Ambasada gjermane në Tiranë ka shpërndarë qëndrimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri lidhur me protestën studentore dhe përshkallëzimin e dhunshëm të saj në kryeqytet. Ambasada ka shprehur kështu qëndrimin në unison me delegacionin e BE.
Delegacioni i BE-së shprehu shqetësim për situatën e krijuar, ndërsa thekson se është në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga efektivët e Policisë ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
"Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, thuhet në reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian.
BE-ja nënvizon se veprimet e forcave të rendit duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me të drejtat themelore të njeriut.
Po ashtu, kërkon që rastet e pretenduara të dhunës të hetohen me përparësi.
“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, theksohet në deklaratë.
Në përfundim, Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet dhe të angazhohen në dialog konstruktiv. “Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, përfundon reagimi i BE-së.
© SYRI.net