmëruar të niste në orën 14:00, por që në mëngjes studentët bojkotuan mësimin në disa fakultete, përfshirë Drejtësinë, Mjekësinë, Ekonomikun dhe Politeknikun. Një grup studentësh të Mjekësisë marshuan drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku u bënë thirrje të rinjve t’i bashkoheshin protestës. Studentë të këtij fakulteti lanë auditorët dhe iu bashkuan marshimit. Edhe nxënës të gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe dogjën kosha mbeturinash në mes të Rrugës së Dibrës, duke bllokuar qarkullimin.