Ministria e Financave është kthyer në ndalesën e radhës për protestuesit që kanë mësyrë brenda saj. Ata po hedhin gurë, fishekzjarrë e kapsollë drejt godinës si dhe drejt policisë.
Efektivët kanë reaguar, por protestuesit po i gjuajnë me gurë. Nga autoritetet po përdoret gaz lotsjellës.
Për të dytën ditë radhazi, qendra e kryeqytetit është përfshirë nga akte të dhunshme, me protestues të maskuar të cilët prej orës 12:00, sulmojnë me gurë e molotovë Ministrinë e Arsimit, përplasen me efektivët e Policisë, shkatërrojnë biznese e gjithçka që u del para, kangjella, kamera e semaforë. Aktet e dhunshme arritën kulmin kur në qendër të Tiranës, protestuesit iu vunë flakët stolave plastikë që i morën nga sheshi “Skëndërbej”. Tymi gjigant përfshiu të gjithë qendrën e Tiranës, ndërsa nuk u pa asnjë zjarrfikëse. Flakët përfshinë edhe Ministrinë e Ekonomisë.
Një ambienti në katin e parë të Ministrisë së Arsimit iu vu flaka, ndërsa një shishe me molotov ra në ballkonin e katit të dytë të godinës. Përballë, dega e një banke të nivelit të dytë, ra pre e dhunës nga një tjetër grup personash të maskuar, që pasi thyen xhamat, i vunë dhe asaj zjarrin. Më në qendër, zyrat e një tjetër institucioni financiar, i grabitur mbrëmjen e djeshme, u përpinë nga flakët. Godina dy katëshe, ndodhet ngjitur me ambasadën e Vatikanit, dhe vetëm pak metra larg një pallati. Për më shumë se 15 minuta, zjarri vijoi pa ndërhyrjen e zjarrfikësve. Disa biznese ngjitur po ashtu u dëmtuan, me fasadat e xhamit të shkatërruara nga hedhja e gurëve.
Ndryshe nga një ditë më parë, uniformat blu kanë ndjekur një strategji më të tërhequr, duke shmangur përplasjet e drejtpërdrejta me protestuesit. Të gjendura nën një breshëri thuajse të pandërprerë gurësh, ato kanë përdorur vetëm makinat e ujit dhe gazin lotsjellës për t’u kundërpërgjigjur. Edhe personat e ndaluar, këtë herë janë shoqëruar pa përdorim të forcës.
Nga ana tjetër, skenari i protestuesve është i ngjashëm me atë të një ditë më patë. Aktet guerile i janë lënë një grupi protestuesish të maskuar. Përplasja me policinë vijon prej 3 orësh, me protestuesit që i sulmojnë me gurë e molotovë, me kangjella duke i vendosur në mes të rrugës deri te djegia e koshave të plehrave e reklamave në rrugë. Deri më tani raportohet për 20 të shoqëruar dhe 8 të lënduar, 5 prej tyre ende në spital.
Protesta ishte paralajmëruar për në orën 14:00, por studentët e Mjekësisë dhe të një universiteti privat nisën marshimin që në orët e para të mëngjesit, duke bojkotuar mësimin. Gjatë rrugës, me thirrjet “Bashkohuni me ne”, atyre iu bashkuan studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Politeknikut, Ekonomikut dhe Gjuhëve të Huaja.
Rreth orës 11:30, protestuesit mbërritën para Ministrisë së Arsimit, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama. Por vetëm pak minuta më vonë nisën sulmet me gurë ndaj godinës dhe policisë. Në orën 12:00, disa protestues arritën të hynin brenda Ministrisë, të tjerë shkulën kangjellat dhe pllakat e vendosura gjatë natës nga bashkia.
Për minuta të tëra, policia shmangu përplasjen, duke qëndruar brenda godinës, ndërsa protestuesit vijuan të qëllonin me gurë. Në rrugë u dogjën kosha mbeturinash e reklama, ndërsa kangjellat u përdorën si barrikada për të penguar ndërhyrjen e efektivëve. Objektiv i sulmeve u bënë edhe gazetarët të citë u sulmuan me gurë.
Rreth orës 12:30, policia nxori autobotët e ujit dhe përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, por protestuesit u rikthyen vazhdimisht, njësoj si një ditë më parë.
Dhuna arriti kulmin kur një molotov i hedhur drejt Ministrisë së Arsimit i vuri flakën një prej dritareve në një zyrë në katin e parë. Efektivët ndërhynë për shuarjen e flakëve, ndërsa protestuesit vijuan të sulmonin me gurë edhe tre autobotët e vendosur në rrugë. Ndryshe nga dita e parë, policia avancoi më ngadalë, duke shmangur përplasjet e drejtpërdrejta.