Rendi i ditës/ Kuvendi sot në seancë plenare, katër interpelanca dhe ngritja e komisionit për Reformën Territoriale

15/10/2026 08:34

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, më 15 tetor, në seancë plenare, në orën 10:00.

Në rendin e ditës janë parashikuar katër interpelanca me ministra, shqyrtimi i disa projektligjeve, si dhe votimi i projektvendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 8 tetorit dhe njoftimet përkatëse, për të vijuar më pas me interpelancat e kërkuara nga deputetët e opozitës.

Interpelanca e parë do të jetë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Në vijim, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, do të përballet me dy interpelanca, të kërkuara përkatësisht nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi.

PËR MBLEDHJEN E KUVENDIT NË SEANCË PLENARE NË DATËN 15.10.2026,
ORA 10:00
Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve të
Kuvendit për periudhën 28 shtator – 16 tetor 2026,
URDHËROJ:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 15.10.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 8.10.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup
deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal
Pacaj.
5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi
Blushi.
6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
7. Projektligji “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit,
bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025”.
8. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë
dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit
kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e
veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.
9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave””
10. Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
11. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e
tjera të lidhura me to”, të ndryshuar”.
12. Projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”.
13. Projektvendim “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës
Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e
anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit
parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

Top Channel