Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar lidhur me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë, duke shprehur shqetësim për situatën e krijuar.
Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Gjithashtu, Delegacioni shprehet se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, si dhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, thuhet në reagim.
Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet, duke theksuar se dialogu konstruktiv mes të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara.
Për të dytën ditë radhazi, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, me Ministrinë e Arsimit sërish në shënjestër të sulmeve. Prej orës 12:00, grupe të rinjsh me fytyra të mbuluara kanë sulmuar me gurë e molotovë godinën dhe kanë shkulur kangjellat e trotuareve, ndërsa shqyen edhe derën e ministrisë.
Koshave të mbeturinave dhe objekteve në rrugë u është vënë flaka, ndërsa janë sulmuar me gurë edhe gazetarët që po ndiqnin protestën. Fillimisht, policët qëndruan të pozicionuar brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit, pa ndërhyrë. Por reagimi erdhi gati gjysmë orë pas nisjeve të akteve të dhunës. Protestuesit kanë sulmuar me gurë edhe efektivët, ndërsa blutë kanë përdorur edhe gaz lotsjellës dhe autobotin me ujë për të shpërndarë turmën.
Protesta ishte paralajmëruar të niste në orën 14:00, por që në mëngjes studentët bojkotuan mësimin në disa fakultete, përfshirë Drejtësinë, Mjekësinë, Ekonomikun dhe Politeknikun. Një grup studentësh të Mjekësisë marshuan drejt Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku u bënë thirrje të rinjve t’i bashkoheshin protestës. Studentë të këtij fakulteti lanë auditorët dhe iu bashkuan marshimit. Edhe nxënës të gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe dogjën kosha mbeturinash në mes të Rrugës së Dibrës, duke bllokuar qarkullimin.