Protesta studentore e cila kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij, është përshkallëzuar në përplasje të dhunshme, me demonstruesit që kanë hedhur tulla dhe blloqe betoni drejt ndërtesave qeveritare, raporton media britanike Channel 4 News.
Policia shqiptare iu përgjigj protestuesve me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa disa demonstrues u ndaluan. Pamjet vijnë në një kohë kur pakënaqësia e studentëve ndaj kushteve në universitete dhe politikave arsimore po shndërrohet në një tjetër front të përballjes me qeverinë.
Studentët ngrenë shqetësimet për kushtet e dobëta në universitete, rritjen e kostove të arsimit dhe mungesën e sigurisë për të ardhmen profesionale pas diplomimit. Për shumë të rinj, këto probleme ushqejnë pasigurinë për të ardhmen dhe pakënaqësinë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi.
Sipas Channel 4 News, studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në një klimë të shoqëruar nga akuza të shumta për korrupsion.
Protesta e studentëve po i shtohet kështu presionit ndaj qeverisë Rama, ndërsa kërkesa për largimin e kryeministrit është bërë pjesë e mobilizimit kundër qeverisë.
© SYRI.net