Një nismë e FIFA-s për rishikimin e kodit disiplinor, e synuar për të shmangur përsëritjen e skandalit me Folarin Balogun, ka ndezur një tjetër debat. Sipas kritikëve, ndryshimi i propozuar shërben për të larguar përgjegjësinë nga institucioni dhe presidenti i tij, Gianni Infantino.
Të lidhura
None found
Me rregullin e ri, FIFA do të humbiste të drejtën për të shtyrë pezullimin automatik prej një ndeshjeje që pason përjashtimin e një lojtari me karton të kuq të drejtpërdrejtë. Dokumenti u është paraqitur të martën anëtarëve të Këshillit të FIFA-s, ndonëse kjo pikë mungonte në agjendën e bërë publike dy javë më parë. Votimi nga Këshilli me 37 anëtarë do të zhvillohet sot, e enjte, në Cyrih.
Nisma vjen tre muaj pas rastit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, i cili nuk iu nënshtrua pezullimit automatik pas përjashtimit në përballjen me Bosnjën dhe Hercegovinën në Kupën e Botës të këtij viti. Polemikat u intensifikuan pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se meritën për këtë e kishte ai dhe bëri të ditur se i kishte kërkuar Infantinos të ndërhynte gjatë një telefonate.
Infantino hodhi poshtë pretendimet se kishte ndikuar në këtë çështje. Shtyrja u vendos nga kryetari i Komitetit Disiplinor të FIFA-s, i cili u mbështet në një dispozitë pak të njohur që lejon shtyrjen e masave disiplinore. Kështu u anashkalua pezullimi i detyrueshëm prej një ndeshjeje për kartonin e kuq direkt, një rregull që FIFA ua kishte rikujtuar shprehimisht në maj, përmes një letre, të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në Kupën e Botës.
Mes reagimeve të forta ishte edhe ai i UEFA-s, që e cilësoi të papranueshme mënyrën se si kishte vepruar FIFA. Në deklaratën e saj, UEFA shprehu mosbesim ndaj vendimit, duke e përshkruar atë si të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe pa justifikim.
Situata mori përmasa të tjera kur u zbulua se Infantino po punonte për një shitje aksionesh të Kupës së Botës me vlerë 15 miliardë funtesh, në të cilën përfshiheshin persona të lidhur me Trumpin.
Një tjetër skandal trondit FIFA-n: Infantino mori miliona të padeklaruara.
Debati për zbatimin selektiv të rregullave lidhet edhe me kufijtë e këtij propozimi: ai prek vetëm pezullimet automatike prej një ndeshjeje, ndërsa FIFA do të vazhdonte të kishte të drejtën të shtynte dënime më të gjata. Një rast i tillë ishte ai i Cristiano Ronaldos në nëntor, kur u ndëshkua me përjashtim për një goditje me bërryl ndaj Dario O’Shea në takimin kualifikues mes Portugalisë dhe Irlandës.
Për Ronaldon, pezullimi i vuajtur ishte vetëm një ndeshje, çka bëri që ai të mos humbiste asnjë takim të Kupës së Botës. Ndërkohë, kodi disiplinor i FIFA-s parashikon zakonisht një dënim minimal prej tre ndeshjesh për sjellje të dhunshme.





