Lumi Vjosa, me ujërat e tij të egra, kanionet mbresëlënëse dhe burimet termale, ofron mundësi të veçanta për zhvillimin e turizmit natyror dhe të aventurës në Shqipëri.
Media katalonjase “MónTerrassa” i kushton vëmendje këtij destinacioni, duke sjellë në fokus pasuritë natyrore të luginës së Vjosës dhe përvojat që ajo u ofron vizitorëve, nga aktivitetet në ujërat e lumit deri te eksplorimi i peizazheve dhe monumenteve natyrore përreth.
Në një kontinent ku ndërhyrjet njerëzore kanë ndryshuar ndjeshëm peizazhet natyrore, lumi Vjosa në Shqipëri përbën një nga shembujt e rrallë të rrjedhave ujore, që ruajnë karakterin e tyre të lirë, pa diga apo barriera të mëdha që pengojnë rrjedhën natyrore.
Ky lumë përfaqëson një pasuri të rëndësishme natyrore dhe dëshmon rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemeve lumore, shkruan Alejandro Martín-Sanz de Santamaría në artikulli e botuar në median digjitale katalonjase “MónTerrassa”.
Në vitin 2023, Shqipëria shpalli Vjosën, Parkun e parë Kombëtar Lumor të Egër në Evropë, duke shënuar një moment të rëndësishëm për mbrojtjen e lumenjve në kontinent.
Ky vendim erdhi pas afro tri dekadash përpjekjesh për të parandaluar projektet e ndërtimit të digave dhe hidrocentraleve që kërcënonin ekosistemin e lumit.
Nisma synon të ruajë një sistem ujor me rëndësi të veçantë ekologjike dhe të garantojë vazhdimësinë e proceseve natyrore që përcaktojnë zhvillimin e tij.
Një pasuri e rrallë natyrore në Evropë
Një nga veçoritë kryesore të Vjosës është rrjedha e saj e lirë.
Sipas një studimi të botuar në revistën shkencore “Nature”, në 36 vende evropiane janë identifikuar rreth 1,2 milionë barriera lumore, çka përkthehet në një pengesë mesatarisht çdo 1,35 kilometra.
Në këtë kontekst, Vjosa përbën një rast të veçantë për shkak të ruajtjes së dinamikës së saj natyrore.
Në segmentin ndërmjet Poçemit dhe Kalivaçit, shtrati aktiv i lumit ka një gjerësi që varion nga 400 deri në 1,000 metra.
Ndërkohë, ndryshimet e vazhdueshme të rrjedhës ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e habitateve ujore dhe atyre përgjatë brigjeve.
Sipas të dhënave të përmendura në artikull, çdo vit, rreth 10–20% e pozicionit të degëve të lumit dhe habitateve, mund të pësojë ndryshime, duke krijuar kushte për ripërtëritjen e mjediseve natyrore në cikle pesë deri në dhjetëvjeçare.
Kjo dinamikë natyrore luan një rol thelbësor në ruajtjen e biodiversitetit.
Lumi transporton rreth pesë milionë tonë sedimente në vit në zonën e Poçemit, duke kontribuar në formësimin e shtratit, brigjeve dhe habitateve përreth.
Në këtë sistem lumor dhe në pellgun e tij jetojnë më shumë se 1 600 specie, ndër të cilat edhe ngjala evropiane, e cila varet nga lidhja e pandërprerë e ujërave me detin Adriatik për përmbushjen e ciklit të saj jetësor.
Pellgu i Vjosës përbën gjithashtu habitat për afro 300 lloje shpendësh, përfshirë dallëndyshen e brigjeve.
Në zonat malore të pjesës së sipërme të pellgut jetojnë edhe gjitarë të mëdhenj, si arinjtë dhe ujqërit, duke dëshmuar rëndësinë e këtij territori për ruajtjen e biodiversitetit.
Vjosa buron në malet e Pindit, në Greqi, ku njihet me emrin Aos, dhe përshkon rreth 272 kilometra, prej të cilave 192 kilometra në territorin shqiptar.
Megjithëse në pjesën greke ndodhet një digë e vogël, burimet karstike kontribuojnë në ruajtjen e prurjeve të lumit.
Në Shqipëri, Vjosa kalon përmes peizazheve të ndryshme, nga gryka e Këlcyrës deri në fushën e Myzeqesë, duke krijuar habitate të rëndësishme natyrore përgjatë rrjedhës së saj.
Vjosa, një destinacion për turizëm natyror
Përgjatë rrjedhës së Vjosës, vizitorët mund të zhvillojnë aktivitete në natyrë dhe të eksplorojnë peizazhet e luginës.
Në zonën e Përmetit, lumi ofron mundësi për rafting dhe kajak, ndërsa përreth shtrihen peizazhe malore dhe formacione shkëmbore.
Një tjetër pikë me interes janë burimet termale të Bënjës, pranë urës historike osmane të Kadiut dhe në hyrje të kanionit të Langaricës.
Zona ndërthur vlerat natyrore me trashëgiminë historike dhe kulturore, duke krijuar mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Në rrjedhën e poshtme, peizazhi ndryshon gradualisht.
Lugina ngushtohet në disa segmente shkëmbore dhe më pas zgjerohet, duke krijuar brigje me rërë dhe zhavorr.
Në Tepelenë, kalaja historike e Ali Pashës ngrihet mbi zonën ku Vjosa bashkohet me Drinon, duke ofruar pamje mbi luginën dhe rrjedhën e lumit.
Në këtë pjesë, lumi krijon degë të ndryshme dhe formon ishuj zhavorri, ndërsa gjatë prurjeve të mëdha mund të ndryshojë shtratin dhe drejtimin e rrjedhës.
Këto procese përbëjnë një element të rëndësishëm të funksionimit natyror të ekosistemit, duke mundësuar krijimin e habitateve të reja dhe ruajtjen e atyre ekzistuese.
Rëndësia e Vjosës nuk kufizohet vetëm te peizazhi dhe mundësitë turistike, por lidhet drejtpërdrejt edhe me funksionet ekologjike të saj.
Transporti i sedimenteve dhe ndryshimet natyrore të shtratit kontribuojnë në formimin e brigjeve, ligatinave dhe habitateve të tjera përgjatë rrjedhës.
Në fushën e Myzeqesë, pranë deltës, këto procese ndikojnë në formimin e mjediseve të ndryshme natyrore, përfshirë zonat me ujëra të njelmëta dhe lagunat.
Ruajtja e kësaj dinamike është e rëndësishme për mbijetesën e shumë specieve që varen nga ndryshimet natyrore të lumit.
Ndërhyrjet që pengojnë rrjedhën dhe transportin e sedimenteve mund të ndikojnë në ekuilibrin e ekosistemit dhe në funksionimin e habitateve përgjatë tij.
Mbrojtja e Vjosës dhe rëndësia për të ardhmen
Shpallja e Vjosës Park Kombëtar Lumor të Egër përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e këtij ekosistemi, pas një periudhe të gjatë gjatë së cilës lumi u përball me projekte që parashikonin ndërhyrje në rrjedhën e tij.
Megjithatë, ruajtja afatgjatë e vlerave natyrore, kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe zbatim efektiv të masave të mbrojtjes.
Përvoja e Vjosës dëshmon se mbrojtja e lumenjve, mund të jetë pjesë thelbësore e politikave për ruajtjen e biodiversitetit dhe të ekosistemeve.
Ajo gjithashtu nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave mjedisore dhe komuniteteve lokale, për të garantuar që zhvillimi ekonomik dhe turistik të mos cenojë pasuritë natyrore.
Vjosa mbetet një shembull i rëndësishëm i vlerës që kanë lumenjtë me rrjedhë të lirë për mjedisin dhe komunitetet që jetojnë përgjatë tyre.
Ruajtja e këtij ekosistemi përbën një përgjegjësi afatgjatë, jo vetëm për mbrojtjen e biodiversitetit, por edhe për trashëgiminë natyrore që do t’u përcillet brezave të ardhshëm.


