Pas raportimeve të gazetës britanike “The Times” për pretendime mbi pagesat e Gianni Infantinos, FIFA ka reaguar duke i mohuar kategorikisht akuzat dhe duke garantuar transparencën financiare të institucionit.
FIFA ka reaguar ndaj akuzave të publikuara nga e përditshmja britanike “The Times” lidhur me pagesat për presidentin e saj, Gianni Infantino, duke mohuar kategorikisht pretendimet për një pagë të dytë dhe shkelje të detyrimeve të transparencës financiare.
Përmes një deklarate zyrtare, zëdhënësi i organizatës më të lartë të futbollit botëror theksoi se FIFA nuk i ka paguar asnjë pagë të dytë presidentit dhe se përmbush të gjitha detyrimet për raportimin e pagave.
“FIFA nuk ka derdhur asnjë pagë të dytë për presidentin dhe respekton të gjitha detyrimet e raportimit në lidhje me pagat. Paga vjetore e presidentit të FIFA-s, ashtu si edhe përfitimet e tjera kontraktuale, përcaktohen nga nënkomisioni i pavarur për pagat”, thuhet në reagimin e institucionit.
Në deklaratën e saj, FIFA shkoi më tej, duke hedhur poshtë edhe pretendimet se kishte shmangur publikimin e informacioneve financiare apo kishte shkelur statutin e organizatës.
“FIFA mohon me forcë çdo akuzë sipas së cilës ka shmangur publikimin e informacioneve financiare dhe ka shkelur statutin e saj”, thuhet në reagim.
Organizata thekson se pasqyrat e saj financiare i nënshtrohen auditimeve të pavarura dhe se deklarimet përkatëse kryhen në përputhje me rregullat fiskale në fuqi në Zvicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera.
Në fund të deklaratës, FIFA nënvizoi se vëmendja e saj është përqendruar te mbledhja e Këshillit të planifikuar për të enjten, ku pritet të diskutohen çështje që lidhen me zhvillimin e futbollit dhe rritjen e tij pas asaj që organizata e cilëson si Botërorin më të suksesshëm në histori.
Reagimi i FIFA-s vjen në përgjigje të raportimeve të “The Times”, ndërsa institucioni këmbëngul se pagesat për presidentin dhe raportimi financiar kryhen sipas procedurave përkatëse.


