Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas përplasjeve dhe akteve të dhunës gjatë protestës në Tiranë, duke bërë thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu dënoi dhunën dhe shkatërrimin e pronës, duke kujtuar pasojat që, sipas saj, ka sjellë kaosi në të kaluarën e vendit.
“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot”, shkroi ajo.
Duke iu referuar pamjeve nga protesta, zëvendëskryeministrja theksoi se kufiri mes protestës paqësore dhe kaosit mund të jetë i brishtë.
“Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi”, u shpreh Koçiu.
Ajo bëri thirrje për maturi, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së institucioneve, pronës private dhe sigurisë publike.
“Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari”, theksoi zëvendëskryeministrja.
Në përfundim të reagimit të saj, Koçiu u shpreh se ndryshimi nuk duhet të vijë përmes dhunës dhe shkatërrimit.
“Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, përfundoi ajo.


