Papa Leone XIV ka përcjellë mesazhin e tij të parë pas ndërhyrjes kirurgjikale në Romë, duke falënderuar besimtarët katolikë për lutjet dhe mbështetjen gjatë kësaj periudhe të vështirë shëndetësore. Sipas ekipit mjekësor, rikuperimi i kreut të Kishës Katolike po ecën sipas pritshmërive, pas diagnostikimit me adenokarcinomë pulmonare.
Në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve të një simpoziumi me rastin e 10-vjetorit të dokumentit Amoris laetitia, të hartuar nga paraardhësi i tij, Papa Françesku, Ati i Shenjtë shprehu mirënjohjen për lutjet dhe angazhimin e besimtarëve.
“Siç e dini, gjatë këtyre ditëve nuk kam mundur të jem mes jush”, shkroi Papa, duke vlerësuar shkëmbimin e përvojave dhe dëgjimin e kujdesshëm mes pjesëmarrësve, të cilat i cilësoi si një dhuratë për të gjithë Kishën.
Në fund të mesazhit, ai kërkoi që besimtarët të vazhdojnë të luten për të, duke theksuar se edhe ai lutet për ta.
Papa po rikuperohet pas ndërhyrjes kirurgjikale
Sipas informacionit të bërë publik nga ekipi mjekësor, Papa Leone XIV është diagnostikuar me adenokarcinomë pulmonare, një formë e kancerit të mushkërive.
Gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale rreth 90-minutëshe në Romë, mjekët hoqën lobin e poshtëm të njërës prej mushkërive të tij.
Mjekët Luigi Carbone dhe Stefano Margaritora kanë bërë të ditur se rikuperimi po ecën sipas pritshmërive. Papa ka mundur të ecë në dhomën e spitalit dhe ka konsumuar mëngjesin dhe drekën.
Gjatë fundjavës, kreu i Kishës Katolike kishte informuar besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit për ndërhyrjen e planifikuar, duke bërë të ditur se masa e zbuluar në mushkëri ishte identifikuar në një fazë të hershme.
Anulohen daljet publike deri më 20 tetor
Për t’iu kushtuar trajtimit dhe rikuperimit, Papa ka anuluar të gjitha daljet publike deri më 20 tetor.
Ndërkohë, sipas raportimeve, muajin e ardhshëm ai pritet të zhvillojë një udhëtim të gjatë në Amerikën e Jugut. Megjithatë, realizimi i vizitës do të varet nga ecuria e gjendjes së tij shëndetësore dhe rekomandimet e mjekëve.
Për momentin, përparësi mbetet rikuperimi pas operacionit, ndërsa besimtarët kanë vijuar t’i përcjellin Papës mesazhe mbështetjeje dhe lutje për shërim të shpejtë.


