Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vizituar efektivët e policisë të plagosur gjatë protestës në Tiranë, të cilët po marrin trajtim në Spitalin Universitar të Traumës.
Përmes një postimi në Facebook, Spahiu bëri të ditur se brenda 30 minutash në spital kishin mbërritur gjashtë efektivë të lënduar, duke e çuar në nëntë numrin e punonjësve të policisë të paraqitur në urgjencë.
Sipas ministres, njëri prej tyre, 31 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë, me dëmtime serioze në sy dhe fraktura të rënda në nofull dhe hundë.
“Jam në Spitalin Universitar të Traumës, ku për 30 minuta kanë mbërritur 6 efektivë policie të lënduar, duke çuar në 9 numrin e tyre në urgjencë. Një prej tyre, L.D., 31 vjeç, ka dëmtime serioze në sy dhe fraktura të rënda në nofull dhe hundë”, shkroi Spahiu.
Ministrja e cilësoi dhunën ndaj punonjësve të policisë të patolerueshme, duke theksuar se ajo rrezikon seriozisht shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Në reagimin e saj, Spahiu shprehu gjithashtu mirënjohje për mjekët, infermierët dhe stafin shëndetësor që po kujdesen për të lënduarit.


