Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka dënuar aktet e dhunës, zjarrvëniet dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestës në Tiranë, duke akuzuar forca politike dhe aktorë të huaj për përpjekje për të nxitur kaos në vend.
Në një reagim publik, Demo pretendoi se protesta e studentëve është shfrytëzuar nga persona që, sipas tij, synojnë të rikthejnë pasigurinë. Ai u bëri thirrje të rinjve, veçanërisht studentëve të mjekësisë, që kërkesat për përmirësimin e kushteve dhe përparimin e arsimit t’i adresojnë përmes dialogut.
“Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private”, shkroi ministri.
Demo ngriti gjithashtu akuza për përfshirje të aktorëve të huaj, duke pretenduar se ata kanë ndërhyrë përmes rrjeteve sociale që prej muajit qershor. Sipas tij, këto forca kanë shfrytëzuar pakënaqësitë dhe kërkesat e studentëve për progres.
Ministri u drejtua edhe studentëve, duke deklaruar se qeveria mbetet e hapur për dialog dhe se Pakti për Universitetin mund të shërbejë si bazë për diskutime të mëtejshme.
“Qeveria është gjithnjë e hapur për ju, Pakti për Universitetin ka lindur falë një proteste të paraardhësve tuaj në auditore dhe është një libër i hapur, për të shkruar kapituj të tjerë, me dialog jo me gurë”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar personave që i cilësoi si përgjegjës për zjarrvëniet dhe shkatërrimin e pronës, Demo paralajmëroi ndjekje ligjore.
“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë”, deklaroi ministri, duke shtuar se përgjegjësia individuale para ligjit nuk do të harrohet.
Demo falënderoi efektivët e Policisë së Shtetit për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen gjatë protestës, ndërsa u kërkoi qytetarëve të Tiranës të ruajnë qetësinë.
Në përfundim të reagimit, ministri deklaroi se qeveria do ta përballojë situatën me durim dhe se, sipas tij, aktet e dhunshme nuk do të arrijnë ta kthejnë vendin pas.


