Përplasjet gjatë protestës së studentëve në Tiranë kanë vënë në rrezik zhvillimin e ndeshjes europiane mes Egnatias dhe skuadrës daneze Midtjylland, të programuar për të enjten, më 15 tetor, në orën 18:45, në stadiumin “Air Albania”.
Sipas informacioneve që ka publikuar ekskluzivisht “Panorama Sport”, skuadra daneze ka arritur të nisë stërvitjen zyrtare në stadium, por është detyruar ta ndërpresë vetëm pas pak minutash për shkak të gazit lotsjellës të përdorur gjatë protestës në kryeqytet.
Situata ka penguar edhe përgatitjet e kampionëve të Shqipërisë. Egnatia ka anuluar plotësisht seancën stërvitore në “Air Albania”, pasi kushtet e sigurisë nuk lejonin zhvillimin normal të saj.
Protesta, gjatë së cilës studentët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ka krijuar kështu një problem që shkon përtej zhvillimeve politike dhe prek drejtpërdrejt organizimin e një aktiviteti ndërkombëtar futbollistik.
Sipas “Panorama Sport”, autoritetet kanë thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe mundësinë e zhvillimit të takimit sipas programit.
Deri tani nuk ka një vendim zyrtar për shtyrjen apo anulimin e ndeshjes. Gjithçka do të varet nga vlerësimi i sigurisë në stadiumin “Air Albania” dhe kushtet që do të garantojnë zhvillimin e takimit mes Egnatias dhe Midtjylland.













