Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas përshkallëzimit të protestave në Tiranë, duke akuzuar opozitën për nxitjen e dhunës dhe paralajmëruar pasoja ligjore për personat që, sipas tij, janë përfshirë në incidentet e fundit.
Përmes një reagimi publik, Rama deklaroi se aktet e dhunshme nuk përfaqësojnë studentët, të cilët i cilësoi si të ardhmen e vendit. Ai u shpreh se qeveria është e gatshme të ulet në dialog me ta dhe të diskutojë për zgjidhjen e problematikave që kanë ngritur.
“Studentët janë e ardhmja dhe janë ata që shohin larg e duan të shkojnë larg shpejt. Janë të mirëpritur e për ta jemi gati të flasim e diskutojmë, të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, shkroi kryeministri.
Rama ia atribuoi përshkallëzimin e situatës opozitës, duke e akuzuar se po përpiqet të pengojë përparimin e vendit përmes akteve të dhunës.
“Këto janë të tjera duar, duart që përpiqen të ulin poshtë Shqipërinë sa herë përpiqet të shkojë lart, janë duart e opozitës që me maska të verbërish para, me zjarr e hekur kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë, në humnerën nga ku e nxorëm”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë i cilësoi zhvillimet si “orë të vështira”, por theksoi se Shqipëria do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se personat që kanë marrë pjesë në aktet e dhunshme do të përballen me ligjin.
“Janë orë të vështira që do t’i kalojmë bashkë sepse Shqipëria do të vijojë të ngjitet në rrugën drejt Europës. Kurrë nuk do të jetë më në duart e atyre që kanë kapur për fyti opozitën shqiptare. Kush mendon se ligji është larg, gabon. Kush ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më pas”, përfundoi Rama.












