U mbyll me 51 efektivë të lënduar dhe 65 të shoqëruar dita e dytë e protestës së përshkallëzuar të studentëve kundër qeverisë. Qendra e Tiranës u mbulua nga tymi i flakëve dhe nuk munguan përplasje të dhunshme me policinë, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe djegie të pronës publike e private.
Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit, ku qindra studentë që kishin bojkotuar leksionet u mblodhën për të kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete dhe dorëheqjen e qeverisë. Por tubimi u shndërrua shpejt në një përballje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Policia përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa një pjesë e protestuesve u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë, tulla, kapsolla dhe sende të tjera të forta.
Kuvendi zhvillon sot në orën 10:00 seancën plenare të radhës, me në sfond protestat e dhunshme që prej dy ditësh kanë përfshirë kryeqytetin dhe pritet të vijojnë edhe përgjatë së enjtes, sipas paralajmërimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale.
Ndërkohë, sot Kuvendi parashikon të ketë një axhendë të ngjeshur, ku në rend përfshihet edhe një interpelancë e kërkuar nga PD me ministrin e Brendshëm, që i referohet reagimit të policisë ndaj protestuesve, por kërkesa e dorëzuar mban datën 27 korrik, kur në detyrë ishte ende Besfort Lamallari.
Parashikohen edhe 3 interpelanca të tjera, të shtyra gjatë seancës ku u votua reforma territoriale, konkretisht me ministrin Enea Karakaçi për autostradën Milot-Balldre dhe për termocentralet lundruese ‘Tigri 1’ dhe ‘Tigri 2’ në Vlorë, si dhe me ministrin e Financave, Petrit Malaj për masat fiskale për uljen e çmimeve.