Aktualitet Politikë

Tensionet përpara Ministrisë së Arsimit, Berisha thirrje demokratëve: Lini çdo gjë dhe bashkohuni në protestë!

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka folur në një deklaratë për mediat, duke u ndalur te protesta përpara Ministrisë së Arsimit.

Ai i bëri një thirrje demokratëve që të lënë çdo gjë dhe t’i bashkohen protestës.

“Dhunës së egër barbare të urdhëruar nga Edi Rama dhe vasali i tij Demo, universiteti i Tiranës iu përgjigj në mënyrën më dinjitoze, më të vendosur me grevën e përgjithshme të fakulteteve të këtij universiteti, iu përgjigjën universitetet e vendit me greva si fakulteti i biznesit në Elbasan, lëvizje të tjera në universitetet e Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës.

Iu përgjigjën kësaj barbarie gjimnazistët e gjimnazit Partizani.

Narkoregjimi mbylli me hekura dyert e gjimnazit Ismail Qemali, por në Shkodër e Tiranë, në shkolla të tjera nxënësit braktisën bankat dhe janë nisur drejtë protestës.

Sot dhjetëra mijëra studentë dhe qytetarë në mbështetje të tyre e avancuan nga ora 2 në ora 10 të mëngjesit, kanë mbushur Rrugën e Durrësit dhe po qëndrojnë me një vendosmëri epike.

Janë në spitale disa demonstrues që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Njëlloj sikur të ishin kafshë të egra, i thyen këmbën protestuesit të rrëzuar përdhe, thyerje e cila, mënyra se si e transportuan si kafshë, mund t’i kushtonte jetën se në rast se arteria e asaj zone do çahej nga kockat, ata asnjë lloj ndihme nuk mund t’i jepnin.

Edi Rama, në vend të dorëheqjes së tij, kërkon t’u servirë studentëve shkarkimin e Hitës apo ndonjë tjetri në një kohë kur ai qëndron vetë direkt prapa urdhrit.

PD ka mbështetur me të gjithë potencialin e saj, dhe do mbështesë me të gjithë potencialin e saj protestën studentore.

Ndaj dhe jam këtu për t’u bërë thirrje demokratëve dhe mbarë qytetarëve të lënë çdo gjë dhe të bashkohen në këto momente historike për të mbrojtur dhe mbështetur fuqimisht studentët dhe protestën e tyre”, tha Berisha.